Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën politike në vend dhe zhvillimet e fundit. Në një intervistë për News 24, Lubonja u shpreh se opozita në vend ka devijuar energjitë e saj me grindjet mes tyre, në vend që t’i kundërvihet qeverisë. Ai shtoi se grupimi i deputetëve demokratë me në krye Lulzim Bashën kanë humbur kredibilitetin pasi sipas tij janë mbështetur te Edi Rama për marrjen e vulës së PD-së.
“Ndërkohë që kemi kaq shumë nevojë për një opozitë të bashkuar dhe për të bërë opozitë ndaj Edi Ramës që ka përditë skandale dhe që po e çon Shqipërinë, sipas mendimit tim drejt një katastrofe që herët ose vonë do të vijë, dhe opozita duhet të punojë në interes të Shqipërisë që ta evitojë këtë katastrofë, shoh që ata janë mbledhur tek ato sherret personale, ambiciet personale. Kemi një Kuvend brenda Kuvendit.
Pra në vend që të kishim një Kuvend me debat, polemika, bashkëpunim, replika mes opozitës dhe mazhorancës ne merremi më shumë me grindjet që kanë këta të opozitës me njëri – tjetrin. Kjo i merr energjitë opozitare dhe e devijon tjetërkund. Në këtë aspekt skenari i Ramës po punon në mënyrë të përkryer, përça e sundo.
Kjo është e përgjithshmja, pastaj kush duhet të jetë kreu i grupit parlamentar apo kush ka të drejtë është një çështje tjetër. Për këtë është absurde që një minorancë me 7 deri në 10 vetë kërkon të jetë udhëheqëse e gjithë asaj PD-je, se tashmë as nuk e ndajmë dot se cila është PD-ja. A ka të drejtë kjo minorancë të drejtojë grupin?
Varet ku e vëmë nisjen e ligjit. Për mua duhet që në kohën kur u bënë dy kongreset duhet të kishte respektim të rregullave. Në atë kohë u pa se ishte Sali Berisha që kishte shumicë, do apo nuk do. Por këta bënë një kuvend tjetër dhe për mua që këtu filloi një bashkëpunim me mazhorancën për të mbajtur pushtetin, apo pronën. Kështu është në Shqipëri, mjafton të mbështetesh tek më i forti për të zgjidhur problemet e tua. Këta (Basha) janë mbështetur tek Edi Rama dhe kanë humbur kredibilitetin.
“Situatën e demokratëve e shoh me pesimizëm. Njerëzit i shoh të nënshtruar dhe të tërhequr për t’u ngritur në protesta. Duhet të ndodhë diçka shumë e rëndë për të pasur protesta të vërteta. Shqiptarët janë të mpirë në këtë moment. Opozita nuk është shumë e besueshme dhe e përçarë. Situata sa i përket demokracisë është e rëndë dhe në rrezik” – tha Lubonja.
Sa i përket propozimit për rritjen e pagave të gjyqtarëve, ai u shpreh se ajo do të ndikojë për keq në sistemin e drejtësisë.
“Rritja e pagave të gjyqtarëve do ndikojë për keq në drejtësi. Këtë regjim e mban në fuqi korruptimi i njerëzve dhe blerja e elitës. Nëse ka një punë që Rama mund ta bëjë me paturpësi është korruptimi i njerëzve intelektualë. Rritja e pagave nuk do i motivojë që të punojnë më mirë. Ka korrupsion me para, por më i rëndësishmi është shitja te një pushtet. Qëndrimi i Bashës për të votuar këtë rritje është shenjë e kompromisit me Ramën”, u shpreh ai. /LAPSI.al