Lulzim Basha ka përgatitur një tjetër thikë pas shpine ndaj opozitës me ndihmën e Edi Ramës. Ndërsa demokratët po punojnë në fushatën për bashkinë e Kukësit, kreu i PD-së së vulës po punon të marrë kryesimin e grupit parlamentar, që ende i përket Gazment Bardhit.
Në sallën e parlamentit, ky i fundit pati një tjetër shpërthim me britma dhe përplasje grushtash mbi tavolina kur pa se Lindita Nikolla po i dredhonte nga kërkesat në seancë dhe po e anashkalonte. Me tone të larta të zërit, Bardhi i kërkoi kryetares së kuvendit të mos i lëvizte emrat e folësve në kuvend dhe t'i jepte përgjigje për një letër që ai i kishte dërguar. "Jeni konfuz ju. Krijoni një gjendje konfuze ju po nuk mund të jetë gjendje konfuze për parlamentin" i tha Lindita Nikolla kur e pa të acaruar.
Mazhoranca është sërish në një pozicion për t'u pasur zili. Pasi ka diktuar vulën, logon, drejtuesit e koalicionit, financat në zgjedhje etj, tani mund t'i diktojë opozitës edhe kryesimin e grupit parlamentar të PD-së.
Në adresë të Lindita Nikollës kishin mbërritur dy letra sot, një nga Gazment Bardhi dhe një nga Lulzim Basha.
Tek e para, Gazment Bardhi e qartësonte Nikollën se "Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka bërë asnjë zgjedhje apo ndryshim të kryetarit të grupit parlamentar", duke shtuar se leximi i letrës së Lulzim Bashës një javë më parë kishte qenë një lapsus i saj.
Në letrën e dytë të firmosur nga Lulzim Basha, ky kërkonte emërimin e Flutura Açkës si kryetare e grupit parlamentar të PD-së. Në këto kushte, Nikolla pranoi se kishte dilema. Ndaj kishte vendosur të pyeste juristët apo deputetët e PS-së për t'i dhënë një përgjigje.
"Kam kërkuar konsulencë juridike nga shërbimi i legjislacionit dhe nga këshilltarët juridikë. Nëse do të jetë e nevojshme do t'i drejtohem Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet" tha Lindita Nikolla.
Por dilemat e Lindita Nikollës fshehin në fakt planin e socialistëve për t'ia dhënë Bashës kryesimin e grupit parlamentar. Është absurde tha Bardhi që socialistët të marrin vendim se kujt i takon drejtimi i grupit parlamentar të PD-së.
"Ju doni të na diktoni ne 50 deputetëve të opozitës, pasi keni zgjedhur Çuçin tuaj që ne e njohim dhe e respektojmë. Doni t'i thoni 50 deputetëve të opozitës që nuk do e zgjidhni ju kryetarin tuaj prandaj do jua zgjedhim ne. Prandaj thërrasim në konsultim, kryetarin e grupit të PS-së, e ke thirrur, nënkryetaren e parlamentit. Ermonela Felaj më do mua? Normal që nuk më do" tha Gazment Bardhi.
Por ndërsa Gazment Bardhi i binte me grushta tavolinës në kuvend, Lulzim Basha e kishte mbyllur flirtin e radhës me Edi Ramën. Në oborrin e parlamentit, Basha me ato pak deputetë që i kanë mbetur pas, doli para gazetarëve duke njoftuar se do të votojë pro propozimit të mazhorancës për t'ia rritur pagën gjykatësve të Kushtetueses deri në 6 milion e 400 mijë lekë të vjetra.
"Vota për rritjen e pagave të gjyqësorit është votë për pavarësinë së gjyqësorit dhe një gjyqësor i pavarur është një nga mundësitë për ta bërë këtë qeveri të keqe përgjegjëse para gjyqësorit" tha Basha, duke justifikuar bashkimin e votave me Edi Ramën.
Kjo nuk është hera e parë që Basha bashkon votat me Ramën. Me gjasë nuk do të jetë as e fundit. Por kësaj radhe është e mirëpritur mes socialistëve, pasi kryeministri Rama është jashtë vendit, Arben Ahmetaj në arrati, ndërsa Fatmir Xhafaj e ka kundërshtuar rritjen e pagave për gjykatësit e Kushtetuese.
Lexo edhe: Bardhi: Mos u çudisni kur Basha të vetëshpallet mbret i Anglisë
Lexo edhe: Plas e qeshura në Kuvend/ Basha zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar …
Me votat e bashistëve, socialistët shkojnë të qetë drejt votimit për rritjen e pagave të gjykatësve të kushtetueses, pa drojën e ndonjë surprize të pakëndshme.
Shenjat janë se pasi i ka marrë logon, vulën dhe partinë Sali Berishës, Basha pritet t'i marrë edhe kreun e grupit parlamentar. Mbi 40 deputetë demokratë do të mbeten pa një grup parlamentar. Kjo, falë ndihmës së socialistëve që e kanë bërë të qartë se nuk njohin asnjë opozitar tjetër veç Lulzim Bashës./Lapsi.al