Flash

Përplasjet për kreun e Grupit të PD, BIRN: Kuvendi në ngërç juridik

Lapsi.al 4 September 2023
Përplasjet për kreun e Grupit të PD, BIRN: Kuvendi në

Një njoftim i Lulzim Bashës se ai do të drejtonte edhe grupin parlamentar të PD-së u prit me ovacione dhe akuza në Kuvend, ndërsa kryetarja Lindita Nikolla pranoi se kjo ishte një situatë e paprecedentë.

Kuvendi i Shqipërisë nisi të hënën sesionin e ri parlamentar me një situatë të paprecendentë juridike. Shkak u bë një shkresë e dërguar nga Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike, që emëronte veten e tij kryetar të grupit parlamentar të kësaj partie.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e lexoi atë si njoftim për seancën plenare, por pas kundërshtimit të deputetëve të opozitës dhe kryetarit aktual të grupit, Gazmend Bardhi, ajo pranoi situatën e paqartë juridike dhe e kaloi shkresën për vendimmarrje në departamentin juridik të parlamentit.

Bardhi e akuzoi Nikollën se po shkelte rregulloren dhe po provokonte opozitën, duke vendosur mazhoranca se kush do ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë parlament të lexohen njoftimet e partive politike,” tha Bardhi, duke shtuar se janë deputetët ata që zgjedhin kryetarin e grupit.

Kundërshtime erdhën dhe nga deputetë të tjerë të PD-së, të cilët fillimisht e pritën me ovacione njoftimin për Bashën.

Nikolla akuzoi deputetët e opozitës se po e “tërhiqnin Kuvendin në një situatë të paprecedentë”.

Lexo më tej: Rama e konfirmon: Ndryshime në qeveri, pas pak publikoj emrat 

“Unë nuk jam këtu për të sqaruar, presupozohet se bazohet mbi rregulloren e Kuvendit,” komentoi ajo njoftimin e PD-së, por shtoi se i ka kërkuar departamentit juridik që të japë mendime mbi bazën e rregullores.

Shkresa e lexuar nga Nikolla bazohej mbi një vendim partiak të kryesisë së PD-së, e cila aktualisht është e fragmentarizuar politikisht si dhe mbi nenin 16/2 të Rregullores.

Pas seancës parlamentare, Basha tha për gazetarët se kreu i grupit parlamentar ishte ndryshuar me hyrjen në fuqi të statutit të ri të Partisë Demokratike.

“Si kryetar i PD i ngarkuar nga statuti edhe me detyrën e kryetarit të grupit, i autorizuar për t’u deleguar, kam ndërmend ta delegoj te njëri nga nënkryetarët,” tha Basha.

Në praktikën parlamentare, ndryshimet në përbërjen dhe drejtimin e grupeve parlamentare i njoftojnë vetë grupet.

Duke ndjekur këtë praktikë, grupi i Partisë Socialiste njoftoi po ashtu të hënën Kuvendin se “me dakordësinë e gjithë anëtarëve të grupit, kryetari i ri i grupit është zgjedhur Blendi Çuçi”. Në këtë rast, shkresa është firmosur nga nënkryetari i grupit, Toni Gogu.

Ndërkohë Bardhi, një ish-mbështetës i Bashës, njoftoi një takim të deputetëve të kësaj partie të martën, ku pritet të marrë pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha me deputetët mbështetës.

“Njoftimin e kanë marrë të gjithë, 59 deputetë,” tha Bardhi për BIRN, duke e cilësuar këtë mbledhje si një moment që do të unifikojë opozitën parlamentare.

Partia më e madhe e opozitës është përfshirë nga një konflik i gjatë politik për drejtimin e saj, fillimisht mes Bashës dhe Berishës, më pas dhe brenda grupimit që fillimisht mbështeti Bashën./BIRN

Të këshilluara

Aksident në Vlorë, plagosen nënë e bijë

Një aksident ka ndodhur ditën e sotme në Vlorë. Mësohet se dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën në vendin e quajtur "Kali i Trojës”. Nga aksidenti kanë mbe...

15:58

Si parashikohet moti për këtë javë

Gjatë kësaj jave moti do të jetë me kthjellime e alternime vranësirash pjesën më të madhe të ditëve. Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike...

14:51

Rrëshqet kodra në Ujin e Ftohtë në Vlorë

Një masiv dheu ka rënë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh në pjesën e kodrës në këtë zonë, ku ndërtimi i një pallati ka bërë ...

13:28

ide

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI