Edi Rama ka përveshur llërët në një operacion komunikimi, qëllimi i të cilit është ti mbushë mendjen Athinës zyrtare se ai nuk ka gisht në burgosjen e kandidatit fitues për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Që prej mesit të gushtit, kryeministri ka shkruar një çarçaf të lodhshëm në Facebook, ka dhënë sërish një deklaratë pasi nuk u ftua nga kryeministri Mitsotakis në darkën e liderëve ballkanikë, i ka shkruar vetë gazetarit të të së përditshmes Kathimirini, Pavlos Papadopulos për ti kërkuar një intervistë për të shpalosur versionin e vet të ngjarjeve dhe ka dhënë një intervistë për televizionin publik grek ERT. Në të gjithë këtë ofensivë shefi i qeverisë shqiptare është rekur të argumentojnë se ndryshe nga sa e akuzojnë, çështja Beleri i takon drejtësisë e cila nuk i ndan të dyshuarit e saj në shqiptarë dhe minoritarë, se ai nuk i ka nën kontroll gjykatat dhe SPAK, të cilët kanë ndëshkuar edhe njerëz së partisë së tij, se puna e kryebashkiakut të Himarës është një kazus individual, pasi pushteti në Shqipëri nuk ka probleme me minoritarët e tjerë të zgjedhur nga komuniteti i tyre.
LEXO ME TEJ:
Andi Bushati: Rama me alibi si të Erdoganit dhe Putinit
Pasi politikanë grekë më në krye kryebashkiakët e Athinës dhe Selanikut organizuan një protestë në Himarë për çështjen Beleri, Rama reagoi menjëherë në Facebook me çarçafin e gjatë. Në mesazh kryeministri shprehte habinë se si grekët po “absolutizojnë përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike”. Protesta e tyre në Himarë, thoshte Rama ishte kundër vendimeve të gjykatave dhe se grekët po “politizojnë një çështje të drejtësisë shqiptare”.
Kryebashkiakët që morën pjesë në tubim, atë të Athinës dhe atë të Selanikut ai i përshkroi si “të denjë për skenarin e një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve “kush jam unë e kush je ti!”,
Ai vuri alarmin edhe për rrezikun se mund të ketë “pasoja regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke”. “Grupe të caktuara ekstremistësh, i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë” thoshte Rama (e plote ketu poshte).
Por, duket se Athina zyrtare nuk u prek fare nga ky shfajësim i gjatë i kryeministrit shqiptar, që donte të vihej në pozicionin e liderit kozmopolit përballë politikanëve nacionalistë primitivë greke. Madje, fill pas kësaj, kryeministri Mitsotakis mori vendimin për të mos e ftuar Ramën në darkën e liderve ballkanikë të organizuar me rastin e 20 vjetrorit të samitit të Selanikut, që vendosi rugën evropiane për rajonin tonë. Qeveria greke u kujdes ta bënte të qartë se me këtë lëvizje donte të ndëshkonte personalisht Ramën. Zëdhënësi i saj, Pavlos Marinakis, sqaroi para takimit se arsyet e mungesës së një ftese ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë bërë qëndrimet e tij për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri:“Qeveria greke me një sërë ndërhyrjesh të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm është e vendosur për shtetin e së drejtës, jo vetëm për Fredi Belerin një kryetar bashkie i zgjedhur ligjërisht, i cili duhet të betohet. Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për këtë”, –tha zëdhënësi i qeverisë greke.
Kësaj lëvizjeje aspak diplomatike Rama iu përgjigj me një tjetër qëndrim në rrjetet sociale, këtë herë të shkruar në anglisht. Kryeministri shqiptar e ka kritikuar darkën e gabuar të Athinës duke përdorur për të terma të ashpër. Ai ka thënë se ajo i dërgoi Shqipërisë një mesazh kontradiktor me qëllimin e saj që të diskutonte të ardhmen evropiane të Ballkanit përendimor. Këtë lloj qasje greke, Rama e ka quajtur “peng i politikës së brendshme fisnore”.
Tensionet me Athinën / Provokon Mitsotakis, Tirana jashtë tryezës ballkanike
Megjithëatë në pak paragrafë, të hedhur në Twitter, përpos shkopit ai ka treguar edhe karrotën. Ai e ka etiketuar kryeministrin Kiriako Mitsotakis, që nuk e ftoi në takim, si një “mik të dashur dhe koleg shumë të respektuar” dhe është shprehur gjithashtu “i lumtur” që ky tubim u zhvillua. Pra Edi Rama e ka vendosur veten në pozitën e evropianit liberal dhe të moderuar, duke i lënë homologut të tij grek, pa e thënë shprehimisht, pozitën e ekstremistit të varur nga “palë të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për të ngritur një mal nga një kodër”.
Rama e ka vënë veten në piedestalin e atij që preferon të diskutojë edhe kur ka kontradikta, duke e lënë kryeministrin grek nën dritën e keqe të atij që e refuzon komunikimin.
“Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, ka shkruar ai.
Por as taktika për ta kompleksuar politikën greke si të prapambetur, fisnore dhe jo të përputhshme me vlerat evripiane, as ajo për të krehur Mitsotakisin si lider modern nuk janë dëgjuar në Athinë. Ato kanë rënë në vesh të shurdhër dhe kjo e ka detyruar Ramën të shtojë pelivanllëqet dhe të tentojë të dëgjohet me çdo kusht përtej kufirit.
Nëse mesazhi në anglisht nuk piu ujë, Rama ka vendosur të komunikojë direkt përmes mediave greke. Në këtë mënyrë ai peshkoi gazetarin e Kathimirini, Pavlos Papadopulos.
Analiza e “Kathimerini”/ Pse Edi Rama po bën “të fortin” me Athinën
Ky i fundit kishte shkruar në një koment në gazetën e tij se Rama ka një plan për të mos e lejuar të betohet Beleri: “Ky është mesazhi i fundit i qeverisë greke, burime pranë të cilës theksojnë se betimi nuk i “prish punë” krimit të pretenduar. Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis i ka kërkuar vazhdimisht homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka që thjesht të lejojë Belerin të betohet. Por duket se nëse bëhet kjo, atëherë plani i Edi Ramës rrëzohet“ shkruante ai në artikullin me titull: "Lëreni të betohet". Kryeministri e tregoi vetë bisedën që ka pasur me gazetarin grek të së përditshmes me reputacion “Kathimerini”. Ai i ka gjetur numrin dhe i ka nisur mesazh, pa e njohur fare Papadopulosin, aq sa ky i fundit ka kujtuar se ishte një shaka dhe se nuk po fliste me një kryeministër.
Pjesë nga dialogu i Ramës me gazetarin Pavlos Papadopulos
Tri ditë pas këtij komunikimi u botua intervista në Kathimirini. Rama bëri prapa ktheu në përgjigjet që i dha gazetarit grek. Kur u pyet për deklaratat e fushatës kundër kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, të cilin e quajti budalla, kokegdhë, maskara, gagaç etj, Rama tha se nuk ndihej krenar për ato që kishte nxjerrë nga goja.
Por ai e justifikoi dhunën e tij verbale si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Belerit, që sipas tij, kishte provokuar me koncepte si helenizimi i Himarës dhe çlirimi i saj.
Gjithashtu në intervistën me gazetarin e Kathimerini, Rama i ka folur grekëve në një gjuhë miqësore, pavarësisht fërkimeve politike që kanë ndodhur kohët e fundit mes dy shteteve. I mohoi të ishte ndjerë i fyer nga mungesa e ftesës në darkën e Athinës nga Kirjakos Micotakis. “Nuk jam i fyer. Por vete nuk do ta bëja të njëjtën gjë, as nuk e imagjinoj të jem në një pozicion që të bëj dicka të tillë. Kiriakos është mik” tha Rama në intervistën e botuar të dielën më 27 gusht.
Të mërkurën të njëjtat mesazhe ai i përsërit edhe në një intervistë për televizionin publik ERT.
Rama: Kërcënimet e Greqisë janë antike
Por, gjithë këto mesazhe, intervista dhe sinjale nuk kanë pasur asnjë kundërreagim nga Athina zyrtare, e cila me sa duket nuk preket nga alibitë, por pret të shohë faktet. Qeveria greke është shprehur qartë se do bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, fondet e komisionit Evropian dhe ajo po lobon për të sensibilizuar çështjen Beleri, si në Uashington, po ashtu dhe në Bruksel. Pra deri më tani strategjia e Ramës edhe për ta mbajtur Belerin në burg edhe për të përkëdhelur "mikun Mistotakis", pra edhe për të mos e lënë kryebashkiakun të hetohet edhe për tu zotuar se ai është miku më i mirë i Greqisë, nuk ka funksionuar. Ndoshta kokfortësia e pagdhëndur prej nacionalisti e grekëve është ilaçi më i mirë për të mos u prekur nga intriga e stërholluar e Ramës. Prandaj dhe deri më tani gjërat kanë mbetur pezull.
Tensionet mes Tiranës dhe Athinës u ashpërsuan shumë pas arrestimit të kandidatit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri në 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale që e shpallën atë fitues. Grekët pretendojnë se kjo u bë me urdhër të kryeministrit. Beleri vazhdon të mbahet në burg dhe po pengohet të betohet si kryebashkiak i votuar nga qytetarët. Ky kazus ka ngritur në sipërfaqe edhe probleme të tjera që po qëndrojnë pezull mes dy vendeve, si ai i përcaktimit të kufirit detar, të drejtat e minoritetit dhe atë të pronave të qytetarëve me kombësi greke.
©Lapsi.al