Flash

Kosova nën presion/ Osmani përplasje me Macron pas kërcënimit për vizat

Lapsi.al 30 August 2023
Kosova nën presion/ Osmani përplasje me Macron pas

Liberalizimi i vizave ishte një lajm i shumëpritur në Kosovë, që prej disa vitesh është shndërruar në një ishull në Ballkan për shkak të regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Prandaj kur presidenti i Francës, Emanuel Macron e vuri në diskutim liberalizimin e vizave në 1 Janar të vitit 2024, duhet të ketë shkaktuar një valë pakënaqësie që nuk mund të kalonte pa përgjigje.

Pakënaqësia u ndje në deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që foli pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë. Nëse vendimi anulohet, tha Osmani, dialogu Kosovë-Serbi anulohet.

"Kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, u shpreh Osmani, që bëri dallimin mes klasës politike në Kosovë dhe Vuçiçit në Serbi.

“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpëlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

Në një fjalim para ambasadorëve francezë në Paris dy ditë më parë, presidenti i Francës, Emanuel Makro tha se premtimet për vizat do të rishikohen nëse palët nuk sillen me përgjegjësi.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Kjo deklaratë e presidentit francez rikthen edhe një herë presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës, ndërkohë që kryeministri Kurti ndërmori disa hapa pas për situatën në veri. Deri tani, Kosova ka pranuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, ndërkohë që forcat policore janë pakësuar ndjeshëm.

Lexo edhe: Dalin detaje/ Çfarë ndodhi në takimin mes Kurtit dhe Macron

Pavarësisht kësaj, masat që vendosi Bashkimi Europian pas acarimit të situatës në veri nuk janë hequr ende.

Makro ka qenë në veçanti i ashpër ndaj Kosovës, që pas trazirave të fundit në veri. Në maj të këtij viti, Makro tha se ishin autoritetet e Kosovës që "mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm" në veri.

Deklarata kërcënuese për anulimin e liberalizimit të vizave është një nga qëndrimet më të forta kundër Kosovës, që pas acarimit të situatës në veri. Kryeministri Albin Kurti ka qenë nën presion të vazhdueshëm gjatë këtij viti, si nga SHBA, ashtu edhe nga Bashkimi Europian, pasi iu desh të mbajë në detyrë kryetarët e komunave me shumicë serbe që dolën nga zgjedhjet, të cilat serbët i bojkotuan.

Presioni i SHBA dhe BE ndaj Kosovës është kritikuar në gusht të këtij viti nga një numër diplomatësh me peshë si kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, por edhe kryetarëve të komiteteve të punëve të jashtme të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Në këtë letër dërguar përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së, shprehej shqetësim për politikën aktuale të Perëndimit në raport me Kosovën dhe Serbinë.

 Lexo edhe: “Zëri i Amerikës”: BE e pakënaqur me planin e Kurtit

Aty kërkohej një qasje më e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç pasi “Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale”.

“Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhej ndër të tjera në këtë letër, me të cilën duket se Makro nuk bie dakort./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Reagim i fortë nga Brukseli/ BE paralajmëron Shqipërinë për Zvërnecin 

Portali “POLITICO” shkruan se Brukseli po i mban nën vëzhgim trazirat politike në Shqipëri, duke e paralajmëruar Tiranën se trajtimi i situatës mund t’i kushtojë në aplikimin për t'u anëtarësuar në BE. Tirana informon Brukselin se puna për projektin e Kushner është pezulluar. BE kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Ligjin për Investimet strategjike. 

17:42

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI