Flash

Lukashenko: E paralajmërova Prigozhinin dy herë që të kishte kujdes

Lapsi.al 25 August 2023
Lukashenko: E paralajmërova Prigozhinin dy herë që të kishte

Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenka ka thënë të premten se i kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.

Prigozhini besohet të ketë vdekur nga rrëzimi i një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht, rreth dy muaj pasi e udhëhoqi një kryengritje të dështuar drejt Moskës me grupin e vet mercenar, Wagner.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte zotuar fillimisht se do ta shkatërronte kryengritjen e Prigozhinit në qershor, por disa orë më vonë u arrit një marrëveshje për lejimin e Prigozhinit dhe disa prej trupave të tij të shkonin në Bjellorusi.

Lukashenka, i cili e ndërmjetësoi marrëveshjen, e përdori një zhargon burgu pak pas kryengritjes jetëshkurtër të Wagnerit, kur tha se ai e kishte bindur Putinin të mos e “hiqte qafe” mercenarin i cili ndodhej në listën e udhëtarëve të avionit privat që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës.

Prigozhini, tha Lukashenka të premten, i kishte hedhur poshtë dy herë shqetësimet e ngritura nga ai për kërcënimet e mundshme me jetë me të cilat përballej ai.

Lukashenka tha më 25 gusht se e kishte paralajmëruar Prigozhin gjatë kryengritjes se do të “vdiste” nëse do ta vazhdonte marshimin drejt Moskës, ndaj të cilit Prigozhini ishte përgjigjur: “’Në djall – do të vdes’.”

Ai tha pastaj se, kur Prigozhini dhe Utkini, i cili ndihmoi në financimin e Wagnerit dhe ishte në listën e udhëtarëve të avionit që u rrëzua, kishin shkuar për ta takuar atë, ai i kishte paralajmëruar të dytë: “Bëni kujdes, djem!”

Nuk është saktësisht e qartë nga fjalët e Lukashenkas, të cilat u raportuan nga agjencia shtetërore e lajmeve BELTA, se kur kishte ndodhur biseda mes tyre.

Lukashenka, i cili njihej me Prigozhinin shumë kohë më parë dhe është aleat i ngushtë i Rusisë, tha se Putini nuk ka asgjë të bëjë me rrëzimin e avionit.

“E njoh Putinin: ai kalkulon çdo ditë shumë qetësisht, madje avash. Nuk mund ta paramendoj se Putini e ka bërë atë, se Putini është fajtori. Është thjesht punë shumë joprofesionale”, tha Lukashenka.

Kremlini e mohoi të premten çfarëdo përfshirje në rrëzimin e avionit afër Moskës nga i cili besohet se u vra Prigozhin.

Lukashenka njoftoi, po ashtu, se luftëtarët e Wagnerit do të mbesin në Bjellorusi.

“Wagneri jetoi, Wagneri po jeton dhe Wagneri do të jetojë në Bjellorusi. Thelbi mbetet këtu”, tha ai.

“Ata do të jetojnë këtu dhe do të punojnë me ne për aq gjatë sa ne kemi nevojë për këtë njësi”, shtoi ai.

Bjellorusia besohet se i strehon mijëra mercenarë të Wagnerit, të cilët u zhvendosën atje pas rebelimit jetëshkurtër në qershor.

Trupat e Wagnerit luajtën rol të rëndësishëm në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke i ndihmuar ushtrisë ruse t’i zaptojë pjesët kryesore të qytetit Bahmut, pas gati 10 muajve luftimesh intensive./REL

Të këshilluara

ide

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

91.46

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI