Vladimir Putin u pa më i dobët se kurrë dy muaj më parë kur një prej njerëzve të tij të afërt, kreu i grupit mercenar Wagner, nisi një rebelim kundër udhëheqjes ushtarake ruse. Yevgeny Prigozhin, i cili luftonte krah trupave ruse në Ukrainë, ngjalli një shpresë se regjimi i Kremlinit mund të përmbysej nga brenda. Por shpresa u venit në më pak se 48 orë kur Prigozhin u vendos në Bjellorusi në një marrëveshje të negociuar nga Lukashenko.
Sot raportohet se ai ka ndërruar jetë teksa avioni me të cilin ai fluturonte nga Moska në Shën Petërburg është rrëzuar në rajonin Tver në veri të Moskës. Kreu i grupit famëkeq të mercenarëve thotë agjencia ruse e lajmeve TASS ndodhet mes 10 viktimave të kësaj ngjarje, e cila është ende e rrethuar me mister. Nga disa media ruse avioni është identifikuar si Embraer Legacy 600, me numër bishti RA-02795, i cili mendohet se i përket Prigozhin.
Kush është Prigozhin
Yevgeny Prigozhin ka qenë një figurë e rëndësishme për Presidentin Putin, duke vepruar në hije për një kohë të gjatë. Prigozhin ka bërë punë të pista për Kremlinin, nga luftimet në Siri e deri te luftimet në Ukrainë në 2014, kur aneksoi Krimenë. Ai është përfshirë gjithashtu në përhapjen e dezinformatave. Prigozhin njihej si një mik i afërt i Putin. Ai u dënua me burg për veprën e tij të pare penale kur ishte vetëm 18 vjeç në vitin 1979 ndërsa dy vite më vonë ai u dënua me 13 vite heqje lirie për grabitje nga të cilat kreu 9 vite.
Pasi doli nga burgu ai hapi një sere kioskash ku shiste hot-dog dhe në vititn 1990 Yevfeny Prigozhin ia arriti që të hapte një ndër restorantet më të shtrenjta në Shën Petersburg. Ishte ky moment kur kreu i grupit mercenary Wagner nisi kontaktet e tij të para me zyrtarë të lartë të rusisë. Në restorantin në formë varke i quajtur New Island poshtë lumit Neva që zotërohej nga Prigozhin mbërrit vetë Vladimir Putin i cili e pëlqente aq shumë vendin sa filloi të ftonte miq të tij atje.
Në vitin 2003 Vladimir Putin festoi ditëlindjen e tij në restorantin e Prigozhin dhe më pas kompania e hotelerisë së Yevgeny Prigozhin u kontraktua për të furnizuar me ushqim Kremlinin ndërsa kreu i Wagner mori pseudonimin “Kuzhinier i Putinit”.
Në vitin 2014 Yevgeny Prigozhin tregoi se ai nuk ishte thjesht një biznesmen i favorizuar nga Presidenti Rus , por shumë më shumë se kaq. Pikërisht në këtë vit u zbulua se ishte Yevgeny Prigozhin ai që udhëhiqte mercenarët Wagner në luftën e foracave pro separatise kundër Ukrainës.
Rebelimi jetëshkurtër
Nuk u kuptua asnjëherë cili ishte qëllimi i tij i vërtetë. Disa thanë se Yevgeny Prigozhin kishte të ngjarë të ketë luajtur blofin për të marrë me vete dezertime masive nga ushtria ruse, por mesa duket mbivlerësoi perspektivat e tij. Të tjerë besojnë se rebelimi i dështuar i Prigozhin ishte një përpjekje për të ruajtur pavarësinë e forcës së tij mercenare, veçanërisht duke pasur parasysh afatin e 1 korrikut të vënë nga komandantët ushtarakë rusë që ai të kalonte Wagnerin nën strukturën e tyre komanduese. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Lukashenko e zhveshi atë nga akuzat penale në këmbim të largimit nga kontrolli i grupit Wagner.
Putin nuk të fal
Çfarë thonë të gjithë me siguri absolute është se Putinit nuk i pëlqen tradhtia. Ai e urren atë dhe nuk e fal. Nëse Kremlini hoqi akuzat penale ndaj trupave të Wagner të përfshira në kryengritje, është vështirë të besohej se Vladimir Putin do të falte Yevgeny Prigozhin. Prandaj vdekja e tij e mistershme me aksident ajror ka gjasa të jetë një eleminim politik si ato që Kremlini ka bërë shpesh. Kushdo që ka sfiduar Putin nuk ka pasur kurrë më pas një jetë të qetë. Rastet e eleminimeve politike nga regjimi i Putin janë të shumta dhe nuk është çudi që edhe Prigozhin të ketë pësuar të njëjtin fat. Ka apshto jo Putin gisht në vdekjen e Prigozhin, me siguri që këtë s'kemi për ta marrë vesh kurrë. Por çfarë dihet me siguri është se kreu i Kremlinit është përfituesi i madh nga eleminimi i Prigozhin. ©LAPSI.al