Flash

Turi ballkanik/ Tre enigmat e vizitës së Ramës në Prishtinë

Lapsi.al 7 July 2023
Turi ballkanik/ Tre enigmat e vizitës së Ramës në

Që në parathënie kuptohej se vizita e Ramës në Prishtinë do të qe një dështim. Në raportin mes tij dhe Albin Kurtit ka një ngërç që Rama po bën çmos ta shkrijë pa ia arritur qëllimit. Në mbrëmje vonë, kur fliste në Klan Kosova, Rama e krahasoi atë me një “Xhulietë indiferente” që as në rininë e tij nuk i ishte dashur të lodhej kaq shumë. "Përsërit të njëjtën përgjigje vazhdimisht" tha Rama për Kurtin, "është njëlloj si t’i shkruash televizorit dhe ai të përgjigjet".

Prandaj në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, kanë mbetur pas disa enigma që kanë të bëjnë jo vetëm me mungesën e komunikimit me Kurtin, por edhe për qëllimet e vërteta të vizitës.

Lexo edhe: Turi ballkanik/ Rama nuk bind më as Kovaçevskin

Enigma e parë, ka të bëjë me arsyet e vërteta të refuzimit të Albin Kurtit për një takim kokë më kokë me Edi Ramën. Preteksti që dha ai në publik ishte se për Procesin e Berlinit ka ende kohë për t’u takuar në muajin Gusht, në Shtator, pse jo edhe në Tetor. Kurti tha se të rëndësishme ishin 13 marrëveshjet që mbanin pezull interesin qytetar, duke lënë të kuptohet se ishte gati të zhvillonte një mbledhje të përbashkët qeverie. Por kur ministrat e Ramës i firmosën shpejt e shpejt dhe i bënë gati, Albin Kurti sërish nuk pranoi takim kokë më kokë.

Njësoj, Kurti kishte refuzuar takim edhe në fillim të këtij muaji, kur Rama plot mllef, anuloi mbledhjen e qeverisë. Dje në Prishtinë, Rama e kujtoi në këtë mënyrë: “Unë kam kërkuar me insistim për disa ditë me radhë nga Albini që të bëjmë një takim paraprak të dy bashkë, sepse kam dashur t’i përcjell disa shqetësime dhe njëkohësisht kam dashur që të lehtësoj pozicionin e Kosovës, gjë që e kam kërkuar nga shefi i diplomacisë Borrell, duke i kërkuar që të shtyjë disa ditë nxjerrjen e masave, në një përpjekje për të kuptuar më mirë situatën, të gjitha palët. Nuk ka qenë e mundur për ta bërë takimin… sepse Albini ka qenë shumë i zënë ka pasur punë të tjera nuk e di”.

Se cila është arsyeja që e pengon Albin Kurtin të takohet me Edi Ramën, kjo mbetet ende e pathënë. As ai, as Rama nuk e tregojnë plotësisht të vërtetën.

Enigma e dytë është biseda mes Edi Ramës dhe kreut të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Në përfundim të takimit, çuditërisht Konjufca foli për propozimin që ka bërë Rama sekret për asosacionin e serbëve të Kosovës. “Ai ka ndarë elemente të Asociacionit e pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të Ramës përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës” tha Konjufca.

Mirëpo Rama pretendon se propozimin ia ka dërguar vetëm tre personave, presidentit të Francës, Makron, kancelarit të Gjermanisë, Sholc dhe presidentit të KiE, Sharl Mishel. Pak orë më vonë, Rama mohoi t’ia ketë treguar propozimin e tij Konjufcës.

“Më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi… nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta? Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan?” ironizoi Rama.

Deklarata e Konjufcës ngre pikëpyetje mbi qëllimet reale të turit të Ramës në pesë shtete dhe përbën një enigmë ende të pasqaruar për vizitën.

Enigma e tretë ka të bëjë me rolin e Ramës në të gjithë këtë histori. Nuk kuptohet nëse ai u nis në Kosovë për t'i përcjellë Albin Kurtit një mesazh nga Bashkimi Europian, siç tregon dje se kishte një shqetësim nga Borrel? Nuk kuptohet nëse kërkon takim kokë më kokë për t'i përcjellë një mesazh nga Shtetet e Bashkuara, ambasadorin e të cilëve e takoi në Prishtinë? Apo se po fsheh një propozim nga Serbia për asosacionin...

Qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë vitet e fundit kanë treguar se ai nuk ka skrupuj të bëhet edhe zëdhënës i projekteve të Serbisë. E ka bërë këtë kur promovoi Ballkanin e Hapur, kur mbështeti tezën e shkëmbimit të territoreve në veri apo edhe tani që propozon një konferencë ndërkombëtare ku Vuçiç dhe Kurti të diskutojnë pikat, për të cilat kanë rënë dakort një herë.

Përkushtimi i Ramës për të folur për propozimin sekret, të hartuar nga ekspertë sekretë është i ngjashëm me përkushtimin që ai shfaqi edhe kur mbronte tezat e sipërpërmendura. Dhe nuk është çudi që sekreti i vërtetë i draft-propozimit, të jetë fakti që ai është hartuar në Beograd./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI