Flash

BE: Shpallja e dy organizatave në veri të Kosovës si terroriste, hap i njëanshëm

Lapsi.al 6 July 2023
BE: Shpallja e dy organizatave në veri të Kosovës si terroriste,

Bashkimi Evropian tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” që sipas bllokut, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste. Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë

Ambasadori gjerman në Prishtinë u shprehë: Fatkeqësisht bashkëpunimi ynë me Kosovën është zbehur në disa sektorë! Duhet të kemi progres

“Ky cilësim [shpallja si organizata terroriste] është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Stano shtoi se liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

“Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Stano.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk është koordinuar me ta e as me partnerët e tjerë perëndimorë lidhur me vendimin e ndërmarrë për “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

Sipas tij, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, në Kosovë operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe financuara nga shteti i Serbisë.

Njëra ndër to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht më 2011.

Shuarja e saj është paraparë në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkaq, në gusht të vitit 2022, në pjesën veriore të Kosovës u shfaqën grafite me një logo dhe mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.

Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.

Shpallja e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur.

Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të ulen tensionet në veri. Kosovës po i kërkohet që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore, ndërkaq Serbisë që të bindë serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor./REL

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

MTV VMAs 2026: Lista e fituesve

Madonna ishte padyshim mbretëresha e mbrëmjes në MTV Video Music Awards 2026, duke dominuar ceremoninë e zhvilluar të dielën...

16:46