Flash

Shtensionim në Kosovë, Liderët e BE-së paralajmërojnë pasoja për Serbinë dhe Kosovën

Lapsi.al 30 June 2023
Shtensionim në Kosovë, Liderët e BE-së

Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse nuk bëhet një gjë e tillë.

Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën "përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.

Më tej u ritheksua "mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse".

Një paragraf i veçantë i konkluzioneve u kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.

Ata theksuan se është thelbësor vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit, sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.

Një diskutim dinamik për Kosovën

Siç ka njoftuar më parë Radio Evropa e Lirë, liderët e BE-së patën një “diskutim dinamik” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në ditën e parë të samitit në Bruksel, më 29 qershor.

Në ditën e parë, liderët trajtuan situatën në veri të Kosovës dhe tensionet e shkaktuara në dy raste: në fillim të samitit, kur në takim mori pjesë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më vonë gjatë ditës, në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

"Mesazhi kryesor gjatë gjithë diskutimit ishte se duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të shtensionuar situatën dhe kjo duhet të bëhet nga të dyja palët", tha një zyrtar i BE-së duke folur para gazetarëve të premten, më 30 qershor.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borell, shkroi në Twitter:

"Dje rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe gatishmërinë tonë për të garantuar angazhimin e ardhshëm të sigurisë. Sot një diskutim i rëndësishëm për Kinën dhe sigurinë ekonomike. Unë do t'u raportoj liderëve për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës".

Mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes, në pjesën e përfundimeve u zhvillua një debat i ashpër për migracionin dhe Hungaria e Polonia bllokuan miratimin e paragrafit që lidhet me menaxhimin e migracionit në BE./REL

Të këshilluara

NASA planifikon të minojë Hënën

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA planifikon të minojë Hënën brenda dekadës së ardhshme, me synimin për të gërmuar dhe ndërtuar atje brenda vitit 2032. NASA ...

22:28

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI