Edi Rama ka arritur të krijojë një koalicion zërash të njohur për ti prirë betejës të asaj që në Tiranë konsiderohet si një fushatë raciste kundër emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Vetë kryeministri në një bisedë me britaniken ”The Telegraph” akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “ ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve me varka përmes La Mansh.
Komentet erdhën pasi kryeministri Sunak tha në fjalimin e tij se plani për të ndaluar anijet që kalojnë La Manshin ka nisur të funksionojë. Sunak deklaroi sot se kalimet me varka të vogla janë reduktuar me 20%.
”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike”. Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët,” i ka thënë Rama gazetës.
Lexo me tej:
Largohen nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, shifrat e azilkërkuesve
Tre ditë më parë, në të njëjtën linjë i foli shtypit britanik edhe figura ndoshta më e njohur e gjithe shqiptarëve të Londrës.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e ka quajtur një dritëshkurtësi qëndrimin dhe retorikën e Qeverisë britanike për emigrantët shqiptarë, ku në të shkuarën ka pasur edhe etiketime si “pushtues” apo “kriminelë”.
Duke folur për të përditshmen britanike “The Sunday Times”, artistja e hiteve botërore të muzikës pop ka thënë se ato fjalë dhembin, mbi të gjitha në një qytet si Londra, të cilin ajo përherë e ka parë si një bashkim kulturash.
“Është dritëshkurtësi dhe mendjevogëlsi, por është mënyra se si mendojnë shumë njerëz. Pavarësisht se si ne përpiqemi të ndryshojmë retorikën, gjithmonë do të ketë nga ata që mendojnë: Emigrantët po vijnë në vend dhe po zënë punë”, shtoi ajo. Sipas Duas, emigrantët që kanë shkuar në Londër apo qytete të tjera britanike e kanë fituar paranë e tyre duke punuar jashtëzakonisht shumë.
Daily Telegraph: Reperi shqiptar dhunon në një video Suella Braverman
Dua Lipa është parë shpesh të pozojë gjatë pushimeve me kryeministrin shqiptar në vilën e tij në jug të vendit dhe ajo së fundi mori edhe pashaportën shqiptare. Një tjetrë zë i njohur në Britani, sidomos pas botimit të best sellerit të saj, filozofija Lea Ypi, nuk i ka shpëtuar kësaj mode. Edhe ajo ka miqësi me kryeministrin i cili u kujdes personalisht për promovimin e librit "Të lirë", në Tiranë.
Kur shpërtheu konflikti i qeverisë të Sunak, me shqiptarët që kalonin la Manchin me varka, Ypi reagoi shumë fort. Njësoj si Rama ajo i kondideroi ata "koka turku".
Në Guardian ajo kërkoi dorëheqjen e Suella Bravemanit, që i etiketoi bashkëkombasit e saj si gangsterë, ndërsa qeverise shqiptare i bëri apel që të refuzojë bashkëpunimin me të derisa të kërkojë falje publikisht.
"Si qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar, ne duhet të kërkojmë që ajo të japë dorëheqjen. Si qytetarë shqiptarë, duhet t’u kërkojmë autoriteteve shqiptare të refuzojnë bashkëpunimin pa kërkuar falje".
Vetë kryeministri Rama e shpërndau shkrimin e Ypit, dhe e vlerësoi këndvështrimin e saj si leximin më të mirë që i bëhet situatës së krijuar nga një anëtare e shquar e komunitetit të madh shqiptar në Britani.
Analiza e fortë në EuObserver/ Pse 83% e shqiptarëve duan të ikin
Si një tjetër shembull i shqiptarëve që janë qytetarë të denjë të Mbretërisë së Bashkuar dhe krejtësisht ndryshe nga ajo që i sheh sekretarja e Brendshme Britanike, Rama ka perdorur edhe rastin e futbollistit Armand Broja që luan në Premier Ligë me skuadrën e Chelsit.
Në një postim në “Twitter”, ai shpërndarë një video të futbollistit shqiptar Armando Broja, i cili luan me ekipin e Chelsea-s, në Angli.
Krahas videos, kreu i qeverisë thoshte se është turp për këdo që veçon komunitetin tonë të madh në Britani, duke e kthyer në shënjestër të diçkaje që as e kanë krijuar dhe as nuk mbajnë përgjegjësi.
‘Krenar për ty Armando Broja dhe krenar për çdo shqiptar që punon shumë dhe kontribuon në Mbretërinë e Bashkuar! Turp për këdo që veçon komunitetin tonë të madh atje, duke ju kthyer të gjithëve në shënjestër të diçkaje që shqiptarët as e kanë krijuar dhe as nuk mbajnë përgjegjësi për sa keq po trajtohet.’-shkruajti Rama.
Më parë Broja qe shprehur se ai ndihej shumë krenar për vendin nga vjen duke e cilësuar si një vend të mrekullueshëm.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat britanikë kur flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.
Sunak: 1800 shqiptarë të dëbuar që nga marrëveshja me Shqipërinë
Ai sugjeroi që komentet e saj, vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsideroheshin krim.
Mijëra shqiptarë janë duke u gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e Home Office për tu dëbuar. Një ekip prej 400 personash është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17 000 kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.
”Arsyeja që ne po kthejmë shqiptarët është që në radhë të parë të pengojmë njerëzit e tjerë të vijnë dhe po ia dalim”, ka thënë ministri i Migracionit, Robert Jenrick, për The Telegraph.
©Lapsi.al