Flash

Drejtësia e re/ Ermonela Felaj ka burrin, vëllain dhe kunatën, të gjithë në Prokurorinë e Tiranës

Lapsi.al 30 May 2023
Drejtësia e re/ Ermonela Felaj ka burrin, vëllain dhe kunatën,

Nga Edmond Hoxhaj

BIRN

Në mbledhjen plenare të së hënës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro transferimin e prokurores Alma Felaj nga Durrësi në Prokurorinë e Tiranës, ku do të fillojë ta ushtrojë funksionin nga data 5 qershor.

Prokurorja Alma Felaj është kunata e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj dhe e afërmja e tretë e saj që emërohet në Prokurorinë e Tiranës përgjatë katër viteve të fundit.

Në mars të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të emërojë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e Felajt, Bledar Valikaj në Prokurorinë e Tiranës, pa kaluar më parë një proces vetingu.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2016 si pjesë e reformës në drejtësi, i adresoi lidhjet nepotike në institucionet e drejtësisë në klauzolën e papajtueshmërisë ambientale – duke u bërë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të shmangnin lidhjet e ngushta mes magjistratëve.

“Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht, bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ka ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë,” thuhet në nenin 8, pika 1 të ligjit.

I pyetur për transferimin e prokurores Alma Felaj, kreu i KLP-së, Alfred Balla, i cili mungonte në mbledhjen plenare të hënën, la të kuptohej se rasti në fjalë nuk bënte pjesë në rrethin e ndalimeve për shkak të papajtueshmërisë ambientale.

Balla tha se bazuar në pikën 5 të nenit 8, magjistratja Alma Felaj bashkë me kërkesën për transferim, ka paraqitur vetëdeklarimin ku deklaron se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë ambientale.

“Nuk i dimë dot gjendjet civile të OPGJ, prokurorëve,” tha Balla përmes aplikacionit Ëhatsapp. Edhe relatori i projektaktit për emërimin, Bujar Sheshi i tha BIRN se kandidatja Alma Felaj, ashtu si gjithë kandidatët e tjerë kishte paraqitur vetëdeklarim se nuk gjendej në kushtet e papajtueshmërisë ambientale në transferimin e saj nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Ai shtoi se ndryshimet ligjore të vitit 2019, nuk e pengonin ushtrimin e detyrës së magjistratëve me lidhje krushqie, ndërsa me bashkëshortin Armando Felaj nuk mund të konsiderohej situatë e papajtueshmërisë ambientale, pasi ai është oficer i policisë gjyqësore dhe nuk e gëzon statusin e magjistratëve.

“Ligji përcakton për lidhjet e ngushta familjare për magjistratët,” tha Sheshi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se nuk mund të komentonte vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Ato kompetenca që kam unë kanë të bëjnë me ndarjen organizative brenda Prokurorisë së Tiranës. Patjetër që mbajmë dhe do mbajmë parasysh dhe shmangien e konfliktit të interesit,” theksoi Çela.

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesës për koment.

Alma Felaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2012, ajo e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Durrës. Ndërsa bashkëshorti i saj, Armando Felaj ka punuar si jurist për një kompani private përpara se të emërohej oficer i Policisë Gjyqësore./Reporter.al

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI