Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka folur sërish për arrestimin e Fredi Belerit për të cilin tha se ishte skandal. Në një intervistë për “Huffington Post”, Dendias tha se Greqia kërkon afrimin me Shqipërinë dhe zgjidhjen e problemeve mes vendeve.
“Ne duam, kërkojmë dhe shpresojmë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes sonë për detin duke iu referuar Hagës. Jemi shumë të kënaqur që kjo gjë po ecën përpara”, tha ai, por shtoi: “Megjithatë, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie e la përgjysmë këtë, për shkak se ai është nga minoriteti grek. Kandidati për kryetar bashkie u arrestua dy ditë para zgjedhjeve. Në fakt, në fund ai i fitoi zgjedhjet. Me akuza për tentativë apo blerje votash? Në çdo vend të botës, këto do të ngrinin pikëpyetje” – tha Dendias.
“Nëse krijon pikëpyetje me një kriter etnik neutral, imagjinoni sa pikëpyetje krijon nëse ka edhe atë. Pra, ne po themi diçka shumë të qartë. Nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme, ky përbën një skandal të madh dhe kështu tha edhe kryeministri Rama. Është një skandal. Askush nuk mund të arrestohet në prag të zgjedhjeve me këtë akuzë që ka të bëjë me procesin zgjedhor” - tha Dendias.
Ministri i Jashtëm tha se “ne jemi të detyruar të pranojmë që çdo shtet të qeveriset nga parimet e shtetit ligjor. Sidomos shtetet të cilat ne i ndihmojmë të bëhen anëtarë dhe shpresojmë të bëhen anëtarë të shtëpisë sonë të përbashkët evropiane”.
“Pra nisemi nga rasti i fundit, se po flasim për një shtet ligjor. Në këtë shtet ligjor, e thashë edhe më parë, se arrestimi pa prova të forta të një kandidati dy ditë para zgjedhjeve është skandal. Ne do të shohim se çfarë provash ka dhe do të shohim gjithashtu nëse ka një shtet ligjor apo nëse duhet të vendosen pikëpyetje të mëdha në të” – tha Dendias. ©LAPSI.al