Lajmet nga mesnata e djeshme deri tek mesdita e sotme i dominon arrestimi i Fredi Belerit, që ndërsa kërkon të fitojë garën për kryetar të Bashkisë së Himarës nën siglën e koalicionit "Bashkë Fitojmë", u arrestua nga policia.
Kandidati i opozitës u prangos nën dyshimet se është kapur duke blerë vota në lokalin e tij në Himarë. Fillimisht u tha se ishte një aksion i SPAK. Por kjo rezultoi një bllof. Një shkresë që qarkulloi në media më vonë provoi se SPAK nuk ishte i përfshirë në arrestimin e Belerit.
(VIDEO e arrestimit)

(Jo SPAK, por Policia e Shtetit kreu arrestimin)
Fredi Beleri, një personazh i qetë në komunikim por me dritëhije për të shkuarën e tij, ishte një personazh i promovuar jo pak nga një ose dy emisione televizive në Tiranë.
Ndërsa mbi kurriz i peshon një dënim me tre vite burg për nxitje të urrejtjes dhe akuza për terrorizëm, Beleri tërhoqi vëmendje së fundmi me intervistën e tij për Protothema ku fliste për helenizimin e Himarës.
“Por është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e antarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falenderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nëvojshëm për përparimin tonë” ka thënë Beleri. Pikat kontroverse të kësaj interviste ai i hodhi poshtë. Shikoni videon.
[video width="426" height="240" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2023/05/vcompress_111.mp4"][/video]
Për këtë deklaratë, Beleri u kthye në shënjestër të regjimit të Tiranës. Rama nuk i dha as benefitin e dyshimit Belerit. Përkundrazi, ai vetë nuk i ndau sulmet për tre ditë rresht.
Rama e cilësoi Belerin një maskara që ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Ai tha se Napolon Çakalli dhe Spiro Koka janë personat që kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke. Kreu i qeverisë i paralajmëroi këta dy persona se do të merret personalisht me ata.
“Ky maskara ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët. Unë dua ta shfrytëzojë këtë emision për t’iu drejtuar dy personave me emër. Një Napolon Çakalli, i cili e di shumë mirë se kush është dhe një Spiro Koka, një tjetër personazh. Iu them që mos guxoni të merrni në telefon emigrantët që duan të votojnë ose që mund të vinë të votojnë, as për t’iu thënë që do vini të votoni patjetër për këtë injorantin këtu apo duke i thënë që po votuar për Goron e PS do iu grisim letrat greke dhe unë po iu them në sy do të merrem personalisht me ju të dy dhe jeni ju që rrezikoni që t’i humbisni letrat greke. Avokati më i madh i emigrantëve në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri jam unë dhe qeveria ime, është ky shtet”,- tha Rama gjatë intervistës në Opinion.
Për arrestimin, reagimet nuk qenë të pakëta.
Kreu i PBDNJ-së partisë nga ku u shty Fredi Beleri si kandidat i opozitës për zgjedhjet, Vangjel Dule, ishte i pranishëm në ambientet e jashtme të komisariatit të Himarës. Ai e ka e quajtur një ‘sulm të pastër politik’ arrestimin e Fredi Belerit. Dule ka bërë thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen. Sipas tij, Beleri u mor në polici me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Pas një jave urrejtje, përçarje, lançimi, nga ana e kryeministrit Edi Rama kundër zotit Beleri, me urdhër dhe porosi të tij, forca policore, rrëmbyen në qendër të qytetit, me një skenë të shëmtuar, për në komisariatin e Vlorës, zotin Beljeri dhe avokatin e tij. Është akt i paprecedent dhe i pashpjegueshëm. Fenomen që ka lidhje vetëm me regjimet totalitare. Bëjmë thirrje për lirimin e tij. Garantimi i procesit zgjedhor dhe i votës, dhe heqja dorë nga intimidimi nga zoti Rama për qytetarët. Kemi paralajmëruar me deklaratën tonë të pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri dhe sot t’u drejtohemi mediave, që të jenë të pranishme që të bëhet procesi transparent.”, tha Dule.

Mbas ndalimit nga policia të kandidatit të opozitës për Himarën, Fred Beleri ka reaguar ministria e jashtme greke. Ministria greke njoftoi se, me urdhër të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, ambasadorja greke në Tiranë Kostandina Kamici do të takojë ministren Xhaçka.

Mediat greke i kanë kushtuar shumë vëmendje arrestimit të kandidati opozitar Fredi Belerit. Sipas raportimeve të tyre, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka kontaktuar me kryeministrin Edi Rama. Biseda mes tyre vjen pasi ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, zhvilloi një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, është nisur për në Komisariatin e Policisë së Vlorës, për të takuar nga afër Belerin, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës.
Reagimet e politikës greke erdhën edhe publikisht, pas këtyre lëvizjeve diplomatike.
Ministri i Jashtëm grek, Dendias tha se nëse nuk ka prova për arrestimin e Belerit, ky është një skandal. Ndërkohë, ai pohoi se kjo çështjes do të ndiqet nga Greqia.
“Arrestohet anëtari i minoritetit grek, Fredi Beleri, kandidat për kryetar Bashkie në Himarë të Shqipërisë, së bashku me një tjetër grek. Dua të them se nëse nuk ka prova të forta, arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve është një skandal absolut.
Për këtë kam njoftuar tashmë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, z. Borrell, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme suedeze, si Presidencë në detyrë. Qeveria greke do ta monitorojë këtë nga afër.
E përsëris, diçka që e njohu edhe kryeministri shqiptar Rama. Arrestimi i një kandidati për kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve, nëse nuk ka prova të forta, përbën skandal.”, tha ai.
Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis e quajti arrestimin e Belerit një ngjarje të shëmtuar, dhe u shpreh se Athina zyrtare nuk do të tolerojë shkeljen e ligjit për këtë rast.
Duke i kujtuar Shqipërisë se për integrimin në BE duhet të përmbushë standardet, Mitsotakis kërkoi lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.
[caption id="attachment_821866" align="aligncenter" width="1168"]
(Fredi Bejleri me Micotaqis)[/caption]
“Dua të flas për një ngjarje jashtëzakonisht të shëmtuar që ndodhi ne Shqipëri, ku fatkeqësisht u arrestua kandidati për Kryetar Bashkie të Himarës dhe anëtari i Minoritetit Kombëtar grek, Fredi Beleri. Nga Lesbos, t’i dërgoj një mesazh vendit mik Shqipërisë: Zbatoni ligjin dhe mbroni të drejtat e pakicës greke!
Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ajo ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, në mënyrë që ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, deklaroi Mitsotakis.
Sali Berisha e quajti hakmarrje politike arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës. Gjatë konferencës, Berisha ka deklaruar se këto janë qëllimet mafioze të Ramës. Po ashtu Berisha ka ngritu akuza duke thënë se drejtori i Policisë së Vlorës Ermal Muça ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera.
"Komenti im për këtë ngjarje është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça. Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur. Por, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër, përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pas takimit që pati me Sali Berishën në një deklaratë për gazetarët tha se arrestimi i Fredi Belerit dhe akuzat për blerje votash janë inskenimi, siç tha ai nga policia e Bledi Çuçit.
Ilir Meta akuzoi kryeministrin Rama se po përdor të gjitha mënyrat për të blerë vota, për shkak se ky i fundit ndjehet i tmerruar.
"Kështu që asgjë nuk na habit, për arsye se ka një javë që inskenon një ngjarje të tillë tërësisht kriminale, për arsye se është i tmerruar nga vota e lirë. I bëj thirrje strukturave tona në Himarë dhe në qarkun e Vlorës të dyfishojnë përpjekjen e tyre, të rrisin pjesëmarrjen, të mbrojnë pronat e tyre, sepse ai e do bashkinë e Himarës dhe të Sarandës, ku ka çuar një kandidat që s’ka lidhje me Sarandën i do vetëm për të lubrifikuar më tej gjithë atë pastrim parash që ka marrë përsipër për të bërë përsipër.' - u shpreh Meta.
Së fundmi, Rama tregon se nuk ka ndërmend të bëjë as edhe një hap prapa. Rama thotë se kjo është një sprovë për drejtësinë, dhe se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”, shkruan Rama, i cili më herët ka pritur dhe një telefonatë nga ministri i jashtëm i Greqisë Niko Dendias. Ky i fundit duket se i ka kërkuar llogari Ramës për ndalimin e Belerit.
“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, deklaron më tej Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
©LAPSI.AL