Videoja me personazhe Lulzim Bashën dhe Taulant Ballën që u zbulua dhe u transmetua në Syri Televizion, ka ngjallur më shumë siguri sesa pikpyetje. Pra versioni kryesor që u shpërfaq jo vetëm nga komentet dhe reagimet e pamata në rrjet, është se takimi i fshehtë i 3 dhjetorit të vitit të kaluar ka ndodhur realisht.
Por le të merremi fillimisht me variantin tjetër. Pra me qëllimin për të mbajtur në këmbë një alibi. Vërtet Basha dhe Balla hyjnë afërsisht në të njëjtat orare, në të njëjtin pallat dhe në të njëjtën shkallë, por askush nuk mund të vërtetojë me pamje se ata janë futur tek e njëjta derë. Pra, imazhet e shfaqura që i përkasin kamerave të sigurisë së pallatit, nuk e vërtetojnë këtë. Ndonse duket jo logjike, ekziston mundësia hipotetike se ata mund të kenë hyrë afërsisht në të njëjtën periudhë, në vende të ndryshme.
Edhe pamjet e pjesës së dytë të videos, ato ku pretendohet se të dy personazhet dalin nga takimi sekret, ngre një pikpyetje. Imazhet kanë një kërcitje, pasi Balla dhe Basha duket qartë se zbresin nga jo e njëjta dalje. Komentuesit e scoop-it spjeguan se njëri ka zbritur me ashensor dhe tjetri nga shkallët, por videoja që pamë të gjithë ngjall më shumë konfuzion sesa qartësi.
LEXO ME TEJ:
Del VIDEO/ Takim i fshehtë mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës?
Pra lajmi i bujshëm i transmetimit të së mërkurës nuk arrin të japë provën e pakundërshtueshme të këtij takimi. Ai të bën të ngresh të gjitha hipotezat e mundshme se dy politikanët kanë qenë aty, në të njëjtën datë dhe orë për tu takuar me njëri- tjetrin, por nuk e çertifikon katërcipërisht këtë.
E mira do qe që këto alibi mos ti bënte Lapsi.al, por vetë personazhet e vëna nën akuzë, të cilët do të dilnin tejet më të përlyer nga një takim i fshehtë mes tyre. I vetmi që ka folur deri tani është Basha, që më shumë ka shtuar misterin sesa ka arritur të bindë ndokënd. I pa bërë i gjallë prej ditësh në Facebook, ai shkroi një ditë pas publikimit: “Montazhet qesharake, shpifjet dhe trillimet që bëhen për ti fryrë përçarjes së demokratëve janë shërbimi më i mirë për Ramën. Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës”. Pra asnjë fakt dhe provë se pse gjëndej në një vend ku kishte pak gjasë se duhet të ishte.
Por, në një situatë kur logjika, analizimi i rethanave dhe sjellja e palëve të bëjnë të mendosh se takimi sekret ka ndodhur, por ama prova filmike nuk e vulos këtë bindje, cila do ishte rruga më e mirë për të shkuar drejt së vërtetës?
Një sprovë e tillë do të qe analizimi i sfondit politik në të cilin ka ndodhur kjo ngjarje. Kuptohet se nëse Basha dhe Balla janë takuar për hallin e përbashkët që i implikon në aferën Tyota Yaris, kjo është vetëm puna e drejtësisë dhe hetuesve të çështjes.
Mëkati këtij takimi do të ishte po qe se ai do qe organizuar për arsye politike. Kështu ai do vuloste të gjitha akuzat se Edi Rama po mban në këmbë një opozitë fallco, që po i përdor si mercenarë ndaj opozitës reale.
Andi Bushati: Karagjozë me vulë
Dhe pas takimit të supozuar të 3 dhjetorit kanë ndodhur një sërë ngjarjesh që nuk i bëjnë ndër atij që Berisha i etiketon si grupi Alibasha. Një muaj pas kësaj “rastësie” Enkeleid Alibeaj tërheq padinë e depozituar në gjykatë për ti hapur rrugën gjykimit në themel të procesit për vulën e PD-së. Kjo ndodh në 17 janar, ndërsa në ditët e para të marsit, pikërisht para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje, gjykata e apelit, që e kishte zvarrisur prej 9 muajsh këtë çështje, i heq Berishës të drejtën e vulës së PD. Në skenë rishfaqet Lulzim Basha që i lep një rekomandim qesharak Alibeajt për tu paraqitur si trashigimtar i PD në zgjedhje.
Dhe kjo opozitë, me letra të fallcifikuara, merr bekimin e KQZ,së KAS-it, Kolegjit zgjedhor për tu njohur si e tillë. Ndonëse ajo nuk është e aftë të nxjerrë konkurentë as në 1/3 e 61 bashkive, ajo merr nga pushteti për të cilin punon, Taulant Balla, të drejtën për të pasur komisionerë, financim publik dhe kohë mediatike.
“Dorëzoni vulën tek doktori”/ Si u telendis për kandidatë grupi Alibeaj
Madje pak më vonë koalicioni Berisha-Meta, zhvishet edhe nga numëruesit e votave në gjysmat e tavolinave ku do numërohen ato? Pse duhet kjo? Për të bërë si në Vaun e Dejës ku, i noterizuari nga Basha, Alibeaj, ka firmosur një listë me gardianë të votave që punojnë për rilindjen. Pra qëllimi është ti prishet punë opozitës dhe Edi Rama të kontrollojë gjithë procesin.
A janë biseduar të gjitha këto në takimin e 3 dhjetorit Basha Balla? Këtë askush nuk mund ta provojë. Por ama një gjë është e qartë që pas kësaj date janë shtuar përpjekjet politike, juridike dhe të organeve zgjedhore për të mbajtur në këmbë opozitën fallco në krye të së cilës Basha synon të rikthehet pas 14 majit.
©Lapsi.al