Ka vite që kur flitet për Himarën nuk diskutohet më në bazë të një axhende, që i ndan banorët e kësaj bashkie në grekë dhe shqiptarë, por kandidati për bashkinë i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Bejleri e ka rikthyer këtë mënyrë të të bërit politikë, gjatë një interviste për median greke “Protothema”. I pyetur nga gazetari grek se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 14 Majit për “helenizmin” në Himarë, Fredi Bejleri përgjigjet se “ne kemi jetuar si grekë prej mijëra vitesh dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
“Por është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e antarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falenderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nëvojshëm për përparimin tonë” ka thënë Bejleri.
I ardhur nga radhët e PBDNJ-së në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Bejleri e përsërit disa herë premtimin për “helenizimin” e Himarës gjatë intervistës, pa shpjeguar qartë se çfarë do të thotë konkretisht me këtë term.
“Ne duam të shohim vendin tonë të përparojë dhe helenizmi i tij të përparojë në vend të tij”, shprehet ai mes rreshtave, ndërsa akuzon kryebashkiakun aktual Jorgo Goro se ka përçarë banorët dhe “i ka mbyllur derën, jo vetëm helenizmit, por edhe bashkëqytetarëve më të dobët”.
Gjatë intervistës, Bejleri lë të kuptohet se ka mbështetjen e të gjithë forcave politike në Greqi, ndërsa kërkon votat vetëm të qytetarëve që ndjehen grekë dhe që janë të regjistruar si banorë të Himarës.
Përmendja e "helenizmit" nga Micotaqis në Himarë
Fredi Bejleri mban prej vitesh postin e kreut të OMONIAS. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ai ishte një nga shoqëruesit e afërt të kryeministrit grek Micotaqis në Himarë bashkë me Pirro Dhimën.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri grek zbuloi një kusht për mbështetjen e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian: që Shqipëria të sigurojë drejtat e komunitetit grek në vendin tonë.
“Falënderoj himarjotët që kanë mbajtur të ndezur flakën e helenizmit dhe ortodoksisë në zemrat e tyre. Greqia është dhe do mbetet një mbështetës i përhershëm i minoritetit grek, për të gjitha kërkesat e tyre që janë të drejta” u shpreh atëherë Micotaqis.
Kush është Fredi Bejleri
Kandidati i "BF" për Himarën aktualisht mban postin e kreut të OMONIA-s. Ai është akuzuar më parë për terrorizëm në lidhje me masakrën e Peshkëpisë, një ngjarje e vitit 1994. Kreu i OMONIA-s i mohoi akuzat dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.
Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando speciale e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi./Lapsi.al