Dy persona janë në arrati nga grupi i Edmond Haxhisë, i formuar për të vrarë biznesmenin Ardian Nikulajn.
Autori i krimit dhe personi që ka luajtur rolin e informatorit ende nuk janë lokalizuar dhe nuk dihet akoma vendndodhja e tyre. Edmond Haxhia, i konsideruar si porositësi për ta kryer atë krim të rëndë dhe tre britanikë, mes tyre një vajzë, janë në pritje të përkthimit të dokumentacionit që është përpiluar kundër tyre nga autoritetet tona. Afati është deri me 5 maj, ndërkohë që në lidhje me shtetasin portugez po punohet edhe me palën greke për ta sjellë në pranga.
Autoritetet shqiptare po plotësojnë dosjen në ngarkim të këtyre personave për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë, pasi ata akuzohen për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë kohëve të fundit. Sipas të dhënave Prokuroria ka një mori pamjesh filmike, që janë edhe arma më e fortë e pranisë së tyre në skenën e krimit, prova shkencore, fakte dhe një sërë shkresash të identifikimit të momenteve kur kanë hyrë dhe dalë nga vendi jonë të gjithë protagonistët, përfshirë edhe dy të kërkuarit.
Kush është vrasësi me pagesë, Ruben Saraiva, si arriti të depërtonte në Shqipëri?
28-vjeçari portugez me origjinë arabe, është bërë pjesë e krimit që në moshë të re. Në vitin 2013, ai është arrestuar dhe dënuar në Britani, për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Më pas ka qenë i dyshuar për vepra të tjera penale të krimeve kundër personit në shtetin britanik dhe pjesë e bandave të drogës. Killeri portugez ka arritur te krijonte lidhje edhe me organizata kriminale shqiptare që operojnë në Britani dhe pikërisht kjo është lidhja e tij e parë me shqiptarët dhe kjo lidhje do të forcohej më shumë deri në momentin që do t’i ofrohej një shumë e majme për të kryer një atentat të mirëmenduar në Shqipëri, ku shënjestër ishte biznesmenin Ardian Nikulaj.
Killeri portugez arriti në aeroportin e Rinasit më datë 14 shkurt 2023, ku u prit nga Edmond Haxhia. Portugezi Saraiva u akomodua në një hotel në Shëngjin për disa ditë. Por, streha e tij do të ishte Kakarriqi, një fshat i thellë i Lezhës. Një fshat i harruar dhe i lënë në mëshirë të fatit, ku rinia ka zgjedhur të largohet për shkak të papunësisë aty. Pavarësisht bukurisë natyrore të Kakarriqit, kz fshat numëron rreth 300 banorë të cilët kanë zgjedhur të vazhdojnë jetën aty.
E megjithatë Saraiva gjatë këtyre dy muajve, është parë duke qarkulluar në Lezhë apo Shëngjin, për të planifikuar atentatin.
Vrasësi portugez priti dy muaj ku mbërritën në vendin tonë edhe 4 britanikë që do ta ndihmonin në realizimin e atentatit, ku tronditi mbarë opinionin publik. Shtetasit Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, 4 britanikët që kanë ndihmuar për të kryer vrasjen. Sipas policisë të huajt janë takuar me Edmond Haxhinë.
Në tre ditët e para më 16-17-18 prill atentatorët nuk arrijnë dot të realizojnë qëllimin. Momenti final erdhi në datën 19 prill. Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.
Në orën 13 e 24 minuta portugezi Ruben Saraiva futet në lokalin ‘Coral’ pas sinjalit nga anglezi i cili ndodhej atje dhe pa Nikulajn të ulej në tavolinë. Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër afrohet drejt Nikulajt dhe e qëllon me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Sipas hetimeve rezulton se ekzekutori largohet me shpejtësi dhe me motor niset drejt fshatit Kakarriq.
Ngjarja e rëndë u zbardh dhe pas rreth 10 ditësh në Londër u vu në pranga organizatori dhe financuesi i vrasjes Edmond Haxhia dhe tre nga shtetasit britanikë që bashkëpunuan në krim.