Vazhdimësia e manipulimeve kundër opozitës reale i ka kthyer mbledhjet e KQZ-së në shfaqe të denja për një estradë amatore. Të martën, përpara kryekomisionerit Ilirian Celibashi, u zhvillua një skenë e denjë për një rrëfim kafkian. Çështja që diskutohej ishte se kujt i takon e drejta për të pasur numërues së votave për zgjedhjet e 14 majit. Ndërsa dy i mori qeveria, në diskutim ishin numëruesit që i takonin opozitës. Skenari ishte që njërin nga numëruesit ta merrte Alibeaj, meqë i futën në xhep dhe vulën dhe tjetri të diskutohej mes koalicionit të Berishës dhe partisë së Shpëtim Idrizit. Në mënyrë gati naive përfaqësuesi Bashkimit për Fitore e pyeti kolegun e tij të BDIU-së:
-"Po ç'ne tek opozita, se ju votoni ne parlament me qeverinë. Pastaj votat e kujt do mbroni ju"?
-"Ne do mbrojmë votat e Lajla Pernaskës"i tha krenar përfaqësuesi i çamëve.
Nuk vonoi shumë dhe KQZ mori vendimin që mbrojtja e votave të Lajla Pernaskës ishte po aq e rëndësishme sa ajo e Belind Këlliçit. Dhe kështu u vendos që "Bashkimi për fitore" të ketë numërues në gjysmat e tryezave të numërimit, ndërsa PDIU, në gjysmën tjetër. Pra opozita më e madhe në vend, ajo që konkuron në 61 bashki nuk do ketë mundësi që të kujdeset për votat e saj në plot 1/2 e territorit të vendit.
LEXO ME TEJ: Deformimi i radhës/ Berisha-Meta pa numërues në gjysmën e vendit
Sado shpikje e pabesueshme të duket episodi i raportuar më lart nga Lapsi.al, në KQZ ka ndodhur pikërisht kështu. Dhe kjo ka hedhur poshtë kolonën vertebrale të zgjedhjeve. Ja sepse.
Në garat tona elektorale ekuilibri është vendosur përmes parimit "Hajduti ruan hajdutin". Pra qeveria dhe opozita kanë numër të barabartë komisionerësh dhe numëruesish, që nëse njëri reket të manipulojë, i hidhet në fyt tjetri. Që prej fillimit të viteve 2000-jë ky sistem ka bërë që sëpaku pas mbylljes së kutive mundësia e manipulimit të reduktohet në mënyrë drastike.
Strategjia e Edi Ramës për të shpallur fillimisht me gjykatë, Enkeleid Alibeajn si pronar të vulës dhe më pas vendimet e organeve zgjedhore për ti lënë atij trashëgimin e të drejtave që i takojnë opozitës, ka prishur përfundimisht ekuilibrin e mbikqyrjes së zgjedhjeve. Sot "Bashkimi për Fitore" konkurenti kryesor ndaj të cilit Rama bën fushatë dite e natë, ka vetëm një komisioner nga shtatë dhe asnjë numërues në 1/2 e qendrave të votimit.
Po si zhveshja nga kjo e drejtë, i hap një bulevard të pamatë manipulimit të votës?
Lapsi.al ka pyetur ekspertë elektoralë për mundësitë e devijimeve që mund të ndodhin në kontekstin e ri, kur opozita nuk e ruan dot votën e saj. Ata kanë parashtruar disa variante. Psh. në një një tavolinë numërimi ku "Bashkë Fitojmë" nuk ka të ulur asnjë njeri të saj, vota mund të prishet, të zhgaravitet si e pavlefshme e më keq akoma, mund ti kalojë nga Këlliçi te Bejko (emra të supozuar) me miratimin e katër numëruesve. Në gjithë këtë proces Këlliçi ka të drejtë të ketë vetëm vëzhgues që qëndrojnë në shkallën e palestrës, apo të pallatit të sportit ku kryhet numërimi. Nëse e kap shkeljen, vëzhguesi mund të bërtasë nga larg për ndërprerjen e procesit. Por menjëherë vijnë përfaqësuesit e KZAZ-së, ku raporti është 6 me 1 në dëm të Këlliçit dhe vendosin që të vazhdohet se asnjë gjë nuk ka ndodhur. Madje duke mos pasur asnjë numërues ky i fundit nuk shkruan dot asnjë vërejtje në proces verbal, që ti hapë rrugë procesit të mëpasshëm ankimues.
“Tregu çam” garant për numërimin e votave të opozitës
Pra parimi që partitë e mëdha mbrojnë votat e tyre është shkallmuar. Jo rastësisht, më lart, si rast hipotetik, nuk u mor si shembull beteja mes Këlliçit dhe Veliajt, por ajo mes Këlliçit dhe Bejkos. Sepse strategjia e pushtetit në këto zgjedhje nuk është vetëm të sigurojë votat për kandidatët e rilindjes, por edhe të pompojë me shiringa manipulimesh një opozitë fallco, që do i duhet për të bërë të njëjtën lojë në zgjedhjet e përgjithshme të 2025. Prandaj në skemë është futur njohja si pjesë e sistemit për fraksionin e vulës. Alibeaj do konkurojë me siglen e PD (megjithëse nuk qe në gjendje të nxirrte kandidatë as në 1/3 e zonave), do ketë financim publik, kohën televizive, por në procesin e kontrollit të zgjedhjeve do ketë nga dy komisionerë në çdo komision dhe nga një numërues në çdo tryezë.
Të gjitha këto janë të mjaftueshme për tu rritur artificialisht. Prandaj dhe porcesi degradoi në banalitete të tilla si domosdoshmëria për të ruajtur votën opozitare çame. Dhe ajo që do të ndodhi parashikohet lehtë. Në fund të kësaj farse, organet zgjedhore do bërtasin me triumf se arritën qëllimin që të garantojnë votën e Lajla Pernaskës, ndërsa analistët në studio do çirren se nuk ka gojë një "non grata" të pretendojë se i kanë vjedhur votën.
®Lapsi.al