Pas fitores së socialistëve më 25 Prill të vitit 2021, Elbasani sikur ra në qetësi. PS u tërhoq për të qeverisur, ndërsa PD u fut në spiralen e sherrit të saj të brendshëm. Numri një i socialistëve të qytetit tashmë ka ndryshuar. Iku Taulant Balla, që doli deputeti më i votuar në Shqipëri dhe erdhi Damian Gjiknuri. Ndryshoi edhe Partia Demokratike. Nga Gazment Bardhi, frenat e partisë kaluan tek Luçiano Boçi, që tenton bashkinë në 14 Maj.
Por rezultatet e zgjedhjeve në Elbasan, ashtu si në pak qytete të tjera, janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të presionit kriminal në fushatë. Aleanca me krimin e dëshmoi në 25 Prill, se mund t'i mbushë kutitë me vota si askund tjetër.
Prandaj edhe operacioni i RENEA-s një javë më parë në Tregun Agro-Ushqimor të qytetit u pa si një sinjal domethënës, për të kuptuar lëvizjet e një grupi të fortësh në Elbasan.
Tregu Agro-Ushqimor i Elbasanit është në pronësi të Petrit Çelës, babait të Suel Çelës, aktualisht një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri.
https://lapsi.al/2019/11/21/lirimi-i-florenc-capjas-dhe-suel-celes-reagon-policia-e-shtetit-vendime-qe-japin-krah-krimit/
Marjul Lulaj, ndryshe Suel Çela është në kërkim për shkak se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani tregoi se kishte marrë porosi për dy vrasje nga ai.
Çelajt dhe njerëzit e tyre kanë qenë mbështetës të rregullt të socialistëve në fushata zgjedhore. Në çdo fushatë të viteve të fundit, Partia Demokratike i ka akuzuar për aktet e dhunës, presionin, blerjen e votave dhe kërcënimet me armë ndaj militantëve të opozitës.
Atëherë çfarë ka ndodhur? Përse mësyu RENEA për kontroll në pronën e tyre në nisje të fushatës së 14 Majit?
Për gazetarin Artan Hoxha, RENEA po ushtron presion ndaj Suel Çelës, sepse ai nuk po punon më për Partinë Socialiste. Operacioni i forcave speciale sipas panoramës që paraqet gazetari, tregon se ekuilibrat e krimit në Elbasan kanë ndryshuar nga zgjedhjet e shkuara.
“U kontrolluan ambjentet e tregut, që tregtarët kanë ambjentet me qera. Dhe banesat e familjes Çela që ndodhet afër. Për 6 orë RENEA u instalua aty. Oficerët kërkuan se mendojnë se mund të ketë ndonjë pjesë të përshtatur, tunele të nëndheshëm, ndonjë zgavër të fshehur diku. U kërkua edhe me pajisje speciale për t’u bindur se Suel Çela nuk gjendej aty. U shoqëruan të gjithë. Suel Çela nuk u gjet. Por kjo ngjarje ka një domethënie tjetër. Cila është domethënia? Se ndryshe nga fushata e kaluar kur opozita e akuzonte Suel Çelën për lidhje dhe mbështetje me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, kësaj radhe Suel Çelën nuk e akuzon më njeri. Madje përkundrazi, nga mazhoranca aludohet se Suel Çela po mbështet opozitën. Dhe ky veprim duket se i çon një mesazh Suel Çelës, që vërtet nuk je arrestuar, por nëse na vihesh kundër, ne të godasim me të gjitha mjetet që kemi” tregoi Artan Hoxha.
Arsyetimi që bën Hoxha nuk është pa baza. Socialistët i kanë vlerësuar të fortët e tyre, si një aset të vlefshëm në garat elektorale. Nxitimi i RENEA-s për ta kapur Suel Çelën në prag të nisjes së fushatës zgjedhore është një mesazh se aleanca është prishur. Thyerja, dëshmohet edhe nga një detaj tjetër i operacionit.
“Kanë pasur informacion se ai (Suel Çela) mund të gjendej aty dhe kanë shkuar menjëherë. Kanë pasur një debat të fortë, tek hyrja e tregut me personat përgjegjës. Nuk i kanë lejuar. Kanë pasur konflikt, madje edhe janë goditur nga forcat e policisë sepse është si rasti i vitit 2017, se që të hysh në treg rojet e sigurisë kërkuan një dokument nga gjykata dhe policia nuk ia dha. Hynë me forcë” u shpreh Hoxha.
Futja me forcë e RENEA-s në pronën e Çelajve sjell në kujtesë tërheqjen e policisë në vitin 2017, në të njëjtin vend. Atëherë, dihej se Çelajt kishin marrëdhënie të mira me deputetët dhe kryebashkiakun e Partisë Socialiste. Prandaj policët nuk guxuan të hynin në treg për të vazhduar operacionin e ndjekjes. U tërhoqën, duke ditur se lidhjet e krimit ishin më të forta.
Lexo edhe: ‘Detyronin njerëzit të votonin, në Elbasan zgjedhjet i vëzhgoi Suel Çela!’
Lexo edhe: Dëshmia/ Kush e kërkoi dhe si dështoi atentati ndaj pronarit të shkollës Willson
Lexo edhe: Basha: Kam prova që Aqif Rakipi, Suel Çela, Rraja dhe Doshi punojnë për Berishën
Suel Çela në luftën e brendshme në PD
Lulzim Basha e denoncoi prej vitesh Suel Çelën se kishte punuar për socialistët me armë në dorë. Por në nëntor të vitit 2021, hodhi akuza për shërbimin që ai po i bënte Sali Berishës. Ishte koha kur Foltores i duheshin firmat e demokratëve për Kuvendin e 11 Dhjetorit.
“Kam thënë që kurrë nuk mund ta besoj. Suel Çelën e kam përmendur që nga 2015 deri te presionet para 25 prillit. Këta janë ushtarët e Edi Ramës. Janë autorë dhe ekzekutorë të masakrës zgjedhore. Kam thënë që është në nderin e Berishës të distancohet tani që faktet janë bërë publike. Që demokratët, që gjithë Elbasani e ka marrë vesh. Janë përfshirë në marrjen peng deri në krerët e grup seksioneve në kullën e tij te tregu” u shpreh Basha.
Këto akuza u mohuan nga Sali Berisha, i cili kujtoi denoncimet e panumërta që kishte bërë ndër vite nga profili i tij në Facebook për bandën e Elbasanit.
https://lapsi.al/2021/04/23/berisha-tregon-ku-fshihen-kelmend-xhaferri-dhe-suel-cela-pasi-u-plagosen-ne-elbasan/
Kush është Suel Çela
Marjus Lula, ndryshe Suel Çela është në kërkim për shkak të dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Çela e kishte paguar për të vrarë Elton Kilën një banor i Elbasanit, që dyshohet se është i lidhur me bandat rivale. Tjetër porosi e Çelës ishte vrasja e administratorit të një shkolle private në Tiranë, Lulzim Masha, i cili u plagos duke ecur në parkun e liqenit artificial.
Në vitin 2017, Suel Çela dhe dy miqtë e tij, Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri u akuzuan për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Ata u përplasën me policinë në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku policia nuk guxoi të hyjë./Lapsi.al