Pjerin Ndreu u kap në përgjimet e prokurorisë për fushatën e Dibrës disa vite më parë, kur urdhëroi kërcënimin e një drejtori shkolle. Nëse nuk deklaronte hapur votën për Partinë Socialiste, drejtori i shkollës të “gjente vrimë e të futej”. Ishte viti 2016. Kohë fushate në Dibër.
Në telefonatën e publikuar nga media gjermane Bild, Pjerin Ndreu urdhëroi shefin e arsimit “Bëji një telefon Reshat Elezit, këtij drejtorit të Reçit. T’i thotë shkollës të deklarojë votën hapur, se ato sms-të që çon poshtë e përpjetë nuk janë shumë të këndshme. Deklaroje votën hapur atje që e ke për PS-në, ndryshe ditën e hënë tregoja ku fluturon”.
Për të qenë më i qartë ia përsërit: “Tregoji se ku fluturon të hënën. Deklaroje votën për PS-në, aty. Të deklarojë votën hapur për PS-në, ndryshe të gjejë vrimë e të futet”
Siç u kuptua nga përgjimet e tjera, drejtori i shkollës u kërcënua me vendin e punës. Pas zgjedhjeve, u shkarkua nga detyra.
Kjo telefonatë e përgjuar është një nga audio-përgjimet e rralla të kërcënimit dhe shantazhit ndaj punonjësve të administratës shtetërore në fushatë. Komunikimi i përgjuar tregoi se urdhri për të kërcënuar administratën buron nga lart dhe qartësoi modelin e fushatës së Pjerin Ndreut në zgjedhje.
Këtë të enjte, teksa ishte në Lezhë për një takim elektoral, kryeministri Rama foli me tone justifikuese për Pjerin Ndreun.
“Ka dhe ky të metat e veta, si çdo njeri që vjen nga një karrierë e caktuar, ka të meta. Unë kam të metën time, që nuk rri dot pa pikturuar në zyrë. Ky ka të metën që nuk rri dot pa bërë drejtorin e policisë kur sheh ndonjë gjë që nuk shkon në rrugë. Ça t’i bësh? Është natyra e njeriut. E rëdësishme është që as unë me zhgarravinat e mia, as ky me atë sëmundjen profesionale të policit nuk i kemi sjellë dëm as këtij vendi, as kësaj pune” tha Rama.
Fushata sapo ka nisur, por lezhjanët e morën mesazhin. Nëse kandidati i socialistëve i kërcënon në këmbim të votës, duhet të durojnë. Është natyra e njeriut, tha Rama, ose ndryshe ta shohin si sëmundje profesionale të policit./Lapsi.al
https://lapsi.al/2019/06/17/ku-do-fluturonte-drejtori-pjerin-ndreu-justifikohet-pas-pergjimit-te-bild/