Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan, Gabriel Escobar ka folur sërish për shpalljen “Non Grata” të Sali Berishës. Në një intervistë për emisionin “Top Story” në TCH ai tha se nuk do të ndryshojë gjë edhe nëse Berisha fiton zgjedhjet.
“Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë. Pra ajo është e shkuara? Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara”, - tha Esobar.
Escobar ka mbrojtur ambasadoren Yuri Kim.
“Unë mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike, dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj, do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe më duhet të them se Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme” – tha ai.
Pjesë e vizitës së tij në Shqipëri ku takoi, Begajn, Ramën, Xhaçkën, Metën dhe Alibeajn kanë qenë zgjedhjet e 14 majit. Shqetësim për SHBA duket se është pastërtia e kandidatëve.
“Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person.
Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara” – tha Escobar.
I dërguari amerikan për Ballkanin nuk komentoi çështjen McGonigal që është në hetim në Shtetet e Bashkuara, por foli për paratë ruse.
“E vetmja gjë që është shumë e vërtetë është se Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën, jo vetëm këtu, por edhe në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Dhe ka njerëz që janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse në emër të çuarjes përpara të agjendës së Rusisë, e cila nuk është një agjendë pozitive për këtë pjesë të botës.
Unë do të thosha thjesht se ne duhet të vazhdojmë ta diskutojmë këtë dhe të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin se cilat janë pritshmëritë dhe të ndajmë informacione, kur e shohim, atë çka Rusia po bën në këtë pjesë të botës, sepse ajo (Rusia) nuk ndan të njëjtat synime si Shtetet e Bashkuara dhe Europa për Ballkanin Perëndimor.
Ne po përpiqemi të krijojmë përfshirje më të madhe. Ne po përpiqemi të krijojmë një rrugë që këto vende, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian. Rusia po bën pikërisht të kundërtën. Pra, ne jemi shumë skeptikë për çdo gjë që Rusia bën në sferën politike dhe ekonomike” – tha ai. ©LAPSI.al