Flash

Udhëtimi i Edi Ramës, nga Liri Begeja tek tallavaja

Lapsi.al 12 April 2023
Udhëtimi i Edi Ramës, nga Liri Begeja tek tallavaja

Nga Liri Begeja tek tallavaja, ky është degradimi, tashmë i pakthyeshëm, i shijeve dhe estetikës së Edi Ramës. Kënga e prezantuar nga kryeministri- artist për fushatën elektorale të këtyre zgjedhjeve lokale, si dhe sfondi alla leifen ku kuadro të lartë të partisë dhe pushtetit në rreth pozonin me lopata në duar, dëshmuan përfundisht se Edi Ramën e kanë braktisur edhe grimcat e fundit të kreativitetit që mund t’i kishin mbetur përpara se të zhytej në banalitetin e politikës, që qëllim të vetëm ka pushtetin dhe interesat që rrjedhin prej tij. Shenjat e shndërrimit të “artistit modern” në një menaxher të rëndomtë pushteti, kanë qenë të dukshme me kohë.

Kënga e fundit e fushatës dhe dekori i hapjes së saj, ishin thjeshtë çertifikimi i këtij degradimi. Nëse dikush ka menduar që Edi Rama një ditë do ta ngrinte politikën në një nivel cilësor, së paku estetik, sot është dëshmitar i adaptimit perfekt të tij me “kazanin e katundit tonë politik”. Ose të një lloj erjonvelizimi të tij. 

Në fushatën lokale të vitit 2003, regjisorja franceze me origjinë shqiptare, Liri Begeja, realizonte klipin e famshëm të West Side Family, me tekst dhe pjesmarrje të vetë Ramës, një novacion në të gjitha kuptimet në raport me fushatat skematike të kohës. Rama rikandidonte për mandatin e dytë në Tiranë dhe ishte ende larg dhjamosjes së trurit nga mbingopja e tryezës së pushtetit. Sot, ai duket se jo vetëm nuk ka nerva dhe fuqi të motivohet nga e bukura dhe kreativiteti, por nuk ka më as aftësi. Eshtë një sundimtar që vegjeton në terrenin e mediokritetit. Kënga moderne e para 20 viteve, ishte e destinuar të përfundonte në një tallava të llojit turbo- folk alla pozdrav.

Lexo me tej:

Absurdi i hapjes së fushatës së PS me dy opozitat 

Por nëse kjo është si të thuash qershia mbi tortën e mediokritetit, tretja e dimensionit estetik në politikën e Ramës daton që prej fundit të mandatit të tij të parë si kryeministër. Pasi mori dhe rikonfirmoi pushtetin, ai nuk pati më asnjë motivim tjetër për të modernizuar partinë e tij dhe poltikën në përgjithësi. Mjafton të shohësh besnikët që e rrethojnë, emrat që e përfaqësojnë (një pjesë me probleme edhe me ligjin) apo individët që përdor për të sigruar votat dhe pushtetin, për të kuptuar se cili është mjedisi ku ai mund të kultivojë shijet e tij prej artisti. Përveç disa batutave, si reminishencë e kohëve të lavdishme, mendja e tij nuk mund të prodhojë më asgjë befasuese në raport me shijen dhe estetikën. I ka mbetur të përdorë trupin, duke u tundur në ritmet vulgare, bashkë me grupin “na bashkoi tallavaja”.

Gjurmët e këtij shndërrimi nga droga e pushtetit janë të dukshme kudo. Jo vetëm në cilësinë e atyre që zgjidhen e drejtojnë, por kudo ku është vënë dorë në këto 10 vite. Arkitektët e njohur botërorë, dikur të dashuruar me kryebashkiakun, sot vënë duart në kokë kur shohin se si përçudnohen projektet e tyre të kullavë në Tiranë. Bregdeti i jugut është kthyer në një mishmash betoni ku asnjë ndërtesë nuk i ngjan tjetrës. Rilindja e famshme urbane ka përfunduar në kozmetikë që në pak vite i ka dalë boja krejt. Kryeqytetit nuk i ka mbetur thuajse asgjë nga identiteti i tij dhe periferia sa vjen e shëmtohet më shumë nga ndërtimet pa kriter dhe estetikë urbane.

Rama hap fushatën: Kemi fituar 7 palë zgjedhje, do fitojmë për herë të tetë 

Edi Rama sigurisht që është i vetëdijshëm për paaftësinë e tij për të rigjetur vullnetin dhe frymëzimin. Pesha e dhjamur e pushtetit ia frenon çdo lloj nisme për të krijuar e modernizuar vendin dhe politikën. Pas 25 viteve në pushtet, udhëtimi i Edi Ramës nisi dhe po vazhdon përsëri duke u marrë me Sali Berishën. Ai beson se do të mbetet një “risi” në politikë pa bërë asgjë, thjesht duke u krahasuar me kundërshtarin e tij. E përsa kohë beson se kjo i mjafton, truri do t’i prodhojë vetëm tallava, ashtu siç edhe po qeveris gjatë gjithë këtyre viteve. Ai nuk u bë dot kurrë artisti intelektual që do të reformonte politikën shqiptare, por modeli i intelektualit artist që paraziton sapo i ngjitet trupit të majmë të pushtetit.

©Lapsi.al

Të këshilluara

Sa djeni kishte Thaçi për krimet?

Një çerek shekulli më parë, në mes të luftës në Kosovë dhe pas saj, figura të larta ndërkombëtare goditën drejt derës së Hashim Thaçit, komandantit të Ushtrisë ...

14:06

Mali i zi, fundi apo fillimi i një epoke?

Me një popullsi prej pak më shumë se gjashtëqind mijë banorë, Mali i Zi luan një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrave në Ballkanin Perëndimor dhe është një f...

10:40

Revanshi i Serbisë

Një ditë pasi zgjedhjet presidenciale në Mal të zi, prodhuan një president të ri që i dha fund pushtetit 30 vjeçar të Milo Gjukanoviçit, shumë larg prej andej, ...

20:04

Karagjozë me vulë

Grupimi i vetëquajtur si PD zyrtare u soll në mënyrën më qesharake të mundshme me zgjedhjet e 14 majit. Ata nuk zgjodhën asnjërën prej rugëve që kishin në dorë....

18:44

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI