Kryetari i degës së PD në Vaun e Dejës, Benard Ndreca, deklaroi sot se eksplozivi që iu vendos makinës së tij dhe shpërtheu në momentin kur ai hpi në të, është sulm i pastër politik ndaj tij si kryetar i degës së PD. "Nuk i është vendosur mina, Benard Ndrecës, por i është vendosur mina kryetarit të PD, dega e Vaut të Dejës dhe kjo dihet hapur", deklaroi ai para mediave sot banesa e tij në fshatin Paçram ku ndodhi shpërthimi.
Lexo më tej: Pamje shokuese/ Shikoni momentin e atentatit ndaj kreut të PD të Vaut të Dejës
Bernard Ndreca tha: Ky është një incident i mirëorganizuar që më ka ndodhur mua dhe familjes sime. Unë jam Benard Gjon Ndreca, jam vendali këtu. Nuk kam asnjë lloj përplasjeje, as familja ime, as farefisi dhe askush. Ky incident e ka një emër, dihet që është emri politik. Mua më është bërë politike si kryetar i degës së PD. Çdo gjë është e pasqyruar me pamje filmike, pasi shtëpia është me kamera.
Lexo më tej: Del VIDEO e autorëve/ 6 minuta e 11 sekonda për të vendosur tritolin tek makina e kreut të PD
Benard Ndreca: Asnjë lloj kërcënimi, asnjë lloj përplasjeje, asgjë.
Pyetje: Ju thatë që ka kamera të vendosura në banesë. I keni parë paraprakisht kamerat me Policinë, a shihen personat duke lëvizur?
Benard Ndreca: Po, janë parë paraprakisht. Vijnë dy persona në orën 1:15 të natës. Rreth shtatë minuta, vendosin eksplozivin ose minat. Do të dalë Policia me deklaratë se çfarë është dhe në moment largohen. Në orën 1:15 mn të natës e japin kamerat. Dy persona të maskuar.
Pyetje: Ka pasur angazhim nga Policia gjatë ditës së sotme për të zbardhur këtë ngjarje dhe cila është thirrja juaj për organet e drejtësisë?
Benard Ndreca: Ashtu siç është. Thirrja është, duke filluar që nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm, që nga Drejtori i Përgjithshëm, të distancojnë - të distancojnë Policinë nga politika, sepse në zonën e Vaut të Dejës dihet se gjithmonë përzihet policia me politikën! Distanconi policinë nga politika! Lërini njerëzit të votojnë të lirë, të votojnë vullnetin ku duan vetë! T’i lënë presionet! I bëj thirrje çdo lloj krahu politik t’i lënë presionet sepse vullneti i njerëzve dihet se ku shkon. Kurrë nuk mundet me e mbajtë një bashki apo një institucion, as me presione dhe me asgjë tjetër!