Një debat idesh, nga ato me të cilët rrallë ndeshesh në hapsirën mediatike shqiptare, po zhvillohet rreth dy tezave: A duhet imagjinuar një front i përbashkët anti regjim, apo është mëkat të bësh kauzë të përbashkët me dyshen Berisha Meta?
Të parën e mbron intelektuali dhe publicisti Fatos Lubonja, të dytën studiuesi i angazhuar, Blendi Kajsiu.
Në mes të kësaj jave Lubonja botoi një artikull reference ku ai spjegonte se përse ka ndryshuar mendim nga një militant anti-sitem, në një kundërshtar të vendosur të regjimit Rama. Duke iu referuar kohës kur ai denonconte tre bandat (PS, PD, LSI) dhe përkrahte ata që ishin njëlloj kundër të trejave, ai argumenton se koha dhe rrethanat kanë ndryshuar dhe se kemi hyrë në një fazë, kur banda më e madhe, ajo e Ramës, po tenton ti eleminojë dy të tjerat, përmes shkallmimit të rregullave dhe lojës demokratike. “Situata e krijuar që kur ka nisur ky grusht gradual shteti nuk është më ajo e vitve 2015-2017, kur e mendonim rotacionin si diçka të garantuar dhe synonim që ky të sillte në pushtet forca të reja. Sot jemi në një regjim që po punon në mënyrë gjithnjë e më agresive për eliminimin e kundërshtarëve sa duke ndryshuar ligje aq dhe duke shkelur i pacënuar nga drejtësia që ka kapur ligjet që kanë mbetur ende pa ndryshuar. Prandaj të jesh antiregjim sot nuk është e njëjta gjë me të qënit antisistem dje” shkruan ai në artikullin e titulluar: “Të baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës”.
Lexo më tej shkrimin e plotë të Lubonjes:
Të baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës
Nisur nga shtjellimi i gjatë që i bën këtij argumenti, Lubonja mbërrin në përfundimin se kjo është arsyeja që nuk i jep më mbështetje atyre që i quan të ‘barazlarguar” edhe nga partia në pushtet edhe nga opozita.
Pikërisht ky qëndrim, për disa tejet radikal, e ka bërë Blendi Kajsiun ti kthehet me një replikë atij që e konsideron si intelektualin publik numër 1 të vendit, të cilit i çmon intelektin dhe karakterin. Në shkrimin “Mbi rrëzimin dhe legjitimin e “regjimit” Rama”, botuar në Lapsi.al, Kajsiu e akuzon Lubonjën se me qëndrimin e tij jo vetëm ka shkuar personalisht tek dyshja Berisha Rama, porse bën mëkatin e madh, që i konsideron të gjithë ata që nuk ndjekin këtë rrugë si vegla të pushtetit. “…rrëzimi i regjimit Rama, sipas Lubonjës, nënkupton dy hapa. Së pari, denoncimin e qeverisjes Rama si diktaturë e tipit putinist. Së dyti, rrjeshtimi përkrah opozitës reale të Sali Berishs dhe Ilir Metës kundër regjimit Rama. Kushdo që nuk mendon se jetojmë në diktaturë apo mendon se Berisha dhe Meta nuk përbëjnë alternativë qeverisëse janë shërbëtorë, me apo pa vetëdije, të regjimit”, shkruan Kajsiu. Dhe mbi këtë lexim që i bën tezës së Lubonjës, ai ngre kritikën se argumentat e këtij të fundit nuk qëndrojnë, as politikisht dhe as intelektualisht. “Politikisht argumenti qëndror i Lubonjës e riprodhon pafund regjimin Rama sepse eleminon rigjenerimin e një opozite që do mund ta përmbyste atë. Nga pikpamja intelektuale argumenti nuk ka bazë pasi thotë se regjimi i Ramës, që mbahet me gjysmë të vërteta, përmbyset vetëm me gjysmë të vërtetat e opozitës Berisha-Meta” shkruan Kajsiu.
Në një pikë të kritikës së Kajsiut duket sikur diçka çalon. Ai, për ti krijuar vetes avantazh në polemikë thotë me një të rënë të lapsit: “le ta pranojmë që Rama ka ngritur një regjim”. Në të vërtetë ai ka qëndrime publike se ky i rilindjes nuk është një sistem i ngjashëm me atë të Putinit, Erdoganit apo Orbanit, por shumë më i ‘butë’ se ato. Por fakti se në replikën me Lubonjën e anashkalon shpejt e shpejt këtë konstatim, i jep mundësinë që të hidhet tek denoncimi i dyshes Berisha-Meta si një obsion i pa shpresë. Pra ai anashkalon peshën e kritikës ndaj regjimit për të kapërcyer menjëherë tek kritika ndaj opozitës. Kjo opozitë që, si qëllim ka mbijetesën dhe jo fitoren e pushtetit “nuk ka, dhe nuk mund të ketë, një strategji afatgjatë për rrëzimin e regjimit Rama, sepse nuk ka të ardhme politike. Ndaj nuk është rastësi që aksioni i saj politik është gjithmonë urgjent dhe i përqendruar tek e tashmja dhe jo e ardhmja” shkruan ai.
Po mirë, kësaj opozite që ka mbi vete këto mëkate dhe ndoshta shumë më tepër se ato që i përmend Kajsiu, sado e keqe që të jetë, a i duhen shkelur të drejtat? Kur qenka kaq e dobët dhe e paaftë për të fituar përse Rama i vjedh vulën, përfaqësimin, fondet e fushatës, kohën mediatike? Pse ndryshon kushtetutën për ta mbajtur të përçarë? Pse përdor administratën për të blerë zgjedhjet? Pse i duhet të nxjerrë kryepolicin e Shqipërisë dhe më pas prokurorin e graduar në SPAK, që të gënjejnë publikisht se PS nuk po jepte para në zgjedhje në këmbim të rrëmbimit të kartave të identitetit?
Replikë me Lubonjën: Mbi rrëzimin dhe legjitimin e “regjimit” Rama
Pra, njëra hipotezë është se regjimi detyrohet të zhytet në krime pasi nuk është aq i sigurtë sa Kajsiu për dobsinë e opozitës. Ndërsa tjetra, më e rëndësishme, është se një intelektual i ndershëm apo mendimtar i lirë duhet të angazhohet edhe për mos shkeljen e të drejtave të atij për të cilin ai nuk ka as respekt, as pritshmëri, madje madje, edhe për ato të atij, ndaj bëmave dhe ideve të të cilit ka bërë betejë gjithë jetën.
Problemi qëndror në Shqipëri nuk është nëse kemi apo jo një opozitë të aftë për të përmbysur regjimin, por nëse duhet ta pranojmë persekutimin e një të tille, qoftë edhe nëse ajo qenkësh e keqe, apo e pamoralshme. Kajsiu e ngre arsyetimin e tij mbi premisën se një “opozite të rigjeneruar”, nuk i vidhen votat, nuk i ndryshohen dot regullat e lojës, nuk i mbyllet aksesi mediatik, nuk i kundërvihen policia e regjimit dhe drejtësia. Por realiteti ka treguar të kundërtën ndaj atyre thërmijëzave opozitare që nuk i volisin regjimit. Dhe këtu Lubonja duket sikur ka të drejtë mbi Kajsiun kur ai e vë theksin tek të qenit jo antisistem, por anti regjim, sepse kur të gjitha valvulat e demokratike mbyllen, kjo nuk është e vlefshme vetëm kundër Berishës dhe Metës, por edhe kundër Endri Shbanit, Arlind Qorit, protestuesve te teatri, atyre për mbrojtjen e pronës, apo kundër shtrenjtimit të jetës. Pra edhe një opozitë e rigjeneruar do jetë e dënuar të dështojë aty ku ka mungesë lirie.
Andi Bushati: Një replikë me Blendi Kajsiun për regjimin e Ramës
Por, nëse Lubonja është më bindës në pretendimin se pa një përbashkim kundër të keqes nuk do të mund të lindë asgjë e re, ai duket se shkon në ekstrem kur pretendon se ata që nuk tubohen të gjithë në të njëjtin front i shërbejnë autokratit. “…të barazlarguarit po punojnë për shkatërrimin e çdo bashkimi nëpërmjet ç’orientimit, ndarjes, përçarjes të njerëzve në sa më shumë pjesë. E gjitha kjo shkon në favor të parimit përça dhe sundo që përdor Rama” shkruan ai. Po a ka kuptim, a mund të pretendohet që pavarësisht nga bindjet, idetë, qëndrimet e mëparshme, të gjithë të futen në të njëjtën çadër me Berishën dhe Metën, në një kohë që kuptohet se nën hijen e tyre çdo lloj opozitari do e kishte të vështirë të krijonte identitetin e tij? Kjo dilemë e ka shtyrë Blendi Kajsiun të mbërrijë në një përfundim që Lubonja nuk e ka thënë fjalë për fjalë, pra në atë se ky i fundit i bën të gjithëve thirrje të mblidhen përreth Saliut dhe Ilirit, ose përndryshe janë të shitur. Ashpërsia e Lubonjës ndaj çdo zëri të ndryshëm i jep të drejtë premisës që ngre Kajsiu.
Ndonëse zgjidhja mund të qe edhe diku midis. Pra që të gjithë të krijonin një bllok, për denoncimin e regjimit duke ruajtur gjithashtu lirinë e domosdoshme për të mbrojtur, veç e veç, identitetet e tyre të ndryshme, kur vjen puna se si luftohet apo krijohet alternativa ndaj tij.
©Lapsi.al