Në shkrimin e tij të fundit “Të Baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës” intelektuali Fatos Lubonja justifikonte rrjeshtimin e tij në kampin Berisha-Meta si pasojë e degjenerimit të demokracisë shqiptare në një diktaturë të tipit Putin, nën qeverisjen e Edi Ramës. Sipas kësaj llogjike të gjithë ata që nuk rrjeshtohen me Berishën kundër Ramës legjitimojnë këtë të fundit dhe përjetësojnë regjimin Rama.
Pra rrëzimi i regjimit Rama, sipas Lubonjës, nënkupton dy hapa. Së pari, denoncimin e qeverisjes Rama si diktaturë e tipit putinist. Së dyti, rrjeshtimi përkrah opozitës reale të Sali Berishs dhe Ilir Metës kundër regjimit Rama. Kushdo që nuk mendon se jetojmë në diktaturë apo mendon se Berisha dhe Meta nuk përbëjnë alternativë qeverisëse janë shërbëtorë, me apo pa vetëdije, të regjimit Rama. Kemi të bëjmë me një argument që nuk qëndron as në aspektin politik dhe as në atë intelektual. Politikisht argumenti qëndror i Lubonjës e riprodhon pafund regjimin Rama sepse eleminon rigjenerimin e një opozitë që do mund ta përmbyste atë. Nga pikpamja intelektuale argumenti nuk ka bazë sepse thotë se regjimi i Ramës, që mbahet me gjysmë të vërteta, përmbyset vetëm me gjysmë të vërtetat e opozitës Berisha-Meta. Le ti shtjellojmë me rradhë këto dy argumente. Lexo më tej shkrimin e plotë të Lubonjes:Të baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës;
Le të pranojmë se në Shqipëri ekziton një regjim politik si në Rusinë Putinit, në Izraelin e Netanjahut, Turqinë e Erdoganit apo në Hungarinë e Orban-it, sikurse argumenton Lubonja. Nëse pranojmë këtë premisë atëherë duhet të pranojmë se regjimi ka rrënjë të thella sikurse ndodh me putinizmin në Rusi, me orbanizmin në Hungari dhe erdoganizmin në Turqi. Sikurse argumenton vetë Lubonja, regjimi ka kapur mediat, gjygjësorin, biznesin, shoqërinë civile dhe faktorin ndërkombëtar. Pa përmendur faktin që ka edhe mbështetje të konsiderueshme në popull (si pasojë e kontrollit të mediave, klientelizmit, etj.). Nga premisa e mësipërme rrjedhin dy konkluzione llogjike. Së pari, regjimi nuk rrëzohet brenda ditës, javës muajit apo vitit, me një apo dy protesta madhore, sic premton përditë opozita Berisha-Meta. Ai rrëzohet vetëm nëpërmjet një strategjie politike afatgjatë që gërryen legjitimitetin dhe themelet e tij në mënyrë graduale në kohë. Së dyti, rrëzimi i një regjimi me rrënjë kaq të thella kërkon një opozitë jo thjesht të rinovuar por me moralitet dhe popullaritet të lartë. Përndryshe opozita do shërbejë thjesht për të legjitimuar regjimin. Asnjëra nga rrjedhojat e premisës së regjimit Rama nuk justifikon rrjeshtimin me opozitën Berisha-Meta. Së pari, kjo opozitë nuk ka, dhe nuk mund të ketë, një strategji afatgjatë për rrëzimin e regjimit Rama sepse nuk ka të ardhme politike. Ndaj nuk është rastësi që aksioni i saj politik është gjithmonë urgjent dhe i përqendruar tek e tashmja dhe jo e ardhmja.Berisha dhe Meta kanë kohë që premtojnë se sot, nesër, pas një jave, apo një muaji, do i vijë fundi regjimit Rama. Ama as njëri dhe as tjetri nuk kanë një strategji afatgjatë se si do konkurojnë në zgjedhjet e vitit 2025. Kjo u pa edhe tek improvizimi për pjesmarrjen në zgjedhjet lokale. Strategjia e opozitës Berisha-Meta është mbijetesa dhe jo ardhja në pushtet nesër.