Flash

FMN arrin marrëveshje me Ukrainën për programin prej 15.6 miliardë dollarë

Lapsi.al 22 March 2023
FMN arrin marrëveshje me Ukrainën për programin prej 15.6

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se ka arritur marrëveshje me Ukrainën për financimin katërvjeçar të një pakete në vlerë prej 15.6 miliardë dollarë, duke i ofruar fonde shtetit që po vazhdon të mbrohet nga pushtimi i Ruisë. Marrëveshja, e cila duhet të ratifikohet nga bordi i FMN-së, ka marrë në konsideratë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian pasi të përfundojë lufta. FMN-ja tha se bordi ekzekutiv pritet të miratojë këtë marrëveshje në javët në vijim.

“Qëllimet kryesore të programit janë të mbështesin stabilitetin ekonomik dhe financiar në rrethana të pasigurisë jashtëzakonisht të lartë, të rivendosin qëndrueshmërinë e borxhit dhe të mbështesin rimëkëmbjen e Ukrainës në rrugën drejt pranimit në BE pas mbarimit të luftës”, tha zyrtari i FMN-së, Gavin Grey, përmes një deklarate për media.

Stafi i FMN-së ka njoftuar anëtarët e bordit për marrëveshjen, që paraqet pakon e kredisë më të madhe për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e këtij shteti më 24 shkurt 2022.

FMN-ja tha se marrëveshja pritet të ndihmojë në një financim të madh për Ukrainën nga donatorët ndërkombëtarë dhe partnerët, por nuk dha detaje. Zakonisht, kreditë e FMN-së mundësojnë mbështetje edhe nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare.

Sipas përllogaritjeve, kostoja e rindërtimit të Ukrainës vlerësohet të jetë qindra miliarda dollarë.

“Një rimëkëmbje graduale ekonomike pritet gjatë tremujorëve të ardhshëm, pasi aktiviteti rimëkëmbet nga dëmet e mëdha në infrastrukturën kritike, megjithëse ka ende rreziqe të mëdha, përfshirë edhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të konfliktit”, tha Grey.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, mirëpriti marrëveshjen dhe falënderoi FMN-në për mbështetjen.

Nëse miratohet kjo marrëveshje, ashtu siç pritet të ndodhë, programi për Ukrainën do të jetë kredia më e madhe që FMN-ja i ka dhënë një shteti të përfshirë në konflikt aktiv./ REL

Të këshilluara

ide

Blendi Kajsiu: Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.98

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI