Flash

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: S’mund të barazohet fjala komunitet me Asociacion

Lapsi.al 22 March 2023
Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: S’mund të barazohet fjala komunitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, flitet për arritjen e një niveli “adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” e jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti u përgjigj kështu për gazetarët kur u pyet të komentonte deklaratën e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 21 mars, tha se neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit, nuk përfshin zotime të reja për Kosovën, por nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk mund të barazohet fjala komunitet me komunë, e as me fjalën Asociacion, ashtu siç nuk mund të barazohet fjala popull me fjalën Republikë”, tha Kurti pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Në nenin 7 të marrëveshjes, kërkohet të sigurohet “një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Pavarësisht se ky formulim duket se është referencë për Asociacionin, në tekstin e marrëveshjes nuk përmende Asociacioni në mënyrë eksplicite.

“Në pikën 7 të Marrëveshjes Bazë thuhet një ‘nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb’. Thuhet komunitetit serb, e jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative, por nuk është e njëjta gjë. Unë e kuptoj që s’janë krejtësisht të ndryshme, të pa lidhura, por nuk janë e njëjta gjë”, tha Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha më 21 mars se Beogradi nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që thonë se nuk do të pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, Kurti tha se BE-ja “duhet të dëshmohet tani” që marrëveshja të respektohet.

“Ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje më 18 mars dhe që të dyja janë marrëveshje. BE-ja po thotë që është marrëveshje, në anën tjetër keni deklarata të palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk do të mund të merremi me këtë, andaj ekziston ndërmjetësuesi. Tash, BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në terren. Nuk ka kuptim që marrëveshjet të ngelen tekst në letër, pa ndryshuar realitetin e qytetarëve. Është ndërmjetësi ai që imponon zbatimin ose konstaton moszbatim, shkelje apo sanksione përkatëse. Është ndërmjetësi ai që e ka fjalën tash për çfarëdo devijimi, deformimi apo shkeljeje”, tha Kurti.

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./REL/

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI