Një tender me vlerë rreth 2.8 milion euro për ujësjellësin e lagjes së vjetër të Bulqizës është shkaku i valës së arrestimeve në Bashkinë e Bulqizës, mes të cilëve kryetari, Lefter Alla dhe vartësit e tij që morën pjesë në manipulimin e procedurave.
Alla, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste për Bulqizën u arrestua bashkë me shtatë zyrtarë të tjerë, mes të cilëve nënkryetarja e Bashkisë së Bulqizës, Enkeleda Lleshi dhe punonjësit Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja dhe Aqif Konesha.
Sipas njoftimit të SPAK, drejtuesit e Bashkisë së Bulqizës ndërhynë që tenderi me vlerë 322 milion lekë të fitohej nga dy kompanitë Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet u kryen realisht nga një kompani e tretë, OE 2AF Albania shpk.
Kompania që kreu punimet sipas prokurorëve ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë, Lefter Allën.
“Nga hetimi ka rezultuar se për shtetasin nën hetim L. A. me detyrë Kryetar Bashkie me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit Njësinë vendore Bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me proçedurë të hapur në datë 30.04.2021, operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, me afat kohor 10 mujor,” bëhet e ditur nga njoftimi i SPAK.
Lefter Alla dhe të tjerët u arrestua mbrëmjen e kaluar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me akuzën e falsifikimit të dokumentave. Qëllimi i tenderit ishte rinovimi i rrjetit të ujësjellësit në lagjen e vjetër të Bulqizës.
“Ky shtetas nën hetim në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë,” thuhet në njoftim.
Dy biznesmenët e kompanive që dolën fituese në tender janë lënë në arrest shtëpie.
Lefter Alla është edhe kryetar i Partisë Socialiste në Bulqizë. Ai ka qenë i hetuar më parë nga SPAK pas një video ku dukej duke konsumuar kokainë. Atëherë, Lefter Alla nuk pranoi se ishte ai personi që dukej në video dhe i shpëtoi dënimit.
Alla është kryebashkiaku i dytë që goditet nga SPAK pas atij të Lushnjës, Fatos Tushe që u arrestua për korrupsion./Lapsi.al