Flash

Ligji i ri/ Britania u mbyll derën shqiptarëve që shkojnë me gomone

Lapsi.al 7 March 2023
Ligji i ri/ Britania u mbyll derën shqiptarëve që shkojnë me

Kryeministri britanik Rishi Sunak u zotua këtë të martë se vendi i tij “do të marrë përsëri kontrollin” e kufijve të tij. Ai tha se do të ndalonte fluksin e emigrantëve që hynin në vend me gomone të vogla nga përtej Kanalit të La Manshit. 

Ai zbuloi detaje për projektligjin e ri që ka nisur të diskutohet në parlament që pengon emigrantët të ndërmarrin rrugëtimin e rrezikshëm. Drafti parashikon refuzim të kërkesës për azil për çdo emigrant që hyn në vend në mënyrë të paligjshme. Ata nuk do të lejohen të ndjekin çështjen në rrugë gjyqësore dhe do të marrin përgjigjen për të paktën 28 ditë.

Vetëm fëmijët dhe të sëmurët rëndë do të lejohen të qëndrojnë në Britani derisa rasti i tyre të shqyrtohet. Qeveria ka vendosur që ligji të hyjë menjëherë në fuqi edhe pse ai mund të kërkojë të paktën një muaj nga miratimi në parlament. Kryeministri britanik ishte i drejtpërdrejtë edhe me emigrantët që mbërrijnë atje me gomone nga vende të konsideruara “të sigurta” si Shqipëria. Ai tha se ligji do të jetë një goditje për trafikantët e qenieve njerëzore.

“Unë e kuptoj se do të ketë debat për ashpërsinë e këtyre masave. E vetmja gjë që mund të them është se e kemi provuar në çdo mënyrë tjetër dhe nuk ka funksionuar. Është ky vend dhe qeveria që duhet të vendosë se kush do të vijë këtu. Jo bandat kriminale” - tha Sunak.

I pyetur për mundësinë e përballjes ligjore me shoqatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe avokatët e të drejtave të njeriut ai u përgjigj shkurt: "Unë jam gati për luftë". Projektligji i jep Parlamentit fuqinë për të vendosur një kufi vjetor për numrin e refugjatëve që do të pranohen në vend.

Më herët Shqipëria u përmend edhe nga sekretarja e brendshme, Suella Braverman që këmbënguli se nuk do të ketë më tolerim për emigrantë që vijnë nga vende “të sigurta” nëpërmjet me gomone kanalit me Francën. Ajo ironizoi se emigrantët janë “mjaft të pasur” për t'u paguar trafikantëve shuma të mëdha dhe më pas të përpiqen për të mashtruar sistemin.

“Përmes këtij plani synohet që e gjithë bota ta marrë vesh se në Britaninë e Madhe nuk hyhet ilegalisht, pasi në të kundërt, burgosesh dhe dëbohesh. Vitin e kaluar, për 17 mijë referime u deshën mesatarisht 543 ditë për t’u marrë në konsideratë. Ligjet aktuale të skllavërisë moderne po keqpërdoren për të bllokuar largimet, prandaj ne pranuam më shumë se 50% të kërkesave për azil nga qytetarët e një vendi “të sigurt” evropian dhe aleat të NATO-s, Shqipërisë” – tha Braverman.

Ajo tha se nevoja për këtë reformë ishte “e qartë dhe urgjente” pasi 45 mijë njerëz bënë kalimin e rrezikshëm të Kanalit vitin e kaluar. Braverman tha se sistemi i azilit është “mbytur” nga “vala e emigrantëve të paligjshëm që shkelin kufirin”. Për ta bërë situatën sa më dramatike ajo tha se mund të jenë 100 milionë njerëz që mund të kenë të drejtën e azilit sipas rregullave aktuale. “Ata po vijnë këtu” – tha ajo me ton gjatë fjalimit në Parlamentin britanik.

“Për këdo që propozon “kufij të hapur” përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore të pakufizuara si alternativë, le të jemi të sinqertë, ka 100 milionë njerëz në mbarë botën që mund të kualifikohen për mbrojtje sipas ligjeve tona aktuale. Të jemi të qartë. Ata po vijnë këtu. Ne kemi parë një rritje prej 500% tek kalimi i varkave të vogla në dy vitet e fundit” – tha ministrja. 

Ajo u vu në qendër të akuzave nga qeveria shqiptare dhe vetë kryeministri Rama pak kohë më parë që e konsiderun të tepëruar frazën e saj "pushtim nga shqiptarët".

“Kjo është pika kyçe e këtij projektligji. Ata nuk do të ndalojnë së ardhuri këtu, por bota duhet ta dijë se nëse hyn ilegalisht në Britani do të ndalohesh dhe do të largohesh me shpejtësi. Do të largoheni në vendin tuaj nëse është “i sigurt” ose në një vend të tretë të sigurt si Ruanda. Dhe kjo është pikërisht ajo që do të bëjë ky projektligj. Kështu do t'i ndalim varkat” – e mbylli ministrja.

Daily Mail publikoi shifrat e Zyrës së Brendshme që tregojnë se numri i azilkërkuesve që presin një përgjigje për qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 160 mijë persona. Pothuajse 75 mijë aplikime u bënë vetëm vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë në 20 vjet.

Sipas të njëjtave burime, shqiptarët janë kombësia më e zakonshme që ka aplikuar për azil në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar me 14 223 aplikime gjithsej. Nga këta 9 573 kanë mbërritur me gomone pasi kaluan Kanalin. ©LAPSI.al

Të këshilluara

Aksident në Vlorë, plagoset 44 vjeçari

Një aksident është shënuar mbrëmjen e sotme në Vlorë ku për pasojë ka mbetur i plagosur një person. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, ku një makinë ...

17:45

Dibër, djali plagos nënën me armë

Një ngjarje aksidentale sipas policisë, ka ndodhur pasditen e sotme në Selishtë të Dibrës, ku një djalë 15 vjeç ka plagosur me kallashnikov nënën e tij. Policia...

19:14

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI