Në rrjetet sociale ukrainase janë publikuar pamjet e rënda të ekzekutimit të një ushtari të kapur rob nga forcat ruse. Atij i kanë dhënë një cigare të fundit teksa qëndron pranë një grope të hapur varri në dukje të cekët. Më pas ai është ekzekutuar.
Videoja rrëqethëse është përshkruar nga Kievi si një “krim i tmerrshëm lufte”. Në pamjet e rënda duket një burrë i cili teksa pi cigaren thotë: "Lavdi Ukrainës". Në sfond dëgjohen disa zëra që e përqeshin. Më pas ai qëllohet për vdekje me armë automatike në atë që disa politikanë ukrainas kanë thënë se është “provë e gjenocidit”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dimitri Kuleba i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë pamjet që qarkullojnë në mediat sociale. Sipas tij ato tregojnë se forcat ruse vrasin një të rob lufte ukrainas. “Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, - shtoi Kuleba.
"Daily Mail" shkruan se ende nuk është e mundur që pamjet të verifikohen në mënyrë të pavarur se ku dhe kur u filmuan ose nëse tregonin vërtet ekzekutimin e një të burgosuri lufte. Moska dhe Kievi kanë akuzuar shpesh njëra – tjetrën për vrasjen e të burgosurve.
Grupi mercenar Wagner që drejton sulmin rus ndaj Bakhmutit në Ukrainën lindore përbëhet kryesisht nga persona të rekrutuar nga burgjet. Gjatë konfliktit, ushtarët rusë janë akuzuar për vrasje, torturim dhe rrëmbim të ukrainasve. Duke folur në nëntor të vitit të kaluar, një zyrtar i lartë amerikan tha se modeli që ata po ndjekin mund të përfshijë edhe zyrtarë të lartë në krime lufte. ©LAPSI.al


