Edi Rama bëri nga Podgorica një deklaratë shokuese: “Superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që zihen”, ndërsa Kosova dhe Serbia bëheshin gati të negocionin planin franko gjerman në Bruksel. Por ai i shtoi shkarjet, kunjat, cinizmin dhe ironinë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha po, pa u kapur për veshi, propozimit të perendimorëve.
Lexo me tej:
S’ka marrëveshje në Bruksel/ Çështja që ndau Kurtin dhe Vuçiç
Në gjoja urimin e tij Edi Rama tha se shpresonte që Kurtin mos e konsideronin si tradhëtar pas kësaj marrëveshjeje. "Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë"!-shkruajti ai në Twitter.

Po përse Lapsi.al po e konsideron si të lig dhe me prapamendim atë që në pamje të parë duket si një urim mirëdashës i shefit të qeverisë shqiptare?
Çelësi i interpretimit gjendet në dy fjalë, krejt të pavenda dhe të panevojshme kur do të urosh dikë. Ato janë "tradhëti" dhe "harresë", që janë vendosur enkas në një sfond të caktuar. Kush e ka ndjekur me vëmendje debatin që është zhvilluar në arenën e politikës kosovare rreth kësaj nisme evropiane e di mirë se Albin Kurtin e kanë akuzuar, se në kuadër të saj ai do të tradhëtonte veten, elektoratin dhe të shkuarën e vet, duke pranuar themelimin e asocacionit të komunave serbe kundër të cilit Vetëvendosja në opozitë kishte bërë beteja dhe pati flijuar dëshmorë. Edhe pas pranimit të planit franko gjerman debati që ka shpërthyer është ky: a tradhëtoi Albini duke pranuar një republikë të dytë serbska në Kosovë, apo ai i rezistoi trysnisë së serbëve të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët.
Andi Bushati: Kush fitoi dhe kush humbi në Bruksel?
Me këtë status Edi Rama reshtohet me ata që Albinin e kanë quajtur tradhëtar duke pretenduar se ai e ka pranuar asocacionin, gjë që vetë i zoti i punës e ka mohuar kategorikisht. Pra një urim për një marrëveshje që ka të bëjë me politikën e jashtme, ai e shfrytëzon si diversion në skenën e brendëshme. Madje, duke bërë këtë, nuk përdor as standartin që kishte adoptuar për ish mikun e tij të burgosur Hashim Thaçi kur thoshte: "Kush i thotë Thaçit tradhëtar është gomar". Në këtë rast fraza nuk është mbyllëse por hapëse e një polemike: "Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti...".
Natyrisht, kur Rama i dilte në krah ish presidentit të Kosovës, ata së bashku me Vuçiçin ishin të përfshirë në planin ogurëzi të ndryshimit të kufijve që e coptonte Kosovën. Një nga arsyet që ai ndoshta nuk ndihet mirë është edhe fakti se në planin franko gjerman kjo ide është varrosur me njohjen e sovranitetit dhe integritetit teritorial nga Serbia.
Zyrtare/ BE publikon të plotë planin franko – gjerman për Kosovën dhe Serbinë
Një arsye tjetër mund të ketë qenë edhe fakti se duke e konsideruar si aleat të Vuçiçit dhe pa ndikim mbi qeverinë e Prishtinës, perendimorët nuk e kanë involvuar fare kryeministrin e Shqipërisë në këtë projekt. Ai edhe me draftin konfidencial të marëveshjes është njohur shumë vonë. Ndryshe nga kohë më parë, kur kancelaritë perendimore bashkëpunonin me Ramën, si për marëveshjen për asocacionin në 2015, si për gjykatën speciale, madje edhe për marëveshjen e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, këtë herë, falë zgjedhjeve dhe aleancave që ka bërë ai e ka parë veten jashtë. Por kjo gjithësesi nuk mund të përbëjë një arsye për të goditur kryeministrin e Kosovës, duke bërë sikur e uron. ©Lapsi.al