Flash

1990/ Fjalimi i rrallë i Ibrahim Rugovës për Adem Demaçin

Lapsi.al 28 February 2023
1990/ Fjalimi i rrallë i Ibrahim Rugovës për Adem Demaçin

Profesori Milazim Krasniqi, ka shpërndarë një fjalim të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova për veprimtarin Adem Demaçi, gjatë viteve të 90.

Sipas Krasniqit, në maj të atij viti, në një atmosferë të përzemërt, ishte ftuar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës Adem Demaçi, njëri nga ata që krijoi bërthamën e saj dhe njëri nga pionierët e letërsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në këtë pritje të shkrimtarit, fjalën e rastit e mbajti Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve. Rugova, nisi fjalimin duke lavdëruar romanin e Demaçit të titulluar “Gjarprinjtë e gjakut”.

Më pas, ish-presdienti kishte folur për burgimin e Demaçit nga regjimi jugosllav, duke e quajtur “qëndresë njerëzore dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore”.

Fjalimi i Rugovës

I dashuri dhe i nderuari Adem Demaçi, ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Më lejoni që këtë fjalë rasti ta filloj me moton e romanit tuaj të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, njërit nga romanet më të njohura shqiptare: ”Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, po atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.

Po e filloj me këtë moto, sepse është një formulë universale, e dalë nga shpirti i shkrimtarit, për paqe e mirëkuptim midis njerëzve. Pra, Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, sepse shkrimtari deshi me veprën e tij të heq e të zhdukë një të keqe të popullit të tij – gjakmarrjen. Po ashtu, vizionin e ndritur të romanit po e përjetojmë sot, kur, si në antikën greke dhe ilire, shqiptarët po i falin gjaqet, po i shuajnë gjarpinjtë e gjakut dhe po bëhen pajtimet.

Sot, thuaja të gjithë, jemi bërë personazhe të mesazhit të romanit tuaj – të pajtimit dhe të harmonisë. Kjo ngjet vetëm te popujt e moçëm, që dinë të falin, që dinë të mos harrojnë, e po ashtu, që nuk dinë të hakmerren. Sot në këtë ditë gëzimi për gjithë shkrimtarët shqiptarë, nuk do të flas për burgjet tuaja 30-vjeçare. Të gjithë këtë po e quaj qëndresë njerëzore dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore.

Fati juaj është fati i një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë dhe i letërsisë shqiptare. Ju nuk pësuat vetëm për bindjet politike, që bolshevizmi i shpalli armiqësore, po edhe pse ishit ndër të parët dhe më të rinjtë që shkruanin në shqipe, pse ishit shkrimtar i mirë dhe me aftësi të rrallë letrare dhe me bindje të thella humaniste për popullin Tuaj dhe për të tjerët. Pushteti totalitar gjithmonë u frikësohet shkrimtarëve të mirë dhe të aftë.

Më lejoni, i nderuari Adem, ta mbyll këtë fjalë me dëshirën tonë të madhe që t’ju mbajë shëndeti dhe të na dhuroni edhe ndonjë kryevepër, sepse ende jeni në moshën e burrërisë, ende jeni me Diellin, siç i klasifikonte moshat shkrimtari ynë i vjetër Pjetër Bogdani.

Ju faleminderit që gjetët kohë të jeni me ne – me trup e me shpirt, sepse me shpirt dhe me vepër gjithmonë keni qenë me ne. (“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

Nga libri i Ibrahim Rugoves “Pavarësia dhe demokracia”, 1991, përgatitur nga Faruk Tasholli.

Të këshilluara

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI