Si të mos mjaftonin shkeljet ligjore, ryshfetet për qeveritarët dhe 60 milion euro nga kontratat e majme, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja kanë marrë me vetë në Austri edhe paratë e dy kredive, për të cilat kanë lënë peng inceneratorët.
Skandali është zbuluar nga emisioni Kronos në MCN, sipas të cilit llogaritë e inceneratorëve sot janë të bllokuara nga banka Credins, sepse kompanitë e inceneratorëve të Fierit dhe të Elbasanit nuk kanë shlyer këstet,
"Fieri për shkak të një overdrafti, ndërsa kontrata e Elbasanit është lënë peng për një kredi me vlerë 4.7 milion USD" raporton Kronos.
Dokumentat e siguruara nga Kronos zbulojnë se 4.7 milion dollarë u morën kredi në muajin Prill të vitit 2021.
Integrated Technology Services në pronësi të Klodian Zotos ka lënë peng kontratën koncesionare, që shteti kishte lidhur për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit me firmën “Albtek Energy”.
Një vit më pas, SPAK sekuestroi inceneratorët. Stela Gugallja dhe Klodian Zoto u arratisën dhe këstet e kredisë mbetën pa u paguar. Sot, llogaritë e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit janë të bllokuara nga banka Credins.
https://lapsi.al/2018/02/12/gjiknuri-klodian-zotos-ia-dha-inceneratoret-ministri-i-lsi-se/
Për pasojë kanë nisur përplasjet mes bankës Credins dhe Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Këto fakte thellojnë akoma më shumë aferën e inceneratorëve që i ka kushtuar shtetit miliona dollarë dhe për të cilin janë arrestuar ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish deputeti i PS, Alqi Bllako dhe dhjetëra zyrtarë shtetërorë.
Pronarët e kompanive Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja ende vazhdojnë të paguhen, pasi kryeministri Rama thotë se nëse shteti nuk do të paguante, kjo do të ishte shkelje e kontratës.
Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit kanë kushtuar rreth 60 milionë euro, por i pari është në remont dhe i dyti nuk është vënë ende asnjë ditë në punë.
SPAK i akuzon se i dhanë ryfshfet Lefter Kokës për të marrë koncensionin e inceneratorit. Inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Pasi janë faturuar punimet në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milion euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij./Lapsi.al
https://lapsi.al/2018/05/25/inceneratoret-rama-shperthen-kunder-zerit-te-amerikes-krijon-panik-me-qellim-ben-propagande-armiqesore/