Flash

Komisionerja Publike ankimon në Kolegj konfirmimin e Arbër Çelës

Lapsi.al 21 February 2023
Komisionerja Publike ankimon në Kolegj konfirmimin e Arbër

Komisionerja Publike Irena Nino ankimoi të martën më 21 shkurt 2023 vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Shkodrës, Arbër Çela. Nino kërkon shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Po ashtu, i kërkon Kolegjit që të shqyrtojë gjetjet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit dhe të vlerësojë nëse ka cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Çela u konfirmua në 7 dhjetor nga një trupë e kryesuar nga nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa (Bungo), por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM e vlerësoi të gabuar vendimin e KPK-së duke arsyetuar se nuk janë vlerësuar si duhet problemet e gjetura në kriterin e pasurive, të figurës dhe profesionalizmit. Komisionerja Nino e bazon ankimin e saj në gjetjet e pasqyruara në rekomandimin e ONM.

Duke ju referuar rekomandimit të ONM-së, Nino vlerëson se gjyqtari Çela rezulton me bilanc negativ në vlerën 7.3 milionë lekë për investimet e kryera në blerjen e një apartamenti dhe mbulimin e shpenzimeve.

ONM vërejti se mënyra e blerjes së apartamentit ngre dyshime për pasuri të fshehur. Këto dyshime, ONM I bazoi në faktin se subjekti kishte paguar në bankë 78% të vlerës së apartamentit, kurse pjesa tjetër ishte paguar nga kushërira në cilësinë e bashkëpronares. Çela pretendoi se shuma e vendosur në bankë ishte bashkim i të ardhurave të të dyve, por sipas ONM-së nuk kishte prova për një gjë të tillë.

Po ashtu, vlerësohet se bashkëpronarja nuk kishte të ardhura për të kursyer apo plotësuar pjesën e saj prej 36 mijë eurosh në blerjen e apartamentit. Dy hua që pretendohet se ajo kishte marrë konsiderohen të paprovuara.

ONM ngriti dyshime edhe mbi shumën shumën 30 mijë euro që subjekti ka pretenduar se e kishte mbuluar me një hua të shlyer më pas me kredi. Sipas ONM-së dhe komisioneres, nuk u provua që huadhënësi kishte të ardhura për të dhënë shumën në fjalë. Nino vëren se subjekti nuk e ka deklaruar asnjëherë këtë hua përpara pyetësorit strandard, megjithëse e ka provuar me dokumentacion.

Komisionerja kërkon që Kolegji të shqyrtojë edhe disa çështje që kanë të bëjnë me kriterin e figurës dhe profesionalizmin.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar dy raporte të kundërta për subjektin, ku në të parin ka konstatuar përshtatshmërinë ndërsa në të dytin papërshtatshmërinë duke ngritur dyshimet për përfshirje në shpërdorim detyre e veprimtari korruptive.

Komisioni ka vlerësuar se konstatimet e DSIK-së nuk mund të referoheshin në vlerësimin e figurës, por elementet e këtyre çështjeve i ka trajtuar në vlerësimin tërësor të çështjes si dhe në drejtim të cënimit të besimit gjatë ushtrimit të detyrës, por pa gjetur probleme. Po ashtu KPK, nuk ka gjetur probleme penalizuese as në kriterin profesional.

Bazuar në rekomandimin e ONM-së, komisionerja Nino vlerëson se gjetjet mund të shërbejnë për një vlerësim të ndryshëm në këto dy kritere ose në vlerësimin tërësor të çështjes.

Sipas Ninos, rezultojnë disa rrethana, të cilat të analizuara së bashku me rezultatet e tjera të hetimit, përfshirë vlerësimin e aftësive profesionale, në vlerësim të përgjithshëm të të tria kritereve, si dhe të para në raport me njëra-tjetrën, duhen çmuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në drejtim të cënimit të besimit të publikut. Të njëjtën gjë ajo i kërkon Kolegjit edhe për çështjet e trajtuara në kriterin profesional. /Birn

Të këshilluara

21 raste të reja me Covid në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale i bën thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid dhe vaksinimin kundër gripit, për të forcuar mbro...

19:06

ide

Blendi Kajsiu: Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

91.98

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI