Një ditë para protestës së paralajmëruar nesër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur sot grupin parlamentar demokrat ku deklaroi se për çështjen “McGonigal”, kryeministri Rama e ka vendin në burg.
Sipas tij vendimi i pritshëm për disa deputetë demokratë që mund të përjashtohen bëhet për shkak se nesër kryeministri Rama ka vendosur të shkojë në Parlament, pas një viti mungese.
"McGonigal është në burg, Edi Rama e ka vendin në burg. Akti që ka kryer Rama ndaj SHBA-ve dhe Shqipërisë, krimi i rëndë që ka kryer kundër pluralizmit politik dhe kundër sigurisë së SHBA-ve Meriton një ndëshkim ekzemplar.
Faza e parë e dërgimit të tij në banesën e armiqve të pluralizmit, është largimi i tij nga pushteti. Çdo ditë, çdo betejë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sot ata për turpin e tyre marrin përsipër të përjashtojnë edhe disa deputetë të tjerë tanët nga Parlamenti sepse nesër Rama pas një muaji vendos të shkojë në sallën e Parlamentit, por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë dhe kërkon të na stërpërgjysmojë. Pasi u kthye nga Dubai ku krahas princit të kurorës, takoi edhe ortakun e vëllait të tij Armand Josifin, ka vendosur që të hyjë në Parlament. Kjo përbën një akt të shëmtuar të tij dhe të pseudomaxhorancës së tij. Parlamenti është kthyer në kohën e diktaturës staliniste." - u shpreh Berisha.