Flash

Afera McGonigal/ Pse propaganda e Rilindjes nuk ta ngref

Lapsi.al 15 February 2023
Afera McGonigal/ Pse propaganda e Rilindjes nuk ta ngref

Shprehja e vjetër "kapet si i mbyturi pas fijes së flokut", i shkon më së miri sjelljes që po adapton propaganda e rilindjes ndaj skandallit McGonigal. Lapsi.al i ka monitoruar gjatë këtyre ditëve pjesën kryesore të mediave që marrin porosi nga zyra e shtypit në kryeministri, për të kuptuar se çfarë drejtimi do t'i japë Edi Rama akuzave për korruptimin e zyrtarit të FBI-së për ta përdorur atë për luftën e brendëshme politike. Mediave pranë qeverisë nuk i intereson as investigimi i gjatë i “New York Times” që thoshte fjalë për fjalë se “McGonigal ndërmori hapa në dobi të këtij politikani”, as  CNN që fliste për një “marrëdhënie të fshehtë”, as investigimi i gjatë i Washington Post që e përshkruan ish agjentin si të përfshirë deri në fyt në paktin sekret me Ramën.  Në morinë e madhe të artikujve që kanë nxjerrë gazetat më të mëdha dhe më serioze në botë, ata kërkojnë gjilpërën në kashtë për të krijuar një tablo të rreme për skandalin. Lapsi.al i ka qëmtuar me lupë...

LEXO ME TEJ:

Kronologjia datë pas date/ Si u rekrutua McGonigal për të goditur PD-në 

Kështu ndodhi rreth dhjetë ditë më parë, kur gazetarja Jonida Shehu i mori për Euronews Albania një intervistë ish të dashurës së tradhëtuar prej agjentit të FBI-së. Allison Guerreiro pohoi po të njëjtat gjëra që kishte thënë për shtypin dhe drejtësinë amerikane. Ajo konfirmoi ato që ka nxjerrë edhe aktakuza e drejtësisë të këtij vendi për lidhjet, miqësinë, takimet, darkat dhe telefonatat e Ramës me McGonigal. Ajo shtoi më pas, në një postim në rrjetet sociale, se kishte kërkuar dhe ishte paguar për këtë ekskluzivitet që i dha njërës prej mediave shqiptare. Kaq u desh që zv/kryeministrja Belinda Balluku, të dilte përpara kryeministrisë me zellin që vetëm pak gra dinë ta kenë për burrin që i mban në punë: për të thënë se mediat paguajnë për të nxirë imazhin e vendit. Kjo shprehje u rimor me zellin e një tifozi të Big Brother-it dhe u bë lajm kryesor nga Top Channel. Madje kronika u përgatit nga vetë gazetari legjendar Muhamed Veliu.

 

Kaq u desh që një honorar 500 eurosh, të eklipsonte në mediat e qeverisë, milionat që ishin paguar nga Shqipëria për të korruptuar zyrtarin e FBI-së. "Ish- e dashura e zyrtarit të FBI e pranon se u pagua për intervistën kundër Ramës në Shqipëri", ishte titulli i porositur që rishkruan në kor një tufë portalesh. Ashtu sikurse Lapsi.al ka hulumtuar në google, teksi i porositur në të gjitha mediat është i njëjtë.

 

Spekulimi vulgar që dëshirohet të bëhet është se gjithçka është e shpikur dhe se po paguhen para në mënyrë për të lidhur pa fakte Edi Ramën me zyrtarin e burgosur të FBI-së. Po mirë mediat shqiptare u paguakan, po të përditshmet më të mëdha amerikane që shkruajnë të njëjtën gjë, a mos vallë edhe ato i kanë blerë kundërshtarët e Ramës në Shqipëri?

ANDI BUSHATI: Pesë rrëfime që rrëzoi skandali McGonigal 

E njëjta fabul u përsërit edhe në fundjavën e shkuar, pasi tabloidi gjerman BILD, publikoi një artikull në vazhdën e atyre që ishin botuar në SHBA, ku vinte në pah lidhjen e kryeministrit tonë me ish agjentin e arrestuar të FBI-së. Faktet ishin pothuajse të njëjta, me përjashtim të një detaji të ri. Bildi shkruante se këshilltari informal i Edi Ramës, Dorian Duçka, që akuzohet se ka paguar udhëtimet dhe shpenzimet e McGonigal, e kishte hapur qesen edhe për politikanë dhe gazetarë gjermanë. Për çudinë e shumëkujt, artikulli u zhduk nga faqja një orë pas botimit. Nuk dihet të thuhet nëse kjo u bë për fakte të pasakta, apo se për këtë gjë u lobua fort.

Por ama kaq u desh që të ekzaltohen mediat e dirigjuara me komandë nga Endri Fuga. Titulli i tyre këtë herë ishte lapidar: "BILD ia “lë ngrefur” Berishës dhe Metës". Teksti copy paste që e shoqëroi këtë titull, kudo njësoj, ishte si më poshtë: "Pas publikimit të shkrimit, opozita e ‘përdori’ si armë shtesë për çështjen në fjalë, pas disa shkrimeve në mediat amerikane ditët e fundit. Sipas tyre, BILD ka botuar një "bombë" kundër Ramës. Vetëm se kjo "bombë" nuk ekziston, pasi shkrimi është fshirë direkt pas publikimit. Arsyeja mendohet se është fakti që shumica e shkrimit bazohej mbi aludime dhe trillime të paqena".

Pra faktet e Bild janë të paqena, po ato të gazetave më të mëdha amerikane, shkrimet e të cilave gjenden edhe sot e gjithë ditën online?

New York Times: Si i shiti McGonigal shërbimet e tij në Shqipëri! 

Një episod i tretë, ku ranë në sy sërisht titujt me përmbajtje të fortë seksuale, u prodhua pasi një ish agjent i shërbimeve inteligjente amerikane botoi një shkrim ku e akuzonte McGonigal se ishte paguar edhe nga oligarkët pranë Edi Ramës, duke u rrëmbyer shuma të mëdha në këmbim të heqjes se tyre nga lista e zezë ku i kishte futur SHBA.

Ato që pretendonte shkrimi i John Schindler, i publikuar në Washington Examiner, për hir të vërtetës, nuk gjenden në aktakuzën zyrtare dhe ato nuk janë botuar as në mediat me prestigj përtej Atlantikut. Por edhe ky episod nuk u la pa u përdorur nga propaganda e rilindjes. Tani fjala kyç nuk ishte më se ai "i'a lë ngref" Metës dhe Berishës", por penisi i autorit amerikan. Titulli që u shpërnda gjërësisht ishte: "Dërgonte foto të penisit: Autori i shkrimit që thotë se McGonigal gjobiti biznesmenët e Tiranës, u shkarkua me turp nga NSA".

Pra po të shohësh në distancë se si po luan propaganda e rilindjes, ajo ngjan mjerane. Diku mundohet të kapë ndonjë honorar, diku përgjon fotot rozë të ndonjë autori, diku tjetër ndonjë shkrim që nuk është më i lexueshëm në rrjet. Dhe me të gjitha këto sëbashku, do të përkundë fabulën që nuk ngjit dot, se historia e lidhjes Rama- McGonigal është një histori e sajuar nga hiçi.

Por ka një fakt të thjeshtë për të gjithë ata që duan të ndërtojnë këtë fabul: pse Edi Rama përmendet plot 14 herë në aktakuzën e zyrtarit të arrestuar të FBI-së? Pse në artikujt e tyre, që Lapsi.al i ka raportuar të gjitha, CNN, New York Times, Washington Post, e marrin si të mirëqenë marrëdhëniet sekrete të kryeministrit me McGonigal? Ky është në fakt raliteti që nuk mbytet dot me tituj ku përmendet penisi apo impotenca seksuale e Berishës dhe Metës. 

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI