Në konkluzionet e prokurorit të Washingtonit kundër Charles McGonigal nuk përmendet asnjëherë fjala “korrupsion”. Ai akuzohet se ka falsifikuar dokumenta dhe nuk ka raportuar vizitat, takimet dhe paratë siç ia kërkon ligji, por gjithsesi 225 mijë dollarët që i mori Agron Nezës konsiderohen thjesht para borxh.
Supozohet që qeveritarët shqiptarë që pritën McGonigal në Shqipëri të jenë të qetë nga hetimi përtej oqeanit. Pse jo, ta konfirmojnë narrativën e agjentëve të FBI.
Por kjo nuk ndodh në rastin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai ofron një version tjetër të momenteve kyçe të hetimit. Diferencat mes atyre që thotë Rama në televizion dhe atyre që shkruhen në dosje janë thelbësore.
https://lapsi.al/2023/02/13/detajet-the-washington-post-rama-mardhenie-sekrete-me-mcgonigal/
1) A u bisedua në kryeministri për licencat në fushat e naftës të Shqipërisë?
Në akt-akuzë e Washingtonit, paragrafi 22 thuhet se: “Në 9 Shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u takua me Personin B dhe kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesë të personit A, i pandehuri McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të ishte i kujdesshëm në dhënien e licencave për fushat e naftës në Shqipëri për kompani ruse. Personi A dhe Personi B kishin të dy interes financiar në vendimin e qeverisë për dhënien e licencave për nxjerrjen e naftës”
Si e rrëfen Rama takimin? Kryeministri i Shqipërisë mohon diskutimin për licenca nafte apo kompani konkrete. Në përgjigjen që përsëriti pak a shumë njësoj në katër intervista, Rama tha se biseda kishte qenë e përgjithshme për influencën ruse, madje e quajti një “bashkëbisedim miqësor të përgjithshëm”.
“Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse në tërësi, më foli për rajonin, ku influenca ruse është prezente, ndërsa në Shqipëri është inekzistente” tha Rama në intervistën për Grida Dumën në Top Channel. “Nuk ka folur ai me mua për asnjë lloj biznesi në favor të personave të tjerë” shtoi kryeministri gjatë intervistës. KLIKO KETU PËR VIDEO
Se kush gënjen për temën e bisedës në kryeministri do të kuptohet gjatë gjyqit që pritet të nisë në SHBA, kur McGonigal do të ketë versionin e tij të ngjarjeve.
https://lapsi.al/2023/02/11/misteri-si-u-zhduk-shkrimi-i-bild-qe-implikonte-ramen/
2) Informacionet fillestare për hetimin e lobistit të Bashës në SHBA
Në paragrafin 40 të dosjes në SHBA thuhet se në Janar të vitit 2018, McGonigal mori informacione nga Agron Neza për një lobist amerikan dhe këto informacione më pas ia kaloi një vartësi të tij në FBI për hetimin. “Personi A i kishte marrë këto informacione nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë” thuhet specifikisht në dosje.
Ky është një pohim që e implikon direkt kryeministrin Rama si nismëtar i hetimit për lobistin e Lulzim Bashës në SHBA, Nick Muzin. Kjo solli më pas nisjen e hetimeve dhe hetimin e Lulzim Bashës nga Prokuroria e Tiranës dhe procesin gjyqësor.
Rama nuk e pranon këtë version siç thuhet në dosjen amerikane kundër McGonigal. Ai dredhon përmes një fjalie që e përsëriti në 4 emisione njësoj: "Unë nuk kam pasur asnjë lloj informacioni më shumë dhe asnjë dokument më shumë dhe ne këtu në kryeministri nuk kemi pasur më shumë se ato që ka zbuluar Birn dhe më pas Mother Jones dhe nëse do ta kisha, patjetër që do t’ia jepja zyrtarit të lartë të FBI-së".
Pohimi lë vend për interpretim. Nuk është i qartë dhe nuk konfirmon të njëjtin version që jepet në akt-akuzën e prokurorisë amerikane.
3) A ishte Duçka në takimin Rama-McGonigal në kryeministri?
Takimi i parë mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal trajtohet në paragrafin 22 të dosjes. Aty shkruhet se në takim ishte edhe këshilltari i Ramës, Dorian Duçka i njohur ndryshe si Personi B.
“I pandehuri McGonigal i dhuroi edhe suvenire të FBI-së kryeministrit të Shqipërisë në prani të Personit B” thuhet në fjalinë e fundit të paragrafit.
Por në intervistën që dha për Blendi Fevziun, Rama mohoi praninë e Duçkës në këtë takim. I pyetur se përse ishte Duçka në këtë takim, Rama u përgjigj me nervozizëm: “Ftojeni dhe pyeteni! Shumë e thjeshtë. Nuk ka qenë në takimin e parë. Nuk ka qenë”.
Edhe ky është një detaj që pritet të sqarohet gjatë gjyqit që po zhvillohet në SHBA në lidhje me mosdeklarimin e takimeve që McGonigal pati në Tiranë dhe në vende të tjera.
https://lapsi.al/2023/02/08/misteri-ducka-kush-jane-deshmitaret-qe-kryeministria-i-serviri-charles-mcgonigal-it/
4) Për kë punoi Dorian Duçka?
Sa më shumë flitet për dosjen McGonigal, aq më shumë shtohen pikëpyetjet për rolin e Dorian Duçkës, të cilin Rama fillimisht e prezantoi si këshilltarin e tij pa pagesë.
Në akt-akuzë, Duçka përshkruhet si një njeri i punësuar në kryeministri, i pajisur me email të qeverisë shqiptare dhe me pasaportë diplomatike.
“Personi B (Dorian Duçka, shënim i Lapsi.al) është një shtetas shqiptar i punësuar nga një konglomerat energjitik kinez. Personi B operonte si një këshilltar jozyrtar për kryeministrin e Shqipërisë, që kishte një email dhe pasaportë zyrtare të qeverisë së Shqipërisë dhe është një ish-funksionar i qeverisë. Personi A dhe Personi B ishin edhe ortakë në biznes me njëri-tjetrin”.
Bie në sy fakti se Rama tenton të distancohet nga këshilltari i tij, Dorian Duçka gjatë prononcimeve të tij. I pyetur nga Enton Abilekaj tek “Të Paekspozuarit” për faturat e dëshmitarëve që Duçka ka paguar kundër lobistit të Bashës në Vjenë, Rama u shpreh: "Z. Duçka ka qenë këshilltari im i jashtëm. Person privat. Puna e tij se ç’ka paguar, ç’nuk ka paguar, për kë ka paguar, por ai nuk është në asnjë akuzë dhe këto janë insinuata…"
Kur u pyet në Opinion për Duçkën, u përgjigj shkurt: "Ftojeni dhe pyeteni!"
Se cili ka qenë roli i Duçkës në aferën McGonigal dhe përse ka paguar ai shpenzimet e udhëtimit të dëshmitarëve që iu servirën FBI-së, pritet të sqarohet gjatë procesit gjyqësor./Lapsi.al