Një vajzë e porsalindur u shpëtua nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese në veri-perëndim të Sirisë, e cila u shkatërrua nga tërmeti i së hënës. Nëna e saj nisi lindjen menjëherë pas fatkeqësisë dhe solli në jetë vajzën pak para se të ndërronte jetë, tha një i afërm. Babai i vajzës, 4 vëllezërit e motrat dhe një hallë humbën jetën gjithashtu.
Pamjet dramatike treguan një burrë që mbante foshnjën në duar, të mbuluar me pluhur, pasi ajo u nxorr nga mbeturinat në qytezën e Jidayris. Një mjek në një spital në qytetin Afrin aty pranë tha se ajo tani është në një gjendje të qëndrueshme.
Ndërtesa në të cilën jetonte familja e saj ishte një nga rreth 50 që raportohet se u shkatërruan nga tërmeti 7.8 ballë. Jidayris është një qytet i kontrolluar nga opozita në provincën Idlib afër kufirit turk. Xhaxhai i foshnjës, Khalil al-Suwadi, tha se të afërmit nxituan në vendngjarje kur morën vesh për shembjen.
"Ne dëgjuam një zë teksa po gërmonim," i tha ai agjencisë së lajmeve AFP. “Pastruam pluhurin dhe gjetëm foshnjën me kordonin e kërthizës [të paprekur], kështu që e premë dhe kushëriri im e çoi në spital”.
https://twitter.com/rami498/status/1622665696307027991?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1622665696307027991%7Ctwgr%5E4230261c1a92aacc8cb61569a55e04844f7417dc%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Fglobalnews.ca%2Fnews%2F9466895%2Fsyria-turkey-earthquake-baby-rescue-rubble%2F
Pediatri Hani Maarouf tha se foshnja mbërriti në spitalin e tij në një gjendje të rëndë, me "disa mavijosje dhe plagë në të gjithë trupin e saj".
"Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit të acartë. Ne duhej ta ngrohnim dhe t'i jepnim kalcium" - shtoi ai.
Ajo u fotografua e shtrirë në një inkubator. Të martën u mbajt një funeral i përbashkët për nënën e saj Afraa, babain Abdullah dhe 4 vëllezërit e motrat e saj.

Ata janë në mesin e 1800 njerëzve që dihet se humbën jetën nga tërmeti në Siri, sipas qeverisë me bazë në Damask dhe Helmetave të Bardha, vullnetarë të të cilave veprojnë në zonat e kontrolluara nga opozita.
OKB-ja është zotuar të përdorë "të gjitha mjetet" e mundshme për t’u dhënë ndihmë njerëzve në veriperëndim të Sirisë, por tha se dërgesat janë ndalur përkohësisht për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe çështjeve të tjera logjistike.
OKB u ka kërkuar gjithashtu qeverive të mos politizojnë shpërndarjen e ndihmave kur kaq shumë njerëz janë në nevojë. Një marrëveshje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së autorizon përdorimin e një kalimi kufitar për dërgesat nga Turqia. Edhe para se të godiste tërmeti, 4.1 milionë njerëz në veriperëndim - shumica prej tyre gra dhe fëmijë - mbështeteshin në ndihma humanitare për të mbijetuar. ©LAPSI.al