Flash

Kuvendi i Serbisë diskuton sot për dialogun me Kosovën

Lapsi.al 2 February 2023
Kuvendi i Serbisë diskuton sot për dialogun me Kosovën

Rendi i ditës

Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.

Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë. Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Plani franko-gjerman

Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Çfarë parasheh propozimi evropian? Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Nga e dimë që Vuçiç do të flasë për planin?

Këtë e ka konfirmuar, në Twitter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një ndër bashkëbisedimet e tij me Boshko Obradoviqin, kreun e partisë së djathtë opozitare Dveri.

Çfarë tha Vuçiç para se të vinte në Kuvend?

Një ditë para seancës së Kuvendit të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se nuk beson se në seancë do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën. Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman. Më herët, ai ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të deputetëve në Kuvend. Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, bashkë me partnerët e koalicionit, ka 159 nga 250 deputetë në Kuvend.

Çfarë ka deklaruar Vuçiç për planin franko-gjerman?

Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd. Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.

Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.

Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë. Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të.

Ky bllok i partive ka 51 deputetë. Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën. Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”. Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.

Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.

Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve. Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin. Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.

/REL

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI