Flash

Vdekja e emigrantit turk në Greqi nxit akuzat për torturë

Lapsi.al 31 January 2023
Vdekja e emigrantit turk në Greqi nxit akuzat për torturë

Vdekja e një emigranti turk pasi ai udhëtoi në një ishull grek në fund të vitit të kaluar ka nxitur kërkesat që çështja të trajtohet nga Ministria e Jashtme e Turqisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, një ligjvënës turk ka akuzuar qeverinë greke për kryerjen e vrasjes – por Greqia mohon çdo përfshirje.

Barış Büyüksu mendoi se ky do të ishte fillimi i një jete të re. Ai i bëri këto foto në ishullin grek Kos në tetor. Disa ditë më vonë ai vdiq.

30-vjeçari kishte paguar një bandë kontrabandistësh për ta çuar në Kos. Ata i dhanë një kartë të rreme identiteti bullgare. Büyüksu planifikonte të shkonte në Athinë – dhe më pas të merrte një avion për në Francë.

Më 21 tetor, ai priste të hipte në një traget. Një mik i tha familjes se ishte dëshmitar i ndalimit të Barış Büyüksus nga policia dhe se më pas atë e futën në një furgon të zi pa shenja.

Të nesërmen, në qytetin e tij të lindjes, në Izmir, familja mori një telefonatë nga policia turke – e cila u tha se djali i tyre kishte vdekur dhe kishte shenja torture.

Roja bregdetare turke thotë se e gjeti Büyüksu-n në një varkë që ishte dërguar përsëri në ujërat turke. Në varkë ndodheshin edhe disa emigrantë të tjerë. Turqia thotë se Büyüksu vdiq nga plagët e marra para se një ekip mjekësor të arrinte tek ai.

“Ne e morëm trupin nga qendra mjekoligjore, e sollëm këtu dhe e varrosëm. Vrasja e djalit tim nuk është vetëm një problem për Turqinë, por është gjithashtu një problem për njerëzimin”, thotë i ati i viktimës.

“Ai donte të martohej, kishte një të dashur, kishte ëndrra dhe thoshte “Nënë, duhet të ndërtojmë një shtëpi, do të blej ar dhe do të bëj një dasmë kur të kthehem.” Ai shkoi me ëndrrat e tij të punonte atje. Por tek unë u kthye trupi i tij i pajetë”, thotë e ëma e viktimës.

Në autopsinë fillestare turke thuhet se Büyüksu kishte lëndime që përputhen me tortura: prerje dhe mavijosje në fytyrë dhe trup, si dhe hemorragji të brendshme.

Emigrantë të tjerë në varkë i thanë policisë turke se ishin ndaluar së bashku me të në Greqi – dhe ata e dëgjuan Barış Büyüksunë duke u torturuar në një dhomë ngjitur.

Autoritetet turke thonë se janë ende duke e hetuar çështjen. Rezultatet e plota të autopsisë nuk janë publikuar ende. Një ligjvënës i opozitës turke e ngriti rastin e vdekjes së Barış Büyüksusë në parlament.

“Autoritetet greke kryen vrasje. Familja dëshiron që kjo çështje të shqyrtohet dhe të ndiqet nga ministria e jashtme”.

Policia greke nuk i është përgjigjur kërkesave të përsëritura të Zërit të Amerikës për koment. Roja bregdetare greke mohon dërgimin e anijeve me emigrantë në ujërat turke – pavarësisht provave të përhapura të dokumentuara nga organizata joqeveritare.

Ministria Greke e Migracionit dhe Azilit i tha Zërit të Amerikës se nuk kishin të dhëna për rastin dhe nuk mund të komentonte. Familja e tij thotë se ai nuk u regjistrua për azil pasi donte të largohej nga Greqia për të shkuar në Francë.

“Dua që vrasësit e vëllait tim të ndiqen penalisht. Dua të zbuloj se kush janë ata. Nuk dua që ky rast të mbulohet kështu”, thotë vëllai i viktimës.

Një familje e dëshpëruar në kërkim të përgjigjeve. Kush e vrau djalin dhe vëllanë e dashur? Kush do të japë drejtësi?

Rasti ngre gjithashtu pyetje të tjera – mbi kontrollin e kufijve të Evropës – dhe mbi të drejtat e njeriut të atyre që kërkojnë një jetë më të mirë./VOA

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI