Të dielën mbrëma Policia e Kosovës ka sekuestruar 107 kilogramë substancë narkotikë të llojit marihuanë. Sasia e lëndës narkotike u gjet në një terminal doganor. Ajo ishte në një automjet me targa të huaja që drejtohej nga një qytetar serb me inicialet M.P.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas policisë, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e karburantit janë gjetur bunkerë të modifikuar, në brendësi të të cilëve ndodheshin 101 paketime plastike me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë. Po ashtu në cilësinë e provës janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë.