Flash

BE-ja ngre alarmin për kërkesat e larta për azil nga vendet ‘e sigurta’, mes tyre edhe Shqipëria

Lapsi.al 30 January 2023
BE-ja ngre alarmin për kërkesat e larta për azil nga vendet

Bashkimi Europian po bëhet gjithnjë e më i shqetësuar për numrin në rritje të kërkesave të paraqitura nga azilkërkuesit, të cilët, në parim, nuk kanë të drejtë për të përfituar nga mbrojtja ndërkombëtare, siç janë shtetasit nga India, Bangladeshi, Maroku, Egjipti dhe Peruja.

Komisioni Europian vlerëson se numri i kërkesave për azil arriti në 924,000 deri në fund të vitit 2022 – niveli më i lartë që nga viti 2016 – ndërsa kalimet e parregullta të kufijve të BE-së u trefishuan nga viti i kaluar, duke shkuar në 330,000.

Veçanërisht, kërkesat për azil përfshinin shtetas nga vendet që konsiderohen kandidate zyrtare për t’u bashkuar me bllokun, si Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia.

Shqetësimi i lartë i shteteve anëtare doli në pah gjatë një takimi jozyrtar dy-ditor të ministrave të brendshëm, i cili u zhvillua në Stokholm këtë javë.

“Kemi tre herë më shumë kërkesa për azil sesa njerëz që vijnë në mënyrë të parregullt dhe të gjitha këto po mbingarkojnë kapacitetet tona të pritjes,” tha të enjten Ylva Johansson, Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme.

“Shumë prej tyre nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.”

Johansson tha se mbi 60% e këtyre kërkesave do të përfundojnë me një vendim “negativ”, i cili është një refuzim i azilit dhe një urdhër për t’u larguar nga territori i BE-së.

Rreth 850,000 kërkesa, duke përfshirë kërkesat për herë të parë dhe apelimet, janë ende në pritje të një vendimi përfundimtar.

“Presion në rritje mbi sistemet kombëtare”

Blloku duket se ka të vështirë të rikthejë aplikantët e papërshtatshëm në vendet e tyre të tranzitit ose të origjinës, duke arritur që ta bëjë këtë për vetëm 21% të të gjithë migrantëve të parregullt të regjistruar në vitin 2022.

Ministrat e Brendshëm duan të rrisin këtë normë sa më shpejt të jetë e mundur dhe po shqyrtojnë disa mënyra për të përdorur nenin 25a të Kodit të Vizave të BE-së, i cili lejon vendosjen e masave kufizuese ndaj vendeve jo-anëtare të BE-së që refuzojnë të bashkëpunojnë për rikthimet.

“Kthimi efektiv është një nga stimujt më të mirë për të parandaluar ardhjen e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare,” tha Johansson.

Sipas shifrave të ofruara nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA), vetëm në nëntor u paraqitën plot 105,970 kërkesa për azil në të gjithë BE-në, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Sirianët përbënin grupin më të madh, me 17,739 kërkesa, të ndjekur nga afganët (14,877), turqit (8,342), kolumbianët (4,884) dhe venezuelianët (4,350).

Kërkesat e qytetarëve nga Turqia, Bangladeshi, Maroku, Gjeorgjia, Egjipti, Republika Demokratike e Kongos dhe Peruja shënuan “shifrat më të larta historike” në nëntor, tha agjencia.

Mbi katër milionë refugjatët ukrainas që ikën nga lufta e Rusisë kanë kaluar një procedurë të veçantë e të përshpejtuar, të njohur si Direktiva e Mbrojtjes së Përkohshme, dhe nuk llogariten në shifrat e kërkesave për azil.

Në nëntor u paraqitën gjithashtu mbi 19,900 kërkesa për azil nga shtetas që vinin nga vende që kanë një marrëveshje për lëvizjen pa viza me BE-në, të tillë si kolumbianët, argjentinasit, brazilianët, ekuadorianët, shqiptarët, moldavët, maqedonasit dhe boshnjakët.

“Nivelet e fundit jashtëzakonisht të larta të kërkesave për azil sinjalizojnë presione të shtuara ndaj sistemeve kombëtare,” tha EUAA në raportin e saj të nëntorit./ Euronews

Të këshilluara

Kosova, një garanci amerikane

Një lexim i editorialit të z. Chollet dhe z. Escobar; ose, pse Kosova dhe shqiptarët, po se po, por edhe Evropa sot, ky kontinent shtëpi e 750 milionë banorëve,...

12:27

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI