Gjigandi amerikan CNN shkruan se veterani i FBI-së, me një karrierë 22-vjeçare në këtë institucion, Charles McGonigal u përball me 2 aktakuza. E para ishte se kishte punuar me një oligark rus të shpallur “non grata” pasi ai kishte dalë në pension dhe tjetra se fshehu qindra mijëra dollarë që mori nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare kur ishte ende një zyrtar i lartë në byro. CNN shkruan se ky shqiptar i kishte dhënë McGonigal 225 mijë dollarë në cash të cilat ai nuk i kishte deklaruar. CNN vijon duke sqaruar pretendimin e prokurorëve se në një takim McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë që të jetë “i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për shpimet në fushat e naftës në Shqipëri për kompanitë ruse”.
ABC News shkruan se McGonigal fshehu nga byroja marrëdhënien e tij me këtë ish-oficerin shqiptar të paidentifikuar të inteligjencës gjatë gjithë kohës që udhëtonte jashtë vendit me personin dhe takonte shtetas të huaj. Personi cilësohet si shtetas shqiptar i punësuar nga një konglomerat energjetik kinez. Personi më vonë "shërbeu si një burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte lobim politik të huaj" mbi të cilin McGonigal kishte një rol mbikëqyrës.