Në shtatorin të 2009, në momentin kur mori mandatin e deputetit, Fatmir Mediu rifitoi imunitetin që e kishte dorëzuar për t’i hapur rrugë hetimit për shpërthimin e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona.
Dy ditë pasi shpërtheu Gërdeci, Mediu dha dorëheqjen dhe u vu në dispozicion të prokurorisë së atëhershme për hetime.
Ndaj tij u ngrit akuza për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.
Mediu shpëtoi nga Kolegji i Gjykatës së Lartë që pushoi hetimin, sapo ai u rizgjodh deputet.
Por pushimi i hetimeve nuk është pafajësi.
Këtë të martë, Mediu u fut në zyrat e SPAK dhe u vu përballë të njëjtit prokuror, të njëjtës dosje, të njëjtës akuzë. Pas 15 vitesh.
“Më është prezantuar i njëjti fashikull, e njëjta akuzë si në 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe as provë shtesë, akuzë për shpërdorim detyre, kam kërkuar që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë. Shpresoj që të merrem në pyetje. Motivi politik është në akuzë, nuk është urdhri i ministrit që ka provuar problemin, çdo letër që kam nxjerrë ka ardhur nga pjesa civile dhe ushtarake. Akuzën nuk e pranoj, jam i pafajshëm, demontimi është çështje sigurie kombëtare”- tha Fatmir Mediu pas marrjes në pyetje nga SPAK.
Si u vu në lëvizje SPAK
Pasi socialistët erdhën në pushtet, familjarët e viktimave të Gërdecit shpresuan se çështja e Fatmir Mediut do të rihapej dhe për ish-ministrin do të kishte një proces. Zamira Durda, nëna e Erisonit, 7-vjeçarit që humbi jetën në fabrikën e Gërdecit i shkruajti edhe Arta Markut në vitin 2018, por nuk mori përgjigje.
Të njëjtën lutje ia dërgoi edhe prokurorëve të SPAK, që nuk mbajtën një qëndrim deri sa doli rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit dhe socialistët konfirmuan mandatin e tretë në pushtet.
Në Maj të vitit 2021, kur Rama ishte në fillim të mandatit të tretë, SPAK u vu në lëvizje për disa dosje. Lexo më poshtë:
Analiza e fakteve/ Llalla, Mediu, Meta, ç’po ndodh me proceset e reja të drejtësisë?
Në njoftimin për rihapjen e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit thuhej se “Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë…”
Nga Mediu te Bumçi e Berisha
Hetimet për Gërdecin nuk kufizohen tek Mediu. Aldo Bumçi është thirrur në SPAK për një shkresë, ku dyshohet se ka lënë porosi me mbishkrimin “Për Shkëlzenin”. Në një intervistë në RTSH në shtator të 2022, ish-kreu i SPAK Arben Kraja tha se pjesë e hetimeve mund të jetë edhe Sali Berisha.
“Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish-kryeministri apo ish-presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, – deklaroi ai.
Kraja mohoi presionin nga SHBA për hetimin e Berishës, megjithëse qëndrimi i amerikanëve drejtuar institucioneve shqiptare që të gjejnë prova për korrupsionin e Berishës ka qenë i qartë, që pas shpalljes non-grata.
Lexo edhe: Kabllogrami për Gërdecin, reagon Shkëlzen Berisha
Lexo edhe: Stresi në qeli/ Delijorgji merr 15 mijë euro dëmshpërblim për burgun e Gërdecit
Vetë Berisha, kur SPAK nisi përpjekjet për rihapjen e dosjes së Gërdecit tha se nuk kishte lidhje me këtë çështje.
“Unë s’kam asnjë lidhje me hapjen çështjeve të Gërdecit dhe 21 janarit” u shpreh ai. “Ta harrojnë se ka imunitet Sali Berisha. E gjithë kjo tymnajë përtyp plehun e vjetër” – tha kreu i PD-së.
Lexo edhe: Avokati i Gërdecit/ Prapaskenat e Edi Ramës kundër familjarëve
Lexo edhe: Rama i jep leje ndërtimi Delijorgjit të tragjedisë së Gërdecit
Socialistët mes “krimit shtetëror” dhe “aksidentit teknologjik”
[caption id="attachment_792167" align="alignnone" width="960"]
Dokumenti sipas te cilit qeveria Rama e quajti Gerdecin "aksident teknologjik" gjate perballjes ne Strasburg[/caption]
Kur ishin në opozitë, socialistët e përdorën kartën e Gërdecit si një “krim shtetëror”. Me këtë togfjalësh hynë në fushatë kundër qeverisë së Berishës dhe i premtuan drejtësi familjarëve të viktimave.
Por pasi erdhën në pushtet, retorika e tyre mbi Gërdecin pësoi një thyerje të fortë. Kur familjarët e viktimave kërkuan dëmshpërblim në Strasburg, qeveria Rama paraqiti një dokument të firmosur nga zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, sipas të cilit tragjedia e Gërdecit ishte “aksident teknologjik”.
Me këtë qëndrim, qeveria e Ramës shfajësonte nga tragjedia Ministrinë e Mbrojtjes, pra vetë Fatmir Mediun.
Megjithatë kur SPAK rihapi dosjen e Gërdecit, Rama u shfaq me tone kërcënuese, duke rikthyer terminologjinë e “krimit shtetëror”.
“Është rihapur dosja e Gërdecit që iu vendos një kapak. Është rihapur dhe sot po hetohet e po bëhet nga SPAK-u. Kjo është rruga dhe jam i bindur që fjala drejtësia vonon, por nuk harron, ka kuptim të qartë” tha Rama./Lapsi.al
https://lapsi.al/2022/05/11/rama-i-kerkon-spak-hetime-per-berishen-21-janarin-gerdecin/