Kur fadromat ia behën për të shkallmuar pishinat e "Prestige resort" të bisnesmenit Irfan Hysenbelliu, ky i fundit u mbrojt me argumentin se ai gjithçka e kishte me leje, madje të firmosur dhe vetë nga Edi Rama, në 2016-ën, prandaj qëllimi i ruspave të qeverisë ishte që të ndryshonte vijën editoriale të mediave të tij, përmes shantazheve të paligjshme. Për të vërtetuar këtë nënpunësit e "Presige resort" publikuan edhe faksimilen e lejes të KKRT të nënshkruar nga kryeministri (poshtë).
Me të dalë ky dokument si dhe disa fotografi të shefit të qeverisë duke drekuar me biznesmenin Hysenbelliu, në shoqëri të Taulant Ballës, Arben Ahmetajt dhe Behgjet Pacollit, pikërisht buzë pishinës që ishte duke u shkatërruar nga fadromat e IKMT-së, u detyrua të bënte një sqarim ministria e Brendëshme.
Në të pretendohej se shkallmimi po bëhej për interes publik dhe nga ky aksion do ti ktheheshin qytetarëve 4 mijë metra tokë të zaptuara. Ajo pretendonte se leja ishte dhënë me dy kushte, ku theksohej ajo do të jepej vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse dhe asnjëra prej tyre nuk është plotësuar (poshtë).
Po cili nga këto dy versione, aq larg nga njëri-tjetri, është më pranë së vërtetës? Lapsi.al i ka parë ato me lupë, ka analizuar të gjitha të dhënat, natyrisht duke e vëzhguar çështjen nga interesi i publikut dhe rëmbimi ose jo i hapsirave që i përkasin qytetarëve. Duke u nisur nga ky princip qeveria Rama ka bërë së paku tre shkelje flagrante.
Lexo më tej:
Andi Bushati:Pishina e Irfanit, dosja e Metës dhe ruspat e një bande dallëndyshesh
Së pari, ato 4 mijë metra hapsirë publike, për të cilat ministria e brendëshme bënte sikur i dhimsen sot, qeveria ia kishte "falur" Irfan Hysenbelliut. Sikurse duket edhe në master planet që i kanë publikuar njësoj të dyja palët, në hartë vëzhgohet qartë se bllokimi i rërës dhe ndalimi i vijueshmërisë së bregut të detit si një pronë e të gjithëve, është parashikuar në harten e firmosur nga Rama. Pra nëse biznesmeni do kishte paguar taksat dhe do kishte plotësuar kushtet e pretenduara teknike, ai do ta gëzonte sot, këtë pronë të të gjithëve, me bekimin e Ramës. Madje ai do përvetësonte edhe një pjesë të detit duke ndërtuar një mol për skafe i cili fatmirësisht nuk është ndërtuar ende. Po ashtu, leja e Ramës parashikon një hotel shumë katësh, ndryshe nga plani fillesar i Mak Albania (të gjitha qeveritë nga ajo Meksi, Nano, Meta, Majko, Berisha e kanë zbatuar këtë parim), që prish rregullin e kësaj zone që ndërtimet e betonit mos ngrihen mbi lartësinë e pishave. Pra, kur ishte mirë me Irfan Hysenbelliun, kur donte të joshte mediat e tij, Edi Rama se kishte për gjë tu grabiste qytetarëve ato 4 mijë metra, për të cilat në këtë shtator u kujtua ti konsiderojë të paligjshme.
Së dyti janë disa foto që flasin shumë (këtu lart) ku duket dhënësi i lejes i veshur me tuta Adidas qe drekon për shtatë palë qefe me përfituesin e saj në shoqërinë e hierarkëve të PS dhe qeverisë. Kushdo që e ka parë "Prestige resort" e kupton se në kohën ku po konsumohet kjo drekë hoteli është ngritur, pishinat janë ndërtuar dhe shefi i qeverisë po shijon jetën buzë saj. Po ka një pyetje: Kur leja është që në mars 2016, dhe kur taksat nuk janë paguar prej kohësh dhe kushtet teknike nuk jasnë plotësuar gjithashtu, si shkon kryeministri në një objekt që i ka borxh shtetit që ai drejton? Si mund të pijë verë rrehat rehat shefi i qeverisë me një biznesmen që i ka borxh publikut? Si e ka marrë me vete edhe bacën Behgjet Pacolli, të cilit i ka dhënë aeroportin e Vlorës, apo për ti dhënë edhe atij shembullin se ne pijmë bashkë edhe kur ti si paguan taksat?
Në një vend normal, vetëm kaq do të mjaftonte, jo për të shkuar ruspat tek Irfani, po që një kryeministër të jepte dorëheqje. Shoqërimi i Ramës në publik, me një biznesmen që tallet me lejen e firmosur prej tij dhe rrefuzon të paguajë borxhin, do të shpjegohej me promovimin e këtij modeli.
Por në vendin kur Rama të bën të mirë kur je me të, dhe të shkallmon pronën kur e kritikon edhe kjo mund të shitet si normale.
Së treti, qeveria pretendon se zgjodhi ruspat ngaqë biznesmeni nuk ka paguar taksat. Po a zgjidhet konfikti për taksat me shkallmim prone? A i kanë shkuar fadromat edhe biznesmnëve të tjerë që i kanë borxh psh. tatimeve? Ky pretendim është qesharak. Ky aksion ka qëllim vetëm hakmarrjen dhe prandaj për të bërë të munduar atë u ndryshua në fillim të shtatorit drejtori i IKMT-së duke e zëvendësuar me Dallëndyshen e famshme. Prandaj në shtator ruspat, mjetet e rënda dhe policët ecnin me arrogancë, në rërë, në sy të pushuesve me roba banjo, ndërsa tani tre muaj.më pas u kthen pa asnje paralajmërim. Justifikimi gjithmone është se po i rikthenin hapsirën publike qytetarëve, por duke harruar se kur Rama e kishte mirë me Irfanin ai ia kishte rëmbyer plazhin qytetarëve duke privatizuar dhe rërën dhe bregun e detit (faksimilja lart).
©Lapsi.al