Ndërsa në Vlorë dy kryeministrat Rama e Kurti dhe dy presidentët, Begaj e Osmani shëtisnin në Lungomare, të rrethuar nga shpura e ministrave dhe rojet personale, Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës kishte dalë në dritaren e zyrës për të vendosur aty flamurin kuqezi.
[caption id="attachment_780980" align="alignnone" width="600"]
Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës duke vendosur flamurin në dritaren e zyrës[/caption]
Në këtë 28 Nëntor, ai ishte i ndërgjegjshëm se sytë e policëve dhe të shërbimit sekret të serbëve po e vëzhgonin, por Arifi sërish bëri të njëjtën gjë, që ka bërë me kokëfortësi prej 5 vitesh, çdo mëngjes të 28 Nëntorit.
Në mbrëmje, gjatë një interviste për Euronews tregoi se si tani pret që shumë shpejt ta thërrasin në prokurori dhe ndaj tij të nisë një proces gjyqësor. “Si çdo vit edhe këtë vit u vëzhgua administrata nga policia lokale dhe shërbimet sekrete për të parë se kush e vendosi, si e vendosi, për sa kohë u vendos flamuri” tha ai. “Më dërgojnë në prokurori, në gjyq, më dënojnë me sasi të caktuara parash. Ndodh çdo vit. Kam paguar mijëra euro personalisht për vendosjen e flamurit në këtë formë në administratën komunale” tregoi Arifi.
Ndëshkimi për të cilin flet Shqiprim Arifi tingëllon çuditshëm në atmosferën festive që mbulon televizionet shqiptare çdo 28 Nëntor. Rrëfimi i Shqiprim Arifit duket akoma më jashtë kohe, nëse ke dëgjuar për vite me radhë se si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është bashkuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në projektin e Ballkanit të Hapur.
Projekti synon prosperitet dhe begati mes shqiptarëve dhe serbëve. Për qëllimet e mira të Vuçiçit, Rama del shpesh garant, madje e ka mbrojtur edhe në momente të vështira para zyrtarëve të Bashkimit Europian.
A ka mundësi që ai të jetë në dijeni të një represioni të tillë ndaj shqiptarëve që jetojnë sot në territorin e Serbisë?
“Të gjithë e dinë këtë fakt,- thotë Shqiprim Arifi,- e din edhe qeveria në Tiranë, edhe qeveria në Kosovë edhe ndërkombëtarët. Por të tre bëjnë si ato tre majmunët, njëri nuk fol, njëri nuk sheh, njëri nuk dëgjon”.
Mungesa e ftesës për të gjithë shqiptarët në Vlorë
Sado që ka pasur mosmarrëveshje me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i la mënjanë inatet për një ditë dhe u shfaq në ceremoni bashkë me ta. Mes shumë turistëve të tjerë nga Kosova, prania e tyre në Vlorë ishte krejt e natyrshme.
Por ky 110-vjetor i Pavarësisë ishte një shans i mirë që Rama të bënte bashkë akoma më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve.
Mungonin sot në Vlorë përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ata të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës Medvegjës e Bujanocit. Përse për ta nuk pati ftesë?
“Ndjehem i anashkaluar i neglizhuar dhe po më vjen shumë keq që Prishtina dhe Tirana nuk kanë një strategji inkluduese të shqiptarëve kudo ku janë të paktën për një ditë që mbahet një herë në vit, 28 Nëntori. Ne jemi nën raprezalje të serbëve, nën procesin e diskriminimit, nën neglizhencën e Bashkimit Europian, por edhe në mosinteresim të Prishtinës dhe Tiranës” tregon Shqiprim Arifi.
Çdo 28 Nëntor, pesha e diskriminimit të serbëve bëhet më e rëndë. Është i qartë se flamuri në dritaren e zyrës nuk mund të qëndrojë më shumë se 24 orë. Përndryshe raprezalja thotë ai, vazhdon me forma të tjera. “Vjen një moment që duhet të hiqet, për arsye se represioni te ne vazhdon me forma më të rënda dhe nuk dua të lëndoj askënd” shpjegon ai. Pozicionin e shqiptarëve të Luginës e krahason me serbët e veriut të Kosovës, që kohët e fundit treguan se çdo veprim e koordinojnë me Vuçiçin. Ndryshe ndodh për shqiptarët e Luginës, që nuk e kanë një mbështetje të tillë. Prandaj dhe reagimet janë më pak agresive.
“Për ne është problem më i vogël ta eskalojmë situatën siç e bëjne serbët në veri të Kosovës. Por duhet të jemi kontribues dhe stabilizues për dialogun në Bruksel” thotë Arifi./Lapsi.al