Flash

Modeli Vuçiç në politikë/ Çfarë kopjoi Rama në Beograd për investimin e Alabbar

Lapsi.al 21 November 2022
Modeli Vuçiç në politikë/ Çfarë kopjoi Rama

Janë të shumta detajet që të  tregojnë se projekti i “Marina dhe jahte, Durrës” është një kopje e “Belgrade Waterfront”, zona rezidenciale me qindra mijëra metra katrorë ndërtime buzë lumit Sava në Beograd.

Së pari është modeli arkitekturor i projektit. Të dy projektet kulmojnë me nga një kullë marramendëse në mes, rrethuar nga pallate që ofrojnë mijëra apartamente në shitje dhe një qendër tregtare me përmasa gjigande.

Diferenca është se në Shqipëri do të ketë një marinë jahtesh, ndërsa në Serbi kjo ishte e pamundur, pasi “Belgrade Waterfront” ngrihet buzë lumit Sava.

Së dyti është modeli i të bërit biznes. Investitori Mohammed Alabbar pritet me privilegje me kompanitë e tij “Eagle Hills…”, sepse premton miliarda euro investime. Në realitet, ai investon disa dhjetëra milionë euro. Projekti më pas qarkullon miliarda nëpërmjet shitjeve dhe nënkontraktorëve.

Por një tjetër aspekt, që bie në sy janë ngjashmëritë e modelit politik Vuçiç-Rama.

Duket se në Beograd, kryeministri i Shqipërisë nuk gjeti vetëm kontaktet e biznesit, por kopjoi edhe mënyrat me të cilat Vuçiç i jep drejtim punëve.

Lapsi.al ka shfletuar mediat e huaja për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi në Beograd, kur u propozua projekti i Alabbar tek “Beograd Waterfront”.

Ngjashmëritë e sjelljes politike janë mbresëlënëse.

1) Projektet “mollë e ndaluar” për qytetarët e thjeshtë

As Rama dhe as Vuçiç nuk u u udhëhoqën nga ideja se në rezidenca do të banojnë qytetarët e thjeshtë të Durrësit apo Beogradit.

Rasti i “Marina dhe Jahte Durrës”

Po të kemi parasysh hotelet e shtrenjta, kullat e larta dhe turistët që do të vijnë me jahte, rezidenca që do të ndërtohet në Durrës do të jetë “mollë e ndaluar” për banorët e thjeshtë të qytetit.

Çmimet e apartamenteve dhe hotelet e shtrenjta janë projektuar për turistët elitë të Mesdheut apo të Lindjes. Jo më kot, bëhen krahasimet me Dubain.

Projekti që sjell Alabbar nuk është produkt i natyrshëm i zhvillimit ekonomik të qytetit, por është vjen nga injektimi i miliarda eurove, që nuk dihet nga vijnë.

Pabarazia ekonomike do të krijojë në Durrës një ishull, të izoluar nga përditshmëria e qytetarëve të thjeshtë.

Ministres së Infrastrukturës, Belinda Ballukut iu desh ta sqarojë mirë në Komisionin e Ekonomisë se qytetarët e Durrësit nuk do të ndalohen të hyjnë në rezidencë.

Por thënë këtë, duhet sqaruar se ajo copëz Dubai në Durrës nuk do t’i përkasë pushuesve tradicionalë të Shqipërisë.

Paralelizmi me “Belgrade Waterfront”

Mjafton t’u hedhësh një sy çmimeve të apartamenteve në rezidencën e ndërtuar në Beograd për të kuptuar se as Vuçiç nuk pati në mendje serbët e thjeshtë, kur i hapi rrugë projektit të Alabbar.

Një apartament 79 metra katrorë sot në “Belgrade Waterfront” shitet për 380 mijë euro. Një tjetër, me çmim 105 metra katrorë shitet për 890 mijë euro.

Në të njëjtat shifra të çmendura luhaten edhe çmimet e tjera të shitjeve.

Luksi që sjell Alabbar është në kontrast me jetën e përditshme të qytetarëve të Beogradit.

Qendra tregtare më e madhe në Ballkan me 140 mijë metra katrorë sipërfaqe, kulla më e lartë mes Vjenës dhe Stambollit me 146 metra lartësi, janë përtej mundësive të qytetarit të zakonshëm në Serbi.

Pikërisht për këtë, aktivistët e lëvizjes “Nuk e dorëzojmë Beogradin” e akuzonin Vuçiçin se me projektin buzë lumit Sava krijoi një lagje ekskluzivisht për të elitën e pasur të Lindjes, apo për ata që kishin bërë para nga krimi.

2) Projektet pa konsultim dhe pa transparencë

Njësoj si “Marina dhe jahte, Durrës”, ashtu edhe “Belgrade Waterfront” u hartuan pa transparencë.

Rasti i “Marina dhe jahte, Durrës”

Në Shqipëri, emrat e kompanive me të cilat do të punojë Mohammed Alabbar u ndryshuan disa herë dhe ato ishin regjistruar në offshore. Projekti erdhi pa garë.

Procedurat ligjore të prokurimit, studimet e ekspertëve dhe debati publik u zëvëndësua nga një fushatë marketingu nga Dubai nëpër televizione.

Marrëveshja dhe plani i biznesit u mbajt sekret deri vonë. Rama kërkoi procedurë të përshpejtuar në parlament, kur u mësua se do të faleshin 800 mijë metra katrorë pronë publike dhe shteti do të falte 7% të taksave, sipas kontratës.

Paralelizmi me “Belgrade Waterfront”

Edhe në Beograd, nuk pati garë për të përcaktuar kompaninë që do të ndërtonte projektin. Vuçiç tha se gara ishte zhvilluar në Dubai dhe atje nuk kishte marrë pjesë asnjë arkitekt serb.

NJësoj si në Shqipëri, mediat në Beograd paralajmëruan me bujë marrëveshjen, kur ende nuk ishte publikuar asnjë dokument. Shoqëria civile u organizua dhe krijoi lëvizjen “Ne da(vi)mo Beograd” (Nuk e dorëzojmë Beogradin”)

Kontrata ishte firmosur, kur u zbulua se në të vërtetë Albbar do të investonte 150 milion, dhe jo miliarda euro. Njësoj si në Shqipëri, qeveria serbe i fali tokën investitorit Alabbar dhe disa ndërtesa ekzistuese. Ligjet që e pengonin, Vuçiç thjesht i ndryshoi.

3) Dhuna, si përgjigje e Vuçiç dhe Ramës për kritikët

Si Vuçiç, ashtu edhe Rama duke mos qenë të aftë të krijojnë konsensus në shoqëri për projektet e Alabbar, kanë reaguar ashpër ndaj kritikave

“Marina dhe jahte, Durrës”

Opozita e akuzon Edi Ramën se solli një projekt pa transparencë, se do të pastrojë paratë e korrupsionit dhe të krimit, se është në paligjshmëri dhe se po gabon me faljen e pronës publike dhe të taksave.

Por si reagim, Rama zgjodhi dhunën verbale, ofendimet dhe sharjet kundër deputetëve të opozitës. “Ju jeni ca të mbaruar ca të pafytyrë” iu drejtua Rama atyre duke i quajtur si njerëz “pa fe dhe pa atdhe”, “pa din e pa iman”.

Kulmin e ofendimit e arriti ndaj deputetit Dash Sula, të cilit i tha “gjel deti Peqini”.

Ndërhyrja e Ramës ishte pa asnjë fakt, por vetëm me ofendime: “Jeni të mallkuar”, “Jeni të mbaruar”, “Mblidheni si dele dhe blegërini”, “Gojën e keni të shkëputur nga truri”, “Kastravecë do dilni nga kjo histori”, “Ju kanë rrahur si këlyshë”, “Llazore”, “bedel”, “Kryebedel”.

Paralelizmi me “Belgrade Waterfront”

Vuçiç kishte përballë jo vetëm partitë e opozitës, por edhe shoqërinë civile. Në një nga protestat e mëdha kundër “Belgrade Waterfront” dolën në rrugë gati 10 mijë vetë, që kundërshtonin prishjen e shtëpive në lagjen Savamala.

Në vend se të dëgjonte zërin e qytetarëve, Aleksandër Vuçiç i krahasoi protestuesit me ata që kundërshtonin ndërtimin e hekurudhave në shekullin e XIX.

Natën mes 24 dhe 25 Prillit të vitit 2016, një grup njerëzish të maskuar hynë në lagjen Savamala. Njerëzit u nxorrën me dhunë nga shtëpitë. Disa u rrahën me shkopa bejzbolli. Njëri vdiq në spital.

Shtëpitë u shkatërruan. Policia nuk iu përgjigj thirrjeve për ndihmë.

Më vonë, një kreu i bandës kriminale “Jeniçerët” në Beograd, Veliko Bjellivuk rrëfeu se shkatërrimin e Savamalës e bënë njerëzit e tij me kërkesë të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Vuçiç e quajti Bjellivukun një gënjeshtar, por tha se ai kishte qenë gati t’i hipte vetë buldozerit për të shkatërruar Savamalën.

[caption id="attachment_778734" align="alignnone" width="633"]Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç gjate nje takimi te perbashket Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç gjate nje takimi te perbashket[/caption]

4) Gafat e propagandës së Vuçiç dhe Ramës

Në kushtet kur i duhej të mbronin dy projekte jotransparente, Vuçiç dhe Rama ranë në grackën e propagandës

“Marina dhe jahte, Durrës”

Pak ditë më parë, Edi Rama shpërndau një lajm, sipas të cilit biznesmeni Mohhamed Alabbar po investonte në Kroaci në të ashtuquajturin “Manhatani i Zagrebit”. Me këtë lajm, Rama tentoi të përmirësonte reputacionin e biznesmenit Alabbar.

Por lajmi ishte i vitit 2019.

Lapsi.al e ndoqi historinë dhe shpjegoi se qytetarët u ngritën në protesta dhe e zbythën kryebashkiakun e atëhershëm Bandiç, bashkë me Alabbarin. Kur e kuptoi se historia nuk i interesonte, Rama kërkoi falje, sepse ishte ngatërruar.

Në fakt, Rama nuk kishte pse kërkonte falje.

Historia e Zagrebit ishte shembull i ngadhënjimit të qytetarëve, përballë një projekti që sponsorizohet nga lidhjet okulte të politikës me biznesin, siç po ndodh në Shqipëri.

Paralelizmi me “Belgrade Waterfront”

Në vitin 2018, edhe Aleksandër Vuçiçit iu desh t’i kërkonte falje publikut serb. Në kantierin e “Belgrade Waterfront” kishin ndodhur dy aksidente me vdekje. Në radhët e qytetarëve pati pakënaqësi.

Atëherë presidenti i Serbisë Vuçiç tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një larës xhamash vdes çdo dhjetë sekonda.

Në rrjetet sociale shpërtheu një stuhi mesazhesh përgënjeshtrimi. Burimi i Vuçiç ishte një revistë satirike amerikane. Lajmi ishte i rremë.

Të nesërmen, Vuçiç kërkoi falje për deklaratën dhe tha se nuk e kishte verifikuar sepse kishte qenë shumë i lodhur./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI