Sali Berisha nuk di të ndalet. Ai i ka propozuar sot kryesisë së PD-së, pra e ka bërë fakt, se protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet në 6 Dhjetor, në ditën kur delegacionet e 27 së BE-së do të jenë në Tiranë për samitin e parë të këtij lloji që mbahet në vendin tonë. Natyrisht, ky vendim ka shkaktuar një tërmet të vërtetë. Deputetët kundërshtarë të "rithemelimit" në PD e kanë etiketuar këtë si një skandal që i shërben Edi Ramës. Kurse në radhët e pushtetit, ndonëse ende nuk janë shprehur, me siguri janë shqetësuar.
Lexo me tej:
Berisha: Në 6 dhjetor protesta e opozitës, të mikpresim liderët e BE
Në kushtet e bllokimit të jetës normale në Tiranë, si pasojë e zbarkimit të liderve kryesorë të kontinentit, shpallja e një mitingu opozitar, vë në vështirësi jo vetëm forcat e sigurisë, por gjithë organizimin, që ashtu si në ditën e finales së "Conference League" do të jetë i denjë për një republikë autoritariste. I pyetur për këtë vetë Berisha i ka injoruar këto aspekte teknike duke e shpallur 6 dhjetorin si ditën kur "populli opozitar do të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive evropiane, para të gjithë botës". Pasi është shprehur se ky do të jetë një manifestim kundër vjedhjes së portit të Durrësit dhe problemeve të tjera të ngjashme, lideri demokrat e ka çuar në skaj provokimin duke i ftuar edhe kryeministrat apo presidentët e vendeve të BE ti bashkohen atij: "Ftoj që ta marrim këtë protestë tonën si një akt mirëkëpritje ndaj tyre dhe padyshim një akt armiqësor, flagrant, të hapur ndaj Edi Ramës i cili me aferat e tij turpëron çdo komb, qytetar, njeri, lirinë, pluralizmin, të drejtat, transparencën dhe çdo gjë tjetër" ka thënë ai.
Berisha ndërkombëtarëve: Shqipëria destabilizohet po u prek vota
Por, pavarësisht këtyre deklaratave duket se qëllimi real i kësaj lëvizjeje të Berishës nuk është as t'i tregojë ndërkombëtarëve fytyrën e regjimit të Edi Ramës, as të fitojë zemrën e tyre. Ai ka të bëjë me një kalkulim të pastër taktik. Dhe ajo është e lidhur me çështjen gjyqësore që do të vendosë se kush mban stemën, flamurin dhe siglën e PD-së. Ashtu si shumëkush, Berisha është i bindur se këtë proces e dirigjon me urdhër nga lart Edi Rama. Pasi e shtyu për dy herë seancën, gjykata vendosi që procesi të mbahet në 6 dhjetor, pikërisht në ditën e Samitit të BE-së në Tiranë. "Ata kishin bërë llogarinë që t'i japin vulën alibashës në një ditë kur vëmendja do të qe tjetërkund dhe ku askush nuk mund të shkaktonte trazira ndaj kësaj padrejtësie. Ishte një manovër perfide e Ramës për ta mbuluar me terr këtë skandal" tha për Lapsi.al një zyrtar i PD-së, përkrahës i Berishës.
Faktin se do të kishte një reagim të fortë, nëse ndodhte ky skenar e tha një ditë më parë edhe vetë lideri demokrat në emisionin "Të paekspozuarit" të Ylli Rakipit. Berisha, përballë Sejaminit dhe Abilekajt tha se nëse demokratëve i vidhet vula ata nuk mund të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Madje ai tregoi shpërfillje dhe indiferencë kur Enton Abilekaj e pyeti se atë ditë, do të ketë masa të larta sigurie, jo vetëm nga policia vendase, por edhe nga trupa ndërkombëtare. "Sikur të gjitha ushtritë e botës të vijnë këtu, asgjë nuk mund ti ndalojë demokratët" tha ai (video poshte).
[video width="856" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2022/11/vcompress_57.mp4"][/video]
Pra, ndryshe nga motivet që renditi sot, Berisha po e bën protestën në ditën e samitit të BE-së, sepse ai është i bindur që pikërisht në këtë ditë, Rama ka urdhëruar t'i vidhet antarësisë emri, vula dhe selia e PD-së. Dhe natyrisht, ai është në të drejtën e tij ta ndërmarrë një hap të tillë. Kudo ku ka takime të BE-së, G8, G 20, shpesh zhvillohen edhe protesta të grupeve të ndryshme të interesit dhe kjo nuk është as një sakrilegj, as domosdoshmërisht një lëvizje njerëzish "pa fe e pa atdhe të paguar nga Rusia".
Andi Bushati: 12 nëntori, stanjacioni i protestës
As Shqipëria nuk ka pse tregon fytyrën e nje regjimi autokratik duke ndërprerë rrjedhën normale të jetës për evenimente të tilla. Ndonëse më shumë sesa një çështje parimore, kjo duket të jetë një kundërlëvizje ndaj atyre që në mënyrë diabolike zgjodhën 6 dhjetorin për të zhvilluar seancën e gjyqit, se kujt i takon PD-ja. Këtej e mbrapa, shumë ambasadorë dhe emisarë politikë do të nxitojnë t'i thonë liderit demokrat të tregohet "burrë shteti" dhe ta anullojë protestën. Me siguri, në këmbim, Berisha do të kërkojë ndërprejen e kulisave me procesin politik për pronësinë e partisë. Dhe ky do të jetë kyçi i çështjes. Sepse nëse gjykata vendos të ndryshojë datën, karagjozllëku i një procesi farsë do të jetë ulëritës.
©Lapsi.al