Një nga garancitë më të forta për investimin e projektit në Durrës fillimisht u tha se do të ishte “Emaar Group”, kompania ku princi i kurorës në Emiratet e Bashkuara, Al Maktum zotëron shumicën e aksioneve.
E konsideruar si një nga kompanitë më të fuqishme të ndërtimit, “Emaar Group” u prezantua përmes Mohammed Al Rashed Alabbar, i cili është themelues dhe drejtues i saj.
Por pavarësisht premtimeve nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministrja Balluku, loja me Emaar rezultoi një bllof.
Alabbar vërtet u prezantua me kartëvizitën e Emaar, por në realitet solli në Durrës kompaninë e tij të regjistruar në offshore “Symphony Global Holdings Limited” me pronarë anonimë.
Kjo rezultoi 100% pronë e “North East Real Estate Holdings”, një kompani tjetër.
Menjëherë nisën spekulimet.
Kush qëndronte realisht pas projektit? Pse duhet të gënjente Rama duke thënë se do të sillte në Durrës “Emaar group”? Përse nuk investoi Emaar siç u premtua në media?
Për ta shtuar paqartësinë, Mohammed Alabbar ndryshoi sërish emrin e kompanisë dhe erdhi me “Eagle Hills Real Estate Developments sh.p.k”.

Për herë të parë, emrat e pronarëve të këtyre kompanive u zbardhën në Komisionin e Ekonomisë, ku diskutohej kontrata. Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka nxjerrë një dokument, që tregon kush janë personat pas kompanive në fjalë.
Sipas këtij dokumenti, (shiko poshtë) 40% të kompanisë “Symphony Global Holding” e ka vetë Mohammed Alabbar.

Ndërsa 60% të aksioneve të tjera janë të shpërndarë tek familjarë të tij. Kjo është hera e parë që zbulohen emrat e pronarëve të kompanisë që ka marrë përsipër projektin e Durrësit, megjithë ngulmimin e opozitës dhe medias për transparencë.
Më herët, kreu i PD-së, Sali Berisha kishte deklaruar se pas kompanive që investojnë në Durrës janë vëllezërit Kariç, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ai i Bjellorusisë, Lukashenko.
“Me të drejtë gazetarët më pyetën “Po ku e di ti këtë, që thua Edi Rama?!” Po shumë e thjeshtë ajo. S’mund të imagjinoj kurrë në qoftë se nuk do të kisha interesa direkte të miat që unë të fshihja të tjerët që janë. Si mund t’i fsheh unë popullit tim, qytetarëve të mi, 60% të aksionerëve?! Kjo s’mund të ndodhë kurrë! Kjo ndodh vetëm kur e ke sipërmarrjen tënde dhe qëndron ti pas saj!” ka thënë Berisha për akuzat që i bën Ramës.
Ndërkohë Rama vetë ka mohuar lidhjet me serbët, pavarësisht se ka mbetur në kurthin e manipulimit të parë, kur premtoi të sillte në Durrës kompaninë Emaar.
“Akuzat me serbë janë prodhime të një tërbimi të madh. Tërbim non-gratash dhe spiunësh. Një tërbim non-gratash dhe spiunësh për investimin më të madh të huajnë rajon, Një investim që do të jetë krenari kombëtare. Një investim që do të transformojë Durrësin”, u shpreh Rama që megjithatë nuk thotë dot pse e përfshin shtetin shqiptar në kompani offshore që kanë pronarë të fshehur.
Dalja e emrave të bashkëpronarëve të Mohammed Alabbar sot në Komisionin e Ekonomisë është vetëm një hap i vogël para. Duke qenë se kompanitë në fjalë janë regjistruar në zona offshore, pronarët e tyre mund të ndryshojnë sërish në mungesë të plotë të transparencës për publikun./Lapsi.al