Flash

Kronologjia/ Si u dorëzua qeveria përballë piratëve kibernetikë

Lapsi.al 14 November 2022
Kronologjia/ Si u dorëzua qeveria përballë piratëve

Nga bllokimi i E-Albania tek publikimi i të dhënve të TIMS, nga emailet e Edi Ramës tek ato të Gledis Nanos apo Helidon Bendos. Piratët kibernetikë jo vetëm kanë dalë të fituar, por nuk kishin nevojë të luftonin fare me ndonjë rezistencë nga qeveria.

5 muaj që nga sulmi i parë, është e konfirmuar se piratët iranianë morën çfarë mundën, ndërkohë që qëndronin për më shumë se 1 vit në serverat e Policisë së Shtetit, SHISH dhe çdo sistem tjetër shtetëror.

Prandaj, kur Rama thirri ekspertët e Microsoft dhe ato të DASH për të na mbrojtur, ishte shumë vonë.

Qeveria në fillim reagoi ashpër. Thirri në ndihmë aleatët dhe shpalli fitoren. Pastaj, kur kuptoi se beteja ishte e humbur, vetëm heshti. Por çfarë kanë publikuar deri tani hakerat dhe si ka ndryshuar reagimi i shtetit shqiptar nga muaji në muaj?

15 KORRIK 2022, BIE SISTEMI I E-ALBANIA

Njoftohet për herë të parë sulmi i hakerave nga jashtë. Mbyllen shërbimet e E-Albania. Shkëputet internet nga sistemet e ministrive dhe të institucioneve të tjera shtetërore.

“Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike”, njoftoi AKSHI.

24 KORRIK, RAMA SHPALL FITOREN

Parë nga sot, deklaratat e qeverisë për fitore mund të duken qesharake, por në korrik qytetarët morën mesazhe ngushëlluese nga kryeministri Rama që shpalli fitoren.

"Agresioni është zmbrapsur me sukses” garantoi kryeministri në 24 Korrik, pas sulmit të parë, kur foli për “një superskuadër shqiptaro-amerikane”. “Agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash” gënjeu ai, duke mohuar dëmet nga hakerimi.

2 GUSHT, PUBLIKOHEN EMAILET E EDI RAMËS

Përgjigjen e mori menjëherë nga faqja që kishin krijuar piratët homelandjustice.ru. Ata publikuan emailet personale të Edi Ramës që bënë xhiron e medias.

Në dokumentet e publikuara ishin edhe denoncime që janë dërguar në postën elektronike të Kryeministrit nga firma private, lidhur me procedurat e tenderave, apo nga zyrtarë të shtetit, që ankohen për eprorët e tyre.

9 SHTATOR, BIE SISTEMI TIMS

Nga e premtja e 9 shtatorit, sistemi TIMS nisi të shfaqë disa probleme që vazhduan deri vonë. Në fillim sistemi ra plotësisht, duke provokuar radhë të gjata në pikat kufitare. Policët iu rikthyen regjistrave, ndërsa hakerat publikuan edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

12 SHTATOR, RAMA I KTHEHET MEDIAVE

I humbur përballë piratëve të huaj që tanimë kishin më shumë se një vit që merrnin të dhënat e shtetit shqiptar, kryeministri Rama iu kthye mediave. Pas raportimit se TIMS kishte ende probleme, ai shkroi: “Kjo s’është “Festë për kriminelët” po një festë tallavaje për ekrane e portale që s’duan t’ia dinë për publikun që i sheh e lexon, se për më shumë si psh për dinjitetin kombëtar është edhe gjynah t’iu kërkosh!Jo që s’po gënjen qeveria,po vetëm qeveria s’po gënjen në këtë mexhelis”, tha Rama në Twitter.

ÇFARË FSHIHTE QEVERIA

Të paktën deri në Tetor, Lapsi.al ka konfirmuar në disa burime se sistemi i policisë kishte ende probleme. Policia kishte vështirësi në përpunimin e sistemit të gjobave, në shërbimin e lejeve për të huajt apo në sistemin e ndërlidhjes së brendshme.

Ndërkohë zyrtarisht, thuhej se problemet e shkaktuara nga hakerat iranianë ishin zgjidhur.

19 SHTATOR, DALIN EMAILET E GLEDIS NANOS

Faqja e hakerave Homeland Justice, publikoi të dhënat e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Aty kishte informacione mbi familjen e Nanos. Por edhe hyrje-daljet e ish-kryepolicit në vend, që nga pikat kufitare tokësore dhe deri tek ato ajrore. Titujt e parë në media u pushtuan nga informacionet sekrete për një atentat të mundshëm ndaj Albin Kurtit, Lulzim Bashës apo lëvizjet e Talo Çelës.

19 SHTATOR, PROKURORIA KËRCËNON MEDIAT

Të pafuqishëm për të ndalur vjedhjet e piratëve kibernetikë, shteti kërcënoi gazetarët se do të kishin pasoja nëse publikonin informacione sensitive.

Prokuroria e Tiranës vendosi ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik. Por kjo thirrje ndaj mediave ngjante më shumë me një lutje për të mos u poshtëruar më shumë, se sa një kërcënim real.

19 SHTATOR, RAMA I DOREZUAR

Në kushtet kur të dhënat sekrete po dilnin çdo javë në pazar, kryeministri Rama la pas pozat e triumfatorit dhe pranoi se nuk dinte më çfarë do të dilte në publik.

I ftuar në emisionin “Wake Up America” në SHBA, Rama u shpreh se vendi është i përgatitur për sulme të tjera nga Irani.

Lexo edhe: Berisha: Hakerat qeveritarë sulmuan sistemet për të zhdukur lidhjet me krimin

Lexo edhe: Rama nuk pranon dështimin: Hakerat bëjnë hajgare me ju!

“Jemi të përgatitur të ndodhin e edhe të tjera sulme. Është shqetësuese që kjo po ndodh”, tha Rama, tashmë i dorëzuar përballë sulmeve nga jashtë.

3 TETOR, PUBLIKOHEN TË DHËNAT E MIJËRA TË DYSHUARVE

Sipas grafikut, që duket se synon plasjen e skandaleve të përjavshme, hakerat kanë publikuar listat e policisë për mijëra të dyshuar. Bëhet fjalë për fotot, emrat dhe të dhënat e personave që janë të dyshuar në polici, ose si të ndaluar për një vepër penale. Lista u tha se ishte nga sistemi MEMEX, megjithatë skandali u tentua të kalohej në heshtje.

17 TETOR, DALIN MILIONA NUMRA TELEFONI

Publikimi i radhës ishte një database që publikoi në rrjet rreth 14 milionë numra celularësh, që iu përkasin shtetasve shqiptarë.

Nën titullin “numrat e telefonit të shqiptarëve”, hakerat hodhën dokumentat në llogarinë e tyre në “Telegram”, duke sfiduar hapur propagandën e qeverisë se gjithçka ishte nën kontroll. Kuptohej se sistemi ishte shpartalluar tërësisht dhe çdo deklaratë për fitore ishte e kotë.

27 TETOR, DALIN UDHETIMET E RAMES ME CHARTER

Informacioni që ndikoi më shumë në debatin publik ishin të dhënat që hakerat publikuan për Edi Ramën dhe udhëtimet e tij jashtë vendit. Doli në pah se nga viti në vit, Rama kishte udhëtuar mbi 130 herë me charterin e famshëm “Ismaili”. Nga viti në vit, shpenzimet ishin rritur, megjithëse pagesat mbetën sekret për secilin udhëtim.

3 NËNTOR, DALIN EMRAT E PUNONJËSVE TË SHISH

Në shënjestër të piratëve kësaj radhe u vu Shërbimi Informativ Shtetëror. Publikimi i emrave të të gjithë punonjësve ishte një skandal i paprecedentë, që ka nxjerrë në pah edhe një herë se sa thelle kishin arritur të huajt. Pas këtij skandali, nuk pati asnjë reagim.

13 NËNTOR, PUBLIKOHEN EMAILET E SHEFIT TË SHISH

Tashmë është e vështirë të habitesh me publikimet e piratëve iranianë, por publikimi i emaileve të shefit të SHISH, Helidon Bendo ishte një tregues tjetër i degradimit të sistemeve kibernetike të qeverisë Rama.

Të dhënat e bëra publike kanë të bëjnë me mbi 800 mesazhe, në të cilat ka të dhëna konfidenciale. Ndër to janë komunikime të agjentëve të shërbimit informativ, strategjitë e anti-terrorit dhe të sektorit të krimit kibernetik, apo planet e masave për aktivitetet qeveritare. Nuk mungojnë as vendimet dhe urdhrat e dala nga zyra e Kryeministrisë për strukturat e posaçme të sigurisë kombëtare.

MUNGESA E LLOGARIDHENIES

Euforia e ditëve të para, që fliste për “zmbrapsjen e sulmit” apo për “ruajtjen e të dhënave” është harruar. Nga qeveria nuk ka më asnjë kundërveprim. Ka vetëm heshtje. Duket se shteti shqiptar thjesht po pret që hakerat t’i japin fund vetë këtij makthi, të nxjerrjes së sekreteve shtetërore si asnjëherë tjetër në histori./Lapsi.al

https://lapsi.al/2022/09/19/gjithcka-sheshit-si-e-rrezuan-hakerat-policine-e-shtetit/

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI